Gjuha Shqipe për fëmijë: Mësimi 4-Tingulli dhe Shkronja B
Të dashur fëmijë dhe ju prindër, kujdestarë të këtyre fëmijëve të mrekullueshëm që uleni me zell e kërshëri të luani shkollash… Nëse doni që kjo lojë e bukur edukative të ketë rezultatin që duam, ju lutem uluni në nivelin e fëmijës dhe largojini për 60 minuta të gjitha shqetësimet, përgjegjësitë dhe pjekurinë e të rriturit, nxirrni fëmijën brenda jush dhe mrekullohuni së bashku me ëngjëllin tuaj teksa pretendoni që po luani mësuesi dhe nxënësi, pse jo shkëmbeni rolet, lereni fëmijën të luajë rolin e mësuesit dhe bashkë përsërisni dhe vlerësoni njëri-tjetrin ashtu siç bëjnë nxënësi i zellshëm dhe mësuesi frymëzues. Jeni gati t’i hedhim një sy planit mësimor si më poshtë? Faleminderit!
Tema mësimore: Tingulli dhe shkronja B, b.
Situata e të nxënit: Balona
Rezultatet e të nxënit sipas temës mësimore:
- Përshkruan në bazë të figurave
- Dallon shkronjën B
- Shqipton shkronjën A duke e lidhur me shkronjën B
- Gjen tingullin dhe shkronjën B në fjalë të ndryshme
- Lexon globalisht fjalë që kanë shkronjën B në trup të tyre
- Shkruan shkronjën B të madhe të shtypit
Fjalë kyçe: bëj, balona, balena, bebi
Teknika dhe strategji: Stuhi mendimi, demonstrim, punë individuale, lojë
Burimet e informacionit dhe mjete:
- shkronja B, lapsa, fletore, mjete vizatimi,
- etiketa me fjalë, tabela plastike, figura, lodra për fëmijë, shkronja, fletë
- formati, plastelinë, magnetofon, CD
Për balonën: dy kallama; 1 mbulesë plastike tavoline; shirit ngjitës; spango; thikë; gërshërë; ngulëse kapsesh, kacavidë, gjilpërë, shirit fjongo për ta dekoruar balonën
Lidhja me fusha të tjera: Arte, Gjeografi
Përshkrimi i situatës:
Hapi 1: (Stuhi mendimesh & demonstrim) 5 minuta
Kontrollohet fjalori i përfituar nga ora e mëparshme e mësimit duke bërë pyetje të tilla si:
Çfarë lundron në dete e oqeane?
Cila të ndriçon natën te koka e krevatit?
Me çfarë shkojmë ne me pushime në Shqipëri?
Dhe pyetje të tjera por dhe diskutime si për shembull hapim hartën e tregojmë vende si Amerika e Veriut, Amerika e Jugut, Alaska, Antarktida etj.
Hapi 2: (Demonstrim & lojë) 15 minuta
Mënyra më e mirë e krijimit të një marrëdhënie të sinqertë dhe konstruktive me një fëmijë, veçanërisht kur merr rolin e mësuesit është të kaloni kohë bashkë duke krijuar diçka. Krijon, diskuton dhe ndërton fjalor, shprehi të cilat do ju nevojiten për bisedat e ardhshme. Pra, pse mos e krijoni balonën bashkë? Ndiqni videon bashkangjitur për hapat që duhet të ndiqni.
Video: Si të krijojmë një balonë
-Përdorim thikën për të hapur vrimë në fund të çdo kallami
-Përdorim pak ngjitës te pjesa ku bashkohen.
-E lidhim me spango dhe e tërheqim spangon te vijëzimi në fundet e secilit kallam sipas formës së një rombi. Pra krijuam strukturën mbrojtëse të balonës.
-E lidhim në mes të balonës.
-Marrim mbulesën plastike të tavolinës dhe e hapim.
-E vendosim strukturën e balonës sipër.
-E presim rreth e rrotull duke lënë rreth 2.5 cm hapësirë.
-E ngjisim dhe ngulim kapëset rreth e rrotull saj.
-Përforcojmë duke vendosur edhe shirta ngjitëse, para dhe mbrapa balonës.
-Tani marrim një kacavide që të hapim vrimë në secilën pjesë fundore të kallamit.
-Marrim gjilpërën, shkojmë spangon nga mbrapa para.
-Spangoja në qendër do të formojë “frerin”
-E lidhim në çdo fund të saj duke lënë një bisht në fund.
-Tani e lidhim spangon te freri.
-Krijojmë një dorezë me një pjesë kallami.
-Vendosim fjongo te bishti dhe të tjera në çdo cep.
-Kjo është BALONA jonë!
-E kujt është balona?
-E do balonën ta fluturosh?
-Çfarë ngjyre është balona jonë?
(Pyetjet bëhen duke përsëritur fjalën “balona” në rasa të ndryshme për të parë se si ndryshon fjala nga një rasë në tjetrën)
*(Balonën mund ta bëni duke respektuar këtë plan mësimor, por mund ta keni krijuar edhe më parë dhe në këtë orë mësimi thjesht pyetje në lidhje me përvojën që patët bashkë duke krijuar balonën. Gjithashtu një ide shumë e mirë do të ishte nëse të gjithë procesin ta realizoni jashtë sipas këtij skenari me temë “Balona”. Pra, gjithçka mund ta përshtatni në atë mënyrë që e bën më të lehtë për ju dhe fëmijën përthithjen e fjalorit të përzgjedhur dhe strukturat gjuhësore të cilat vijnë ndryshe nga gjuha e parë të cilën e kanë përfituar gradualisht…
Hapi 3: Gjejmë fjalët që kanë shkronjën B (stuhi mendimi) 5 minuta
DERË
BANANE,
BORA,
BIÇIKLETË
Gjeni bashkë nëpër shtëpi objekte, vende të cilat në shqip kanë shkronjën B.
(bidon, bukë, bufe, ballkon etj)
Lidhim fjalët e mësimpërme me figurat respektive. (figurat bashkangjitur)
Hapi 4 (Demonstrim)
I tregojmë fëmijës shkronjë B dhe formën e saj.
Fëmija nga ana e tij merr plastelinën dhe e krijon shkronjën sipas udhëzimeve tuaja.
Shqiptohet tingulli disa herë nga ju dhe fëmija.
Shkruan në fletoren e tij/saj disa rreshta me shkronjën B të madhe të shtypit.
Hapi 5: (Lojë) 5 minuta
Thuhen fjalët e mësipërme dhe kur fëmija dëgjon fjalë me shkronjën B ngrihet në këmbë. Fiton sa herë që ngrihet në fjalën e duhur. Përdorim kavanozin me guralecët si mjet vlerësimi. Sapo të mbushet kavanozi plotësohet një nga dëshirat e e realizueshme të fëmijës. Motivimi për vazhdimësi është shumë i rëndësishëm gjatë këtij procesi.
Detyrë shtëpie: Fëmija do t’i tregojë një kushëriri (të afërmi) në Shqipëri se si e ndërtoi balonën.
Duke ju falenderuar për vëmendjen ju lë takim ditën e Premte, më datë 10 Prill për të vijuar me mësimin e pestë. Një përqafim të ngrohtë për fëmijët nga mësuese Danjela Lumani.
3 prill 2020
©FlasShqip.ca