Bota Shqiptare

Shumë zhurmë për asgjë - Nga Zejadin Dedinca

Nga t’ia nis nuk e di sepse kam shumë për të thënë tash në prag të zgjedhjeve në Kosovë. Ose do të thoja më mirë ‘‘shumë zhurmë për asgjë’’. Vitet kalojnë e zhurma e tyre s’ndalet, sikur bletët do thoja, porse ata mjaltë nuk lëshojnë, pavarësisht se marrin nektarin nga lulet. Dua t’i shmang ashtu siç bëjnë shumë të tjerë, por dua ta di se deri ku shkon mashtrimi i tyre dhe sa ka koherencë me realitetin, në fakt me imagjinatën e tyre të gënjeshtrave dhe trillimeve. 

E mira e gjithë kësaj është që janë pakësuar premtimet e kota dhe kanë filluar të flasin me këmbë në tokë, edhe pse jo të gjithë, por në përgjithësi po. Por të them të vërtetën kanë një planprogram fushate zgjedhore me të vërtetë të varfër. Të premtosh investim milionësh në resortin turistik Brezovica, rritje të pagave minimale të sektorit publik në masën 150%, apo ndërtimin e një spitali të ri publik, më duken si premtime të pakta në krahasim me përgjegjësinë dhe detyrën që duan ta kenë apo që synojnë.

Për 20 vite kemi dëgjuar vetëm gënjeshtra dhe gënjeshtra pa fund. Sot ne kemi sadopak shpresë se do të bëhet mirë, por më duket që po ecim ngadalë dhe sikur kemi ngecur në të gjitha aspektet që duhet të zhvillohet dhe të përparojë një shtet demokrat dhe i pavarur. E kuptoj që kjo qeveria e fundit kishte punë shumë sikur gjithë qeveritë tjera, por dallimi ishte që këta i kryen disa punë që qeveritë e tjera nuk i kishin bërë dhe as nuk kishin ndërmend t’i bënin. Dhe duhej të vinte në pozitë kjo qeveri, që opozita të kujtohej për detyrat e saj të cilat ajo duhej t’i kryente që moti dhe tash ajo kujtohet që kështu mbahet shteti. E po vonë, duhej ta kishte menduar më herët. 

Kam një gjë për t’iu thënë atyre që votojnë partitë politike për hir të atyre që kanë qenë dikur në pushtet, por që sot kanë vdekur, apo atyre që votojnë për hir të atyre që sot nuk janë më me ne, e kur ishin krenoheshin se janë dikushi e kanë mbetur askushi.  Secili duhet ta lerë pas të kaluarën dhe të votojë vetëm për vete dhe jo për hir të askujt dhe në emër të askujt siç pati ndodhur vite më pare, kur në kohë fushate ringjalleshin të vdekurit të votonin. Sot ka ardhur koha e të vërtetës dhe për të vërtetën.

Le të kthehemi te ajo që thashë më lart. Jemi zhvilluar si shtet këto 4 vite sikur një breshkë. E di që kanë pasur vështirësi sepse ashtu e kanë sjellë punën qeveritë e kaluara, por 4 vite nuk janë pak, mendoj se duhej të përparonim edhe më shumë si shtet. Këtë herë po i lë anash lavdërimet dhe po jap vetëm kritika sepse mendoj se kjo qeveri i ka bërë këto punë të mira pikërisht si pasojë apo si shkak i kritikave të popullit. Mendoj se planprogrami i tyre duhej të ishte më i pasur me ide të shumta dhe të kishte një gjithëpërfshirje të të gjitha fushave të jetës.

Ajo që më brengos është që nuk po shoh diçka konkrete rreth studentëve. Ka qenë temë diskutimi në shumë televizione e në popull, rënia e interesimit të studentëve për të vazhduar studimet bachelor në universitetet publike, e tëra kjo sepse ata nuk po gjejnë vende pune pas përfundimit të studimeve në degën që ata zgjedhin. Pse asnjë nuk pati një plan për zgjidhjen e këtij problemi madhor në shtetin tone? Pse nuk pati një plan të ri për avancimin e procesit të mësimdhënies dhe furnizmit të shkollave me pajisje teknologjike dhe me mjete konkretizimi për lëndët e shkencave natyrore?

Kemi gjithashtu një problem tjetër madhor, që është vrasja e grave si pasojë e dhunës së ushtruar nga burrat e tyre. Kemi pasur këto vitet e fundit vrasje makabre ndaj grave. Edhe sa vrasje të tjera duhet të ndodhin që qeveritë të ndërmarrin masa të rrepta ndaj vrasësve të tillë, si dhe t’u sigurojnë një zgjidhje grave të cilat ndjehen të kërcënuara, shantazhuara apo të abuzuara? Pse nuk u ofrohet një siguri nga shteti? Apo duhet të bëhet vrasja fillimisht që të ketë një reagim nga shteti? Kjo çështje ka mbetur e pazgjidhur.

Ku është pastaj alternativa për fëmijët e braktisur në jetimore, pse nuk u sigurohet një qasje dhe trajtim, përkujdesje më e mirë ndaj tyre, pse nuk trajtohen edhe ata si fëmijët tanë? Edhe ata janë fëmijë e meritojnë të trajtohen si të tillë. Vetëm ushqyerja e tyre nuk mjafton, duhet të ndjehen pjesë e familjeve tona, të bëjnë udhëtime, të argëtohen në parqe e të organizohen aktivitete për ta.

E cila parti i pati në planprogramin e saj këto çështje?

© Zejadin Dedinca - Montreal