Gjuhë & Letërsi

Gjuha Shqipe për fëmijë: Mësimi 13 - Punimi i shkronjës Dh

Përgatiti: Danjela Lumani

Përshëndetje të dashur fëmijë! Si kaluat javën? E lexuat rrëfenjën e parë të udhëtimit nëpër glob të Kacamicrrit? Po vizatimin ashtu siç e imagjinoni ju Kacamicrrin xhuxhmaxhuxh, ose gishton e bëtë? Mësuesja e vizatoi. Po, mësuese Danjela e vizatoi Kacamicrrin shaluar një lapsi ngjyrë jeshile dhe si avion suprsonik u nis në hapësirë për të vizituar vënde të ndryshme të globit. Atë fytyrën e lumtur të Kacamicrrit guximtar e kam ende ndërmend dhe mezi pres që ta ndjek në udhëtimet e tij. Vizatimi i mësuese Danjelës është ky poshtë. Çfarë note do i vini mësueses? Mësuesja është në pritje të vizatimeve tuaja. 

Punimi i shkronjës Dh, dh

Situata e të nxënit: Përrallazat e shkronjave-shkronja Dh “Dhurata”

Rezultatet e të nxënit të kompetencave të fushës sipas temës mësimore:

  • Përshkruan figurën duke folur rrjedhshëm dhe me intonacionin e duhur.
  • Lexon tekstin me intonacion.
  • Sjell përvoja të ngjashme nga jeta.

Strategji dhe teknika:

  •  Bashkëbisedim
  •  Lexim me ndalesa
  •  Punë individuale

Burimet e informacionit dhe mjete: portali www.flasshqip.ca, mjete vizatimi, laptop, tabelë e bardhë, lapustila.

Lidhje me fushat e tjera: gjeografi, arte

Përshkrimi kontekstual i situatës:

Veprimet paraprake të situatës:

Dëgjoni bashkë me fëmijën këngën e David Tukiqit “Dhuratë për ditëlindjes” dhe diskutoni bashkë: 

  • Për çfarë bën fjalë kënga?
  • Çfarë i kanë sjellë shokët e klasës? 
  • Atdheun ku mund ta shikojnë fëmijët? 
  • A do i pëlqente Kacamicrrit një dhuratë e tillë? Pse?

Veprimet në situatë:

Hapi i parë: Bashkëbisedim

Bisedoni të dy me fëmijën tuaj. 

  • Kur ka ditëlindjen, cila është pjesa më e rëndësishme?
  • Cila ka qenë dhurata më e bukur që ka marrë ndonjëherë?
  • A do të mërzitej nëse një shok apo shoqe do vinte pa dhuratë?
  • A është më e rëndësishme prania në festën e ditëlindjes po dhurata që do sjellë?

Hapi i dytë: Lexim me ndalesa

Ndahet teksti në tre pjesë: pjesa e parë nga fillimi deri te “…para për dhuratë”, pjesa e dytë nga “Mësuesja i ledhatoi flokët…” deri “…me zemer e jo me para” dhe pjesa e tretë “Në festën e ditëlindjes…” deri në fund.

Lexohet pjesa e parë  nga fëmija. Më pas i bëni këto pyetje:

  • Kush e kishte ditëlindjen?
  • Çfarë po i tregonin vajzat njëra-tjetrës?
  • A ishin të lumtura ato?
  • Po Merita ishte e lumtur?
  • Si mendon, pse Merita ishte e trishtuar?

Pjesa e dytë: 

Si mendon ai është vazoja me zambak një dhuratë me vlerë? Pse?

Cila është më me vlerë një dhuratë e bërë me zemër apo e blerë me para?

Pjesa e tretë: Pasi lexoni edhe pjesën e tretë, diskutoni me fëmijën duke i bërë këto pyetje për ta ndihmuar:

A i pëlqeu dhurata e Meritës Dhorës? 

Ku e vendosi ajo dhuratën e Meritës?

Hapi i tretë: Punë individuale

Fëmija e lexon tekstin vetë në heshtje. I kërkohet nga ju që të gjejë e të lexoje me zë fjalët që përmbajnë shkronjën “dh”. Fëmija mendon mesazhin që përcjell kjo përrallëzë e shkronjës Dh. 

Përrallëza “Dhurata”

Dhorës po i afrohej ditëlindja. Shoqet kishin përgatitur dhurata shumë të bukura dhe ia tregonin njëra-tjetrës. Vetëm Merita rrinte e heshtur dhe e trishtuar. Mësuesja e vuri re dhe e pyeti. Merita i tregoi që prindërit i kishte pa punë dhe nuk mund t’u kërkonte para për dhuratë. Mësuesja i ledhatoi flokët. “A nuk më ke thënë që në shtëpi ke mbjellë dy vazo me zambak?” Vajza pohoi me kokë. 

Besoj se njërën do ia kishe dhuruar shoqes sate.

Me gjithë zemër-buzëqeshi Merita, por ajo nuk quhet dhuratë, sepse unë nuk e kam blerë. 

Gabohesh, -e bindi mësuesja. Dhurata më e shtrenjtë është ajo që jepet me zemër e jo me para. Në festën e ditëlindjes Dhora u mahnit nga zambakët e porsapoçelur. E vuri vazon në mes të tryezës. E puthi Meritën dhe i tha: “Sa dhuratë të bukur më ke sjellë”. 

Demonstrim i rezultateve të arritura:

Lexohet teksti nga fëmija me zë të lartë. Tregohet mesazhi me anë të të folurit.

Vlerësimi i situatës:

  • Situata konsiderohet e realizuar nëse fëmija:
  •  Përshkruan figurën duke folur rrjedhshëm dhe me intonacionin e duhur.
  •  Lexon tekstin me intonacion.

 

*Duke ju falenderuar ju lë takim ditën e Shtunë, më datë 13 Qershor për të vijuar me mësimin 14. Një përqafim të ngrohtë për fëmijët nga mësuese Danjela. 

 

6 Qershor 2020, ©FlasShqip.ca