Lepuri tregon trimëri - Fabul nga Vangjush Saro

Vangjush Saro - Vancouver
Kur ra çiftja e parë në korije
dhe u dëgjua që tutje Zagari,
ia dha vrapit Lepuri siç i ka hije
iku nga sytë këmbët i pari…
“Fshihuni, shpejt, po vijnë ata!”
Bërtiste e çirrej ai i ndërkryer.
Pas tij, ia mbathën gjithë kafshët radhë,
kush mundej të shpëtonte kryet.
Pas disa kohësh, këdo takonte,
ia thoshte ndryshe historinë:
“Që thoni ju, është qetë sonte,
Atë ditë ta shihnit trimërinë.”
Dhe diku gjetkë më me fantazi:
“Unë kisha dalë për një shëtitje,
kur befas dëgjoj ca breshëri.
Iu thashë gjahtarëve:
“Mos bëni qitje!”
■
Kështu gjersa dikur fundi ia behu.
Si gjithnjë, po "vizatonte" trimërinë,
kur një Dhelpër për zverku e mbërtheu:
“E vazhdojm’ në strofkën time historinë?…”
©Vangjush Saro