Gjuhë & Letërsi

Autokorrektori i gjuhës shqipe, risi për shqiptarët në emigracion - Nga Ermir Dardha

Ermir Dardha - Montréal

Një vit më parë në Shqipëri, është hedhur në treg një program i posaçëm, i quajtur "Autokorrektori i gjuhës shqipe", me qëllim që të ndihmojë individët, institucionet, por dhe kompanitë, për të përdorur gjuhën standarde në të shkruar.  Programi, i cili përmban 80 mijë fjalë, kryen jo thjesht korrigjime të gabimeve drejtshkrimore, por dhe të atyre gramatikore. Nëpërmjet regjistrimit falas në faqen e internetit www.shkruajshqip.al mund të përdorni pa pagesë autokorrektorin për të korrigjuar tekste sipas normës standarde të gjuhës shqipe.

Nismëtari i këtij projekti të zhvilluar në një hark të gjatë kohor disavjeçar, pedogogu universitar Leonard Boduri, shpjegon synimet e kompanisë dhe projektet e saj në proces.

Z. Boduri, pas një viti të publikimit të produktit tuaj, cilët janë klientët tuaj dhe cili është reagimi i tyre?

L. Boduri: Pjesa më e madhe e përdoruesve tanë kanë qenë të pakursyer në komplimente, por edhe në sugjerime mjaft të vlefshme. Shumica e tyre janë profesionistë të fushave të ndryshme, studentë, pedagogë, përkthyes, pa përjashtuar këtu një numër të madh punonjësish të administratës publike dhe private. Gjatë kësaj periudhe kemi shtuar bazën e të dhënave me rreth 5 mijë njësi të reja dhe gjithashtu kemi në përfundim Shtojcën për Microsoft Word, e cila ka qenë një kërkesë e pothuaj mbi 90 përqind të klientëve tanë.

Sa i thjeshtë është përdorimi i tij?

L. Boduri: Autokorrektori mund të përdoret nga të gjithë që janë të lidhur me internetin, nëpërmjet kompjuterit apo celularit, duke u regjistruar në faqen e internetit www.shkruajshqip.al. Mënyra e përdorimit është mjaft praktike, duke sinjalizuar me ngjyra të ndryshme edhe llojet e gabimeve: drejtshkrimore, gramatikore apo të shenjave të pikësimit.

A mund të ndihmojë autokorrektori i gjuhës shqipe në fushën e edukimit dhe cilat janë synimet tuaja në këtë fushë?

L. Boduri: Kjo është një pyetje e zakonshme e përdoruesve tanë, brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë, e cila është mjaft e rëndësishme për planet tona të ardhshme. Një pjesë e mirë e familjeve të emigrantëve në Evropë, Shtetet e Bashkuara, Kanada kanë dëshirë të ruajnë dhe të transmetojnë gjuhën e folur dhe të shkruar tek fëmijet e tyre, por për shkak të mungesës së mjeteve të edukimit, kjo dëshirë ndesh në vështirësi të ndryshme. Ajo që ne duam të ofrojmë së bashku me korrektimin e tekstit është edhe shqiptimi i fjalëve, si dhe informacioni gjuhësor. Këtë zhvillim të ri mund ta quajmë ndryshe edhe “mësuesi virtual” i gjuhës shqipe.

A është kjo sfida juaj e ardhshme?

L. Boduri: Nuk do ta quaja sfidë, pasi një pjesë e mirë e punës për të realizuar “mësuesin virtual” është gati, por pjesa e integrimit dhe e metodave të mësimdhënies virtuale do të kërkojë një afat zhvillimi rreth 18-24 muaj. Pra, e vështirë mbetet pjesa e eksperiencës së përdoruesit, e cila kërkon shumë kujdes sidomos kur kemi të bëjmë me edukimin e fëmijëve.

Dua t’ju bëj edhe një pyetje të fundit duke parë pasionin tuaj për gjuhën shqipe: ku e shihni autokorrektorin e gjuhës shqipe pas 5 vjetësh?

L. Boduri: Nuk e fsheh dot pasionin për gjuhën shqipe, prandaj mendoj që ndoshta në më pak se 5 vjet do të kemi një rrjetë të plotë të fjalëve me kuptim të përafërt apo të kundërt (sinonime/antonime), e cila mund të gjendet pothuaj në çdo gjuhë tjetër, por akoma jo në gjuhën shqipe. Pa ripërmendur këtu “mësuesin virtual”, do të shtoja se pasuria e madhe e gjuhës shqipe duhet të pasqyrohet edhe me shtimin e fjalëve dialektore dhe “pastrimin” nga fjalët e huaja. Përdorimi i fjalëve të huaja vend e pa vend, kryesisht për shkak të sharlatanizmit intelektual (kështu e quaj unë) mund të shmanget vetëm duke njohur mirë gjuhën tonë, e cila është vërtet e mrekullueshme dhe me ngjyrime të jashtëzakonshme shprehëse.

©Flasshqip.ca