Martin Camaj, i shuar në mërgim - Nga Pertefe Leka
- Published in Kulturë
- Nga: Pertefe Leka - New York

(Në 100 vjetorin e lindjes - 21 korrik 1925)
Martin Camaj: ''Unë jam i juaji, ju jeni të mijtë” … Avitu njeri! Nga palci i urrejtjes kërkoj me dalë…''
Poeti modern dhe i traditës, Martin Camaj, dukagjinasi i lidhur shpirtërisht me vendlindjen i kushtoi vargje “Vendit tem’’, përkthyer në anglisht “My Land’’ nga albanologu kanadez Robert Elsie, i cili zgjodhi Land-in e Dukagjinit për t’u tretur nën një muranë në Thethin mes thethjanëve. Camaj nuk pati shansin të kthehej në atdhe, për ngjashmëri me terrenin malor të vendlindjes, zgjodhi të ndërtonte shtëpinë me oxhak në Lengriz, Gjermani si modeli i kullës tradicionale. Atje rreth vatrës zgjoi ëndërrat dhe shtroi udhën e shkrimeve. Sot ajo ndërtesë është një monument kujtese mes qytetërimit evropian që flet shumë për maratonën e rrugëtimit të Martinit nga fortesa natyrore e Temalit. Ndaj lutet: ''Më falni diçka që më kënaq/Si puthja e nanës në ballë…''
Lutja e Martinit ''Më falni diçka''… e thënë ngrohtësisht, me shumë modesti dhe përulësi, nuk ishte vetëm një shprehje malli të pashuar mërgimtari, por një kërkesë për të vendosur një ekuilibër shpirtëror me bashkëvendasit e tij, në përputhje me logjikën e kohës, për paqe e drejtësi. Dëshironte patjetër të kapërcehej muri i urrejtjes, ngritur në atdhe nga një ideologji e dështuar që në provat e para, por e vazhduar nga mendje të sëmura.
Martini u arratis nga vendlindja pa dëshirë, pa marrë bekimin e nënës, sepse nuk donte t’i jepte asaj një dhëmbje më të madhe në shpirt, nëse do të qëndronte aty, ku përndiqeshin qëndrestarët. Larg Atdheut iu përkushtua një detyrimi më të madh për të mbajtur gjallë traditën, kulturën dhe gjuhën e të parëve. Burrërohej kur kujtonte vendorigjinën në Telume të Temalit të Dukagjinit, aq më tepër i zgjohej krenaria si bir i prindërve malësorë tradicionalë, Kolë dhe Tereza Vukaj. U rrit në një ambient patriarkal, fisnor, me disiplinën dhe rregullat e kushtetutës kanunore. Djali i bariut ishte i etur për dije. Në dhjetë vitet e para të jetës eci si i jati, por si autodidakt mësoi shkrim e lexim, u bë mik i librit. Kur u dallue inteligjenca e tij, u përzgjodh të merrte edukimin shkollor në Kolegjin Severian, i quajtur në atë kohë Liceu Klasik, i ngritur nga etërit jezuitë në Shkodër.
Mori mësimet në një sistem shkollor, që nuk kishte dallim me shkollat e përendimit. Atje në qytetin e kulturës, Martini studioi 11 vjet me mësues të përgatitur në auditorët e universiteteve ma të njohura të Evropës, prej ku mori drejtimin e të ardhmes. Vitet 1946-1948 të mbylljes së kolegjit e gjetën mësues në zonën e thellë të Prekalit, ku qëndroi pranë motrës Mrikë, e mbetun e ve, me jetimët. Vala e përndjekjeve ndaj klerit katolik, vdekja tragjike nga dora e hekurt komuniste e bashkëvendasit të tij nga Shllaku, At Bernardin Demaj (1894-1947, mësues, publicist, poet e folklorist i përmendun) qëndrimi i tij si social-demokrat, antikomunist, nxitën arratisjen e tij në grup.
Kalimi i kufirit e çoi, po në tokë shqiptare, në Pejë, ku vazhdoi një kurs për mësuesi dhe prej andej mësues në Tuz, në shkollën ''Mahmut Lekiq''. Pa e ndalë shkollimin në vitet 1950-1955 studioi në Beograd, ku u diplomua në degën Filologji Romane në fushat kryesore gjuhë dhe letërsi italiane. Më pas përgatitej për studime pasuniversitare në Albanologji pranë fakultetit filozofik të Universitetit të Sarajevës i udhëhequr nga albanologu, Prof. Herik Boriç, ku vendosi të promovojë në filologji si temë doktorature ''Gjuha e Gjon Buzukut''. Më 1956, vazhdoi studimet e Larta në Universitetin La Sapienza, Itali, i ndihmuar nga Prof. Ernest Koliqi dhe profesorët jezuitë të Shkodrës. Të larguar me ata edhe ish-rektori i kolegjit, At Zef Valentini, drejtuesi i Institutit të Studimeve Shqiptare. At Zefi drejtonte edhe katedrën e gjuhës dhe letersisë shqipe në Universitetin e Romës, prej të cilit Martini mësoi shumë.
Camaj u zhvendos në Universitetin e Mynihut, profesor i letërsisë dhe i gjuhës shqipe, ku më 1971 u bë qendër e katedrës së studimeve Albanologjike të Mynihut, një fushë e kërkimit shkencor, e vetmja në Gjermani. Atje tashmë si profesor i Albanologjisë, prej ku u shqua si Akademik, nga gjuhësia Evropiane. Aty shtroi udhën e shkrimeve me ndërthurje kulturash që u ndien në krijimtarinë e Camajt, poezia e tij e traditës po freskohej nga ndikime të reja. Për këte Prof. E. Koliqi shprehet: ''Arti i Martin Camajt ka nji afërsi, nji ndikim, nji ndieshmëri nga letërsia përendimore…Ka përvetësue mjetet mjeshtërore të tyne për me hollue artin e vet''.
Kudo që shkoi për studime, qytetin e mësimeve të para, Shkodrën me natyrën madhështore dhe historinë e lavdishme nuk e harroi kurrë. E gëdhendi në vargje, e quajti ''qytet me kunora'' duke i dhënë përmasat e krenarisë kombëtare.
''Aty si tash para se me ardhë fiset
ishe me tambël në plasaritjen e currave
e me themele në ujin e njelmë.
Të dhanë vetëm nji emën: Shkodra.
E të thirrën qytet me kunora
e të hodhën përkrye gur
e hekurat e para.
U zgjove e përgjakun sa herë
e u kqyre në pasqyrën tande.
Me emën grueje u lave ndër ujna
t’lumejve dhe ndeje me petka të reja
në shkamb
e ndritun ballë diellit mbi fusha.''
Camaj kishte një përgatitje të gjithanshme me veprat e publikuara në fushën e letërsisë, gjuhësisë dhe albanologjisë siç njihen disa nga publikimet, të cilat i shkroi me gjuhën e zemrës dhe siç e ka përcaktue albanologu dhe etnomuzikologu Prof. Ramadan Sokoli ''gjuha e Martin Camaj është një gegërishte veriore, madje është një “ndërdukagjinishte”, e cila ia freskon e ia pasuron veprat letrare me begatinë e fjalorit të kulluar.''
Disa nga botimet e autorit janë:
''Nji fyell ndër male'', poezi, Prishtinë 1953; ''Kanga e vërrinit'', poezi, Prishtinë 1954; ''Djella'', Romë 1958, ''Legjenda'', Romë 1964, ''Lirika mes dy maleve'', poezi, Munich 1967; ''Rrathë'', roman, Munich 1978 ; ''Njeriu me vete e me tjerë'', poezi, Munich 1978; ''Dranja'', poezi në prozë e quajtur ''Madrigals'', Munich 1981; ''Shkundullima'', Munich 1981; ''Poezi'' (1953-1967) Munich 1981; ''Karpa'', roman Munich 1987.
Me rëndësi për t’u përmendur është koha kur Camaj u bë kryeredaktor i revistës ''Shejzat'' të Prof. E. Koliqit, prej ku solli një ndihmesë të vyer me studimet e historikut të shqipes, ku dhe publikoi dizertacionin ''Gjuha e Gjon Buzukut'', studime nga gjuha e Bogdanit (libri i parë i prozës origjinale shqipe, ''Çeta e Profetëve'') dhe studime dialektologjike nëpër bashkësitë arbëreshe.
Nëse do të më jepej mundësia të isha para auditorit me nxënës si 40 vjet më parë, kur ushtroja profesionin e mësueses (dhe kur ishin të ndaluara krijimet e Prof. Camajt) do të kisha preferuar me zgjedhë për nxënësit pjesë nga botimet e para të autorit, ato publikime të Camajt që janë vazhdimësi e poezisë së traditës të Mjedës, i cili ishte edhe mësuesi i tij, apo të Fishtës. Gjithashtu do të përzgjidhja edhe krijime nga proza, poezia, drama, që kanë ndikimin e krijimeve letrare moderne evropiane, nga hermetizmi, simbolizmi, futurizmi…i G. Ungaretti-it, një letërsi në evoluim. Vëllimet me poezi ''Nji fyell ndër male'' apo ''Kanga e vërrinit''… do të ishin më të kapshme, sepse aty ndihet zani i poetit, ku patriotizmi i tij nuk shfaqet i bujshëm por i lidhur me traditën, me realitetin e vendlindjes, ku simbolet - Fyelli e Kanga - kanë një shtrirje hapsinore ndër kohëra, ''nëpër male të lashta'' (1953-1954 Prishtinë).
''O fyell, që nëpër male tona t’lashta
Kumbon ndër duert e shkathta të blegtorit,
Dirgju nji herë ndër kto vende t’rrashta
Bashk me i këndue nji kangë malësorit.''
Camaj me gjithë këte krijimtari artistike dhe si dijetar e shkencëtar, ishte person i ndaluar në atdhe, i ndarë nga lexuesi i vendit të vet: ''me zemër të ndame dyshë, mes dy dhenash, mes dy kohnash, mes dy shijeve''.
Edhe pse jetoi në zemër të Europës e qytetërimit, shpirtërisht jetoi me natyrën e maleve të veriut, me historitë e legjendat, me zakonet e ligjet e pashkruara që s’humbasin kurrë. I mësuar me ligjet e Kullës si besa, nderi, mikpritja, falja, mbrojti dhe ngriti lart dinjitetin e vendit që e lindi, sa edhe pas vdekjes donte t’i shërbente e të ishte aty si gur themeli. E dinte se si fqinjët veriorë e jugorë i shtynin piramidat kufitare për zgjerim me ngjarje të rënda gjenocidi, vetëm për të realizuar pushtimin. Djali i Dukagjinit shprehej trimërisht, që të ishte në shërbim të mbrojtjes së atdheut: ''Kur të vdes le të bahem gur/në skajin e vendit tim/të qëndroj kufi.'' (Vendit tem)
Sa qe gjallë, e mbrojti identitetin e tij shqiptar, si bir i një bariu, malësori tradicional. Ndonjëherë, për plotësim dokumenti i duhej të deklaronte profesionin e t’jatit, kur i kërkohej nga zyrtarët. Shpesh ndodhte që nuk ia kuptonin angazhimin e të jatit, sepse shihnin një mospërputhje me përgatitjen e tij intelektuale, atëhere Martini për t’i bindur, përgjigjej me krenari përprofesionin e t’jatit, BARI (në gjuhën e kërkuar).
I donte njerëzit e thjeshtë dhe ndiente dhëmbje për malësorët trima e punëtorë, që sistemi i shtypjes i kishte ndrydhun, iu kishte shkatërruar privatësinë, aty ku ishte jeta dhe të ardhurat. Aty ku ishte vendlindja e poetit, që nuk donte ta humbiste kurrë.
''…Në mëngjes kur ngritem/shoh bujqit e natës të ndrydhun/prej peshës së trupit tim e më dhimben…''
E shihte të natyrshme lidhjen e njeriut me tokën si burimi më i sigurtë i ekzistencës, me bagëtinë, pyjet e kullotat, me bjeshkët dhe burimet e ujit kristal, ku ai i kishte shkelur e përjetuar me bagëtinë: ''Nji plak, që lopët i ruente pror’me mue/Më shikoi me plot deshirë/E m’tha gëzueshëm: “Po qenke zhvillue/Qe, besa po m’vjen mirë!''
Martini deri sa shkoi në kolegj, ishte çoban, me këto shërbime blegtorale a bujqësore familja siguronte jetesën. Zonja e tij Erika tregonte: ''Martini në fëmijërinë e tij kishte si detyrë të kulloste lopët. Ai kishte mësuar vetë shkrim e këndim. Njëherë i hutuar pas leximit e harroi detyrën që kishte dhe njera nga lopët ishte larguar dhe kishte rrëshqitur në humnerë.'' (citim nga Znj. T. Radi).
Martini nuk e harroi dëmin që pësoi familja me shumë fëmijë, por edhe librin e konsideronte si gjënë më të shtrenjtë edhe pse ishte10 vjeçar. Dihej, se misionarët e religjionit katolik bënin shumë përpjekje për mësimin e gjuhës dhe përhapjen e librit shqip në zonat e thella, por libri më i lexuar për Martinin isht urtësia e malsorëve. Kur i erdhi koha Martinit të shkruante, i kishte në mendje t’i zhvillonte ato fjalët me peshë në shprehjet tradicionale të vendlindjes: ''Dy gjana print më than’kur ishin gjallë. Ndëgjo, ti djalë, pse na jemi pleq. Poqese se shkel ti bukën gand, çoje prej dheut e puthe e vene në ball''…pra '' mos shkelni n’bukë''…
Martini nuk pati fëmijë, por ishte i vendosur që urtësinë e pleqve t’ua transmetonte breznive. ''Por bij t’mij un kam me u thanë tu ‘u rritë''. Ai do të tregojë çfarë kishte parë e dëgjuar në malësi nga të urtët:
''…Djersa i pikon curril n’për ball me rrudha,
E dora e mokna shkojnë e vijn’ me kohë,
Kasolla dridhet, zani i ushton te udha.
Shtegtarin t’grishin mjetet tona t’shohë.
Hallall t’qoft’ buka, plak, kjo buk’fitue me gjak!''
Shembulli i plakut ''kjo buk’fitue me gjak'' nga një proces pune i vështirë, në kushte primitive, plotësohet nga poeti me porosinë e pleqëve ''mos e shkelni bukën''. Një mësim me vlerë edhe për sot, në kulmin e teknikës moderne por me ngjarje të hidhura të luftimeve me humbje njerëzore; shikon fëmijë e të rritun në vende me zjarre lufte, që ngrejnë duart lart, për me marrë një copë bukë. Këte eksperiencë e kanë kaluar popujt në periudha të vështira lufte, epidemie, zjarri,termeti, prandaj mençuria e malësorëve tanë që betohen ''Pasha bukën'' si për jetën, ka një shtrirje kohore sa vetë historia shekullore. Betimi merr përmasa universale, është lutja e poetit që të mos kthehemi përsëri te ''mokna e plakut'', që të fillojë njerëzimi nga e para.
Fjalët e poetit vijnë si një premtim për t’ia transmetue brezave porositë e plakut, për zakonet e vyera që i mbijetuan shekujve e këto vijnë në kujtesën e poetit: ''Dheu im asht i përmendun për humnerat e thella ndër banorët e malit e të fushës deri në det'' (Dita e malit tim).
Martini qëndrimin e pati në Europë dhe nuk pati mundësi komunikimi me bashkëvendasit e origjinës. Këte ngrohtësi kërkoj ta gjente te vëllezërit e gjuhës dhe të gjakut në Dardani, por edhe ata të ndarë nga trungu dhe të ndaluar të kalonin kufijtë brenda truallit vet. Ata së bashku kishin jetuar, luftuar dhe fituar shumë beteja, por padrejtësisht i kishin ndarë fuqitë e mëdha. Martini, aty te bashkëkombasit e gjeti mbështetjen dhe aty, në Prishtinë u botuan veprat e para (''Nji fyell ndër male'', 1953; ''Kanga e vërrinit'', 1954).
Martini u lidh me shqiptarët e diasporës, kudo ku ishin larg apo afër (''…kush endet ma e ma në jug /në verë, ndihet i lum/në kthjellësinë e idhtë/edhe nëse pa gjuhë/...nga poezia Diasporë). Këte e fakton korrespondenca, letrat vëllazërore si me E. Koliqin, A. Pipen, M. Krujën. Ata kishin marrëdhënie të përzemërta, në ndihmë të njeri-tjetrit, këmbenin libra artistikë, historikë, fjalorë e revista, bënin kritika për veprat e botuara, në shërbim të kulturës dhe gjuhës shqipe. Megjithatë Camaj nuk nguronte të udhëtonte larg vendbanimit për të hequr mallin e atdheut të mohuar. Shkonte te arbëreshët, në vendbanimine De Radës, ku deti e ndante me brigjet e tokës mëmë dhe ku dallgët i sillnin aromën e vendlindjes. Atje nuk qëndronte për një vizitë malli, por hulumtonte dhe studionte, në veçanti gjuhën e dialektet e arbëreshëve të Italisë, aty ku ishte i përqëndëruar në kërkimet akademike.
Kur u vendos në Gjermani, zgjodhi një vend për të jetuar, që kishte shumë ngjashmëri me Dukagjinin. Në një krahinë malore në Lengriz ndërtoi shtëpinë me oxhak e oda shqiptare, ku priti e përcolli ashtu si bahet ndër malet tona.
Prof. Pipa pati fatin ta vizitonte: ''Te kjo shtëpi bujtën miq e dashamirë, por edhe të huej…Në atë dhomë burrash, në katin përdhes të shtëpisë së tij, edhe unë kam patur nderin të ulem këmbëkryq e të bëj muhabet me Martin Camajn.''
Pasuria më e vyer për Martinin ishte kur siguroi Lahutën, atë instrument të lashtë të tradites. E dinte, se në malësi, jo të gjithë dinin të këndonin si lahutarët, por këngët e tyre me histori heronjsh i dëgjonin e i mësonin breznitë si shenjë burrërie dhe frymëzoheshin për vepra trimërore.
''Burrat të fort’si shkambi, asht, si nye
Gjoksin dhe mollzat kanë,
Guximi dhe burrnija u shndrit në sye
Edhe nji shpirt i gjanë''.
Aty ku mblidheshin burrat zemërgjanë nuk mungonte Lahuta dhe vallja e trimave. Ndaj Martini i thuri vargje instrumentit të lashtë dhe valles së Rugovës, gjithmonë me mendimin se ''nipat e mixhës do ta ringjallin me tinguj këngën e re'' dhe në valle ''kamba e tupani çajnë tokën e me duer vrikllojmë na shpatat…''
Për dijeni Martin Camaj nuk arriti ta mësonte çmimin special Europa Nostra për Lahutën Shqiptare nga BE më 2016. Edhe pse Lahuta shqiptare ishte në prag për të hyrë nën mbrojtjen e UNESCO-s, gjithçka ndryshoi, pa asnjë argument; vlerësimi i kaloi Guslës Serbe ku përfshihej padrejtësisht Lahuta Shqiptare. Për vjetërsinë e këtij instrumenti shqiptar dëshmon shkencëtari dhe studiuesi i historisë së artit, Prof. Ramadan Sokoli, i cili ka shkruar se Lahuta Shqiptare është e pikturuar në një afresk në Manastirin e Deçanit, manastir i ndërtuar para ardhjes së serbëve në Ballkan.
Kur sillte në kujtesë tingujt e lahutës, përpiqej të luante vetë në instrument, në kujtim të rapsodëve të vjetër: ''Lahuta pushon në tra/Si gishtat e mixhës tash/Por n’shpirtin e nipave mbet/një tingull për kangen e re.''
Martini po aq trimërohet me vallen e Rugovës aty ''ku vrikllojmë shpatat dhe ushton kanga trimërore'', kërkon që ritmi i valles tradicionale të jetë në vazhdimësi dhe kurrë mos të ndalet. E bukura e trashëgimisë kulturore e tërheq, e ngazëllen, ndaj mbetet thjesht qëndrimi i një malsori shqiptar.
Valle Rugove
Shkyenje qillin, zurla,
E kaltërsia e sferave të nalta.
Le të bijë mbi ne si shi.
Kamba e tupani çajnë tokën e me duer
vrikllojmë na shpatat e me duer sutat
në mal i kapim në pikë të vrapit.
Mos e ulni zanin, kangtarë, pse më bjen
ndër gjuj lodhja e moteve dhe ritmi i ndalun
dyshë m’a ndan krahnorin.
Dr. Rugova i Dardanisë ia njohu shpirtin krijues e hulumtues Prof. Camajt, si melodi rrapsodish, e njohu më shumë si albanolog-shkencëtar. E ftoi të bashkohej në vallen e kuvendeve për kulturën shqiptare. E mirëpriti Prof. Camaj ftesën vëllazërore për këte qellim nga Kryetari, dr. Ibrahim Rugova në emën të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës të merrte pjesë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare që zhvillohej në Prishtinë, në gusht të vitit 1990. I entuziazmuar prej ftesës ai shpreh kenaqësinë:
''Të shoh përsëri Kosovën, mbas 36 vjetësh, si po thoni. Për mue, si vetje, kjo ka kenë nji ndër përjetimet ma të prekshme të kohëve të fundit. Atje m’janë botue veprat e para letrare. Tepër prekëse qe pamja e Fushës së Kosovës, Kaçanikut etj. Por të trishtueshme rrethanat. Para 36 vjetësh kur kesh së fundi në Kosovë rrugët dhe vendbanimet ishin të mbushuna përplot me njerëz të armatosun. Ishte në zhvillim e sipër nji aksion famëkeq, që ka mbet në kujtesë tek kosovarët edhe në anale me emërtimin “Mbledhja e armëve”. Gjithashtu edhe në gushtin e vitit 1990 po ajo skenë. Ushtarë të rinj, kësaj here, të armatosun deri në fyt nëpër rrugë e kudo tjetër. Por na bamë punën tonë. Në Universitet mbahej Seksioni Shkencor Albanologjik që pati për temë të përgjithshme ndërlidhjet e kulturës shqiptare me kulturën evropiane, mbi të cilën folën edhe të huej edhe nga Evropa Perëndimore e Lindore që merrnin pjesë në Konferencë. Unë fola për letërsinë arbëreshe. Kuptimplotë ka qenë në ato rrethana të vështira për Kosovën që kongresistët e huej disi qenë të shtërnguem të pyesin: “A jemi në Evropë, a ku jemi?”. Gja që e kam prit tash 37 vjet”. (“VOA” – transmetuar më 2 shtator 1990).
Camaj kishte një fisnikëri të dallueshme, i studionte shkrimtarët dhe letërsinë e realizmit socialist, edhe pse nuk ishte entuziast për këte rrymë letrare. Ishte i vetëdijshëm kur analizonte veprat e shkrimtarëve për t’ia nënshtruar kritikës letrare, si Dh. Shuteriqi, L. Qafëzezi, P. Marko, D.Agolli, I. Kadare… nuk kishte tendenca negative që t’i paraqiste veprat e tyre si të parëndësishme, kur ata e kishin të ndaluar të lexonin veprat e tij. I mirëkuptonte shkrimtarët që shkruanin nën trysninë e ideologjisë së imponuar. Për këte shprehej: ''Përmbajtja socialiste dhe forma kombëtare, shkrimtarëve shqiptarë u kërkohet që në mënyrë skematike të ndërtojnë figurat statike, një lloj skematizmi, që paralizon të rinjtë dhe mbyt çdo përpjekje të tyre për krijimin e tipave të gjallë e të vërtetë të botës shqiptare''… ''Shkrimtari sado i madh të jetë, me këto pafta të gjana në tamtha t’kres detyrohet të shikojë vetëm në një drejtim dhe nuk e ka të lehtë të gjejë trajta dhe mënyra të përshtatshme që të shprehet artistikisht.''
Camaj shpresonte në ndryshimin, ishte i bindur që veprat e tij do të lexohen një ditë, në vendin e origjinës. Në vargjet e poezisë ''Vendit tem'' është shpresëmirë, që veprat e tij do t’i shërbejnë shoqërisë shqiptare edhe pas vdekjes: ''Kur të vdes, le të bahem bar/Në malet e mia në pranverë/Në vjeshtë do të bahem farë/Kur të vdes do të bahem ujë/E fryma ime avull/Në fushë do të bie shi/Kur te vdes, le te bahem gur /Ne skajin e vendit tim/Te qindroj kufi.''
Dr. Robert Elsie e përktheu në anglisht poezinë e M. Camajt ''Vendit tem'' (My Land) sepse e lidhte dashuria që kishte për Shqipërinë, toka në të cilën prehet përjetësisht. (Albanologu kanadez Robert Elsie (1950-2017), pati një lidhje 40-vjeçare me Shqipërinë, botoi 60 vepra dhe shumë artikuj shkencorë. E pagëzuan Ambasador i kulturës shqiptare në botë. Ishte Ambasador i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës ndër vite me radhë. Pjesëmarrës në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë, dhe Kulturën Shqiptare, i vlerësuar me tituj të lartë honorifikë në të dy anët e Shqipërisë. Amaneti i tij u plotësua. U varros në Theth, mes Alpeve, ku pushon në amshim.)
My Land
When I die, may I turn into grass
On my mountains in spring,
In autumn I will turn to seed.
When I die, may I turn into water,
My misty breath
Will fall onto the meadows as rain.
When I die, may I turn into stone,
On the confines of my land
May I be a landmark.
Sa qe gjallë, veprat letrare të Prof. M. Camaj përbrenda kufijve të cunguar ishin të censuruara. Kulmi ishte që edhe për studimet shkencore albanologjike të tij evitoheshin takimet me personalitete të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në një takim në Austri, Kryetari i Akademisë së Shkencave Prof. Aleks Buda, iu shmang Camajt, kur i ofroi studimet albanologjike të vetat. Ishte e kuptueshme se sa të penguar ishin nga politika edhe për studime shkencore. Më 1972 në Insbruk të Austrisë, në një kongres të Albanologjisë ishin të ftuar Prof. Çabej me shkencëtarë të tjerë shqiptarë. Delegacioni shqiptarë mori njoftim se nuk do të merrte pjesë në kongres në se ishte i pranishëm M. Camaj. Prof. Martini edhe pse ishte kritik ndaj regjimit, me mirësjellje u tërhoq, që t’u hapej vendi kolegëve nga Shqipëria. Ai ishte studiues, shkencëtar, i jepte prioritet studimeve të Albanologjise dhe jo politikës së mbrapshtë.
Për këte shprehet: “Arsyeja që në Shqipni qysh nga fillimi u ndaluen veprat e mija letrare asht e qartë. Ma së pari këto vepra nuk ishin në rrymën e realizmit socialist, dhe fare të ndryshme nga autorë të tjerë të kohës dhe të lidhuna ngushtë edhe me traditën. Prandaj veprat e mija në Shqipni nuk mund të kanalizoheshin me kurrnjë mënyrë në kohën, e në intencionet e qëllimet e një letërsie të kontrollueme qind për qind.”
Në kundërshtim me ate ideologji, vazhdonte të publikonte krijime bashkohore përendimore, duke ruajtur origjinalitetin krijues. Pas rënies së komunizmit, Prof. Camaj ishte në fund të jetës nga sëmundja dhe nuk arriti të merrte kënaqësinë e vlerësimit, njohjen e veprimtarisë tij në atdhe. Në ato kushte përsëri nuk mendonte të fajësonte politikën, por besonte në ndryshimin, këte e shpreh me bindje: “natyrisht, gjendja ka ndrrue me strehimin e shkrimtarit të shquem Ismail Kadare në Francë”.
Fama e Camajt ishte konfirmuar më herët, jashtë rrethimit të hekurt. Prof. Pipa në vlerësimin e Camajt sheh poetin e madh: “Martini ashtë përfaqësuesi ma i naltë i kulturës shqiptare. E them këtë jo vetem sepse ai ashtë nji poet, poeti ma i madh që ka Shqipnia sot, por edhe për cilësina të tjera intelektuale të tij. Sikurse e dini, Martini ka qenë editor i nji reviste, “Shëjzat”, që ashtë revista ma e madhe në kohnat e vonshme. Martini ashtë edhe linguist, nji njeri i cili i ka dhanë Albanologjisë ndoshta si pak vetë të tjerë, sidomos në fushën e gramatikës dhe të dialektologjisë. Martini ka nji emën shumë të randësishëm si pedagog.”
Këto vlera të poetit, ishin ndaluar të njiheshin në vendin e vet nga ata që persekutuan më shumë veriorët, ligjet e malësisë, gegënishten, religjionet, por Camaj nuk u përgjigj me urrejtje, sepse kërkonte afrim e bashkim: ''Avitu, njeri! Më falni diçka…si puthja e nanës në ballë!''
Kërkonte diçka në emër të dashurisë njerëzore, të lartësonte humanizmin me dashuri larg urrejtjes.Me këte përkushtim, Camaj si bashkohës në zhvillimet e letërsisë shqiptare brenda dhe jashtë Shqipërisë paraqiti një studim në tre drejtime:
''Në këto dyzet e ma shumë vjet, ma vështirë se askush për një zhvillim normal e patën dhe e kanë autoret mbrenda shtetit shqiptar. Përmbledhtas mund të thuhet se Letërsia e Realizmit Socialist, me pak përjashtime, dhe përjashtimet ma të shqueme mund të mbahen veprat e Kadaresë, kanë nji model ku individualiteti i autorit nuk del në pah. Kështu kemi të bajmë me nji profesionalizëm si pasojë e burokratizimit të autorëve. Mosdallimit të talentit nga autori i patalentuem, etj., etj. Letërsia kosovare ka pasë, përkundër, nji zhvillim të natyrshëm. Autorët kosovarë kanë kërkue gjithmonë kontekst edhe me autorët shqiptarë të perëndimit. Për luejtjen e nji roli të shkrimtarëve dhe të inteligjencës në përgjithësi, për ripërtrimjen e shoqnisë, sidomos në Shqipni, mvaret edhe prej bashkëveprimit të këtyne tri degëve të inteligjencës shqiptare në botë. Ky asht edhe qellimi jonë që nji ditë prej ditësh, domethanë pakspaku të vimë në kontakt, të diskutojmë me njani-tjetrin edhe për probleme jetësore të popullit tonë. Ky asht edhe amaneti kryesor i rrymës edhe ideologjisë së Rilindjes Kombëtare. Se çfarë roli mund të luejnë ato shtresa të inteligjencës dhe shkrimtarëve në Shqipni, sot për sot nuk jemi në gjendje të japim përgjegje. E, natyrisht, gjendja ka ndrrue me strehimin e shkrimtarit të shquem Ismail Kadare në Francë. (“VOA” - transmetuar, 25 nëntor, 1990, marrë nga gazetari Idriz Lamaj)
Kadare shkruan për Prof. M. Camaj kur u takuan në Mynih: ''Ishim aty, në atë sallë të zhurmshme, shkrimtarë të të njëjtit vend e të së njëjtës gjuhë, por të largët si dy qenie, më saktë, dy fantazma të planetëve të ndryshëm. Ishim dy Filoktetë, gjithmonë me të njëjtën plagosje të njohur të pashërueshme, njëri që e kishte atdheun, por jo lirinë, tjetri, me liri, por pa atdhe. (I. Kadare nga takimi në Mynih)
Që nga largimi nga vendlindja, Martini nuk mundi të shihte edhe një herë të dashurit e zemrës, e tokën mëmë, ndaj i malluar i drejtohej lule Mimozës: ''O ti mimozë e re, bartse kujtimesh/mes stinëve dhe e pa stinë, çka të baj me kthye te ti dhe ‘i herë?''
Por s’qe e thanun që Martini të vinte njëherë e të përkulte kokën në prehërin e lokes… siç shprehej për nënën e tij ''Je barrë e vrame në parzmin tim''. Para se të shuhej në moshën 67 vjeçare (12 mars 1992) la fjalët e fundit: “Të dashun miq e vëllazën shqiptarë, intelektualë, artistë dhe mbarë populli shqiptar, përshëndetjet e mija ju janë drejtue të gjithëve. Gëzohem pa masë se keni vendosur të vlerësoni veprën time. Ky vlerësim na afron. Batë burrninë të më shtini në rreshtin tuej. Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt.” (7 Mars 1992)
Trashëgimia kulturore e Martin Camajt dhe e shumë dijetarëve që e mbyllën jetën në mërgim është një kontribut i vyer për njohjen e identitetit të popullit shqiptar dhe të gjuhës shqipe në botë. Camaj studiohet sot në gjithë formimin e tij, si poet, shkrimtar, kritik i procesit letrar, editor i ‘’Shejzave’’, studiues i letërsisë së vjetër shqipe, autor kërkimesh dialektologjike dhe si shkencëtar-albanolog. Përvjetori i njëqindtë do të nxisë akoma më shumë studiues të hulumtojnë në minierën e artë të krijimtarisë letrare dhe në shkencat albanologjike. Martin Camaj radhitet me kolosët e kulturës dhe të artit shqiptar ndër shekuj.
© Pertefe Leka - New York











