Nga i kemi shkrimtarët? - Dashnor Kokonozi
- Published in Kulturë

Fenomeni reduktues i etiketimit gjeografik
Çdo ditë shoh një fenomen që nuk e kam kuptuar kurrë: përdorimin e shpeshtë të koordinatave gjeografike të vendlindjas për të identifikuar shkrimtarët si të tillë.
Poetja përmetare që sapo lexova sot, studiuesi i shquar nga Rogozhina, vjershëtori nga Kavaja, prozatori i njohur tropojan, poeti zë "bylbyl" nga Lezha, kanarina dukaqote që ligjëron në katërrokësh, romancieri tronditës nga Durrësi, rapsodi i manave të Drenovës, zhgabonja e baladave që të bëjnë të qash nga Piqerasi, bardi i madh nga Karavastaja, skifteri i Kuçit e zëmadhja e lirikave të Tërbaçit...
Perspektiva e shkrimtarit
Jam i bindur se personi vetë për të cilin flitet e identifikohet me katundin apo qytetin e tij, ai vetë me të drejtë ushqen idenë se është një poet, krijues dhe shkrimtar shqiptar. Dhe me shumë të drejtë, përsëris.
Frustracionet e të tjerëve
Në fakt, e kuptoj disi përse ndodh kështu dhe e interpretoj si shprehje e frustacioneve jo të vetë shkrimtarëve, por të atyre që i paraqesin ata në këtë mënyrë të thjeshtëzuar.
Shoh se në emërtesa të tilla fshihet keqardhja e pakuptueshme e vetë atyre për vendlindjen (përgjithësisht janë "patriotë" të shkrimtarëve në fjalë). Duke i dhënë "pasaportizim në fshat" krijimtarisë së tyre, rehabilitojnë ca veten duke thënë se vërtet kanë lindur aty ku kanë lindur (gjë që për mua nuk nënkupton asgjë të keqe), por nga fshati i tyre është edhe filan vjershëtor gjeni. Dhe në fshatin që lind të tilla talente, detyrimisht nuk janë edhe ata vetë pa vlera të spikatura. Pra, kordinatën GPS me të cilën identifikojnë të tjerët, realisht e shtojnë si medalje në gjoksin e tyre.
Reflektimi personal
Është tjetër gjë kur shkruan ngushtësisht biografinë e dikujt. Kadareja ka lindur në Gjirokastër, dhe diku kjo duhet thënë si informacion, por më vret veshin kur dëgjoj të thonë, “shkrimtari gjirokastrit Ismail Kadare”. Bile, një herë në bisedë më të në Paris, po tregonte se kishte vënë re në mjaft veprimtari që Franca paraqitej me Kunderën dhe me të, Ismailin. Gjë që e interpretova se nuk do të kishte asnjë kundërshtim edhe po ta cilësonin si shkrimtar francez, që nuk i heq asgjë origjinës së tij shqiptare. Se me të vërtetë do t’i bënte nder Francës mjaft më shumë se shumë nga ata që kanë lindur aty. (Nejse, kjo thënë kalimthi.)
Dëmet e këtij fenomeni
Kur lexoj një roman të Arbër Ahmetajt kurrsesi nuk e lexoj si një kreshnik tropojan por si një prozator të mirë. Po ashtu edhe për poetin Balil Gjini nga Berati, Odise Koten apo Virion Graçin, romancierë nga Gjirokastra, Zhiti nga Durrësi etj. (Mbetet për t’u diskutuar rasti i poetëve dhe prozatorëve që shkruajnë shqip dhe banojnë jashtë Shqipërisë londineze, por mbase duhet aplikuar praktika që u përdor për Nolin etj.)
Jam i bindur se nuk i bëjmë nder letërsisë duke e parcelizuar në sektorë rajonalë.
Një shkrimtar, edhe kur shkruan për fshatin e tij, ai shpreson t'i shpëtojë fatalitetit të identifikimit me të, pra që vlerat e tij letrare të mos përfundojnë te kroi në të dalë të fshatit, por të paraqesë fshatin e tij si pjesë e universit letrar.
Përjashtimet dhe arsyet e tyre
Mund të ndodhë edhe në botë, siç po lexoja një biografi të çmimit Nobel, F. Mistralit. Por kjo sepse ai ka shkruar jo në frëngjisht por në gjuhën provensale, një dialekt ky i oksitanishtes. Dhe ai me të drejtë quhet autor provensal (jo provincial, se është tjetër gjë).
Përfundimi
Kur lexoj një autor që më pëlqen, unë nuk e lexoj si shkrimtar lekbibas, por si një autor shqiptar.
Ne jemi andej nga jemi për njëmijë rastësi, sa kohë që të qënit shkrimtar e kemi zgjedhur vetë dhe bashkë me të edhe gjuhen e përbashkët shqipe.
Një shkrimtar që shkruan në gjuhën shqipe është shkrimtar shqiptar.
© Dashnor Kokonozi - Francë