Letërsi

Paragjykimi nuk i zhbën dot vlerat letrare - Nga Vangjush Saro

Në letërsi dhe arte, flitet e shkruhet duke pasur për bazë kritere e terminologji të disiplinës përkatëse. Por në vështrimin tim, fjala e përdorur në këto radhë nuk është krejt pa vend dhe as jashtë kontekstit aktual; kjo edhe për shkak të gjendjes ku jemi e në të cilën paragjykimet shpesh janë në plan të parë. Ato janë shfaqur dhe (ende) shfaqen me shumicë edhe në letërsinë dhe artet tona, çuditërisht duke gjetur terren për të kërkuar më shumë nga sa u jep emërtimi që kanë.

Duhet të them që në krye të këtyre radhëve se paragjykimet janë produkt bindjesh të paplota dhe emocionesh që nuk gjejnë dot udhë… Për fat të keq, ata gjithnjë shtyhen të zënë vend atje ku duhej të ishte (dhe rëndom është) mendimi, përshtypja, termat përkatëse të artit. Megjithatë, paragjykimet kanë qenë dhe mbeten pjesë e botës sonë të vogël; dhe kjo nuk është aspak një litotë. Sot, bie fjala, paragjykohen letërsia dhe arti i “kohës tjetër”; sikundër dikur, pra në “kohën tjetër”, është paragjykuar letërsia e ca dekadave të mëparshme; (Fishta, Koliqi, Konica, etj.)

Në kohët më të vështira për Letërsinën dhe Artet, ishte normë, madje një lloj ngazëllimi… ndalimi i librave, i shfaqjeve, i tablove, heqja e tyre nga qarkullimi; gjithnjë kur dukej se ato i qaseshin pak si tepër realitetit. Por njëherësh, e gjithë kjo pabesi ndaj artit, vinte edhe si një lloj paragjykimi. Dhe në rrethana të caktuara, paragjykimi fitonte mbi termat profesionale. Përbindëshi, Tuneli, Zhurma e errërave të dikurshme, Qyteti i fundit, Ata të dy dhe të tjerë, Kur qesh tërë qyteti, ishin vetëm disa nga titujt që u ndaluan, më së pari duke u paragjykuar. Kritika “profesionale”, në ata raste dhe në gjithë sa do të themi më poshtë, bënte sikur përdorte terma letrarë; por ajo thjesht paragjykonte. Drama “Pamje nga ura” (e dramaturgut amerikan Artur Miler, vënë në skenë nga Piro Mani në teatrin “Çajupi” të Korçës,) u shfaq, më pas u ndalua. Në vitin 1964, drama “Rrethimi i bardhë” e Naum Priftit, (regjisor po Piro Mani) u shfaq, u prit mirë, u ndalua. Po ashtu, drama “Dueli” e Qamil Buxhelit. Në 1969, drama “Njollat e murrme” e Minush Jeros, regjisor Mihal Luarasi, u shfaq plot sukses, iu dha në Tiranë Flamuri i Takimit të Teatrove Profesioniste, pastaj i lëshuan munxat…

Sigurisht, për të përligjur fatin e veprave të ndaluara, siç u tha edhe më lart, kërkohej së pari pikërisht shërbimi i kritikëve letrarë apo drejtuesve të gazetave e revistave. Më shumë sesa një vlerësimi letrar, përdhunshëm apo me dëshirë, gjithçka i nënështrohej paragjykimit: që (vepra) është e gabuar, me shenja ashtu dhe kështu, me figura letrare të dyshimta, me episode të ideologjie tjetër. “Kënga” ishte vërtet për të vënë duart në kokë. Për më keq, paragjykimi hapte rrugën edhe për përndjekje sociale ndaj autorëve; (dhe kjo u tha disi butë). Në gjithçka që ndodhte aso, shkeleshin me këmbë parimet dhe ndjesitë njerëzore e jo më ato profesionale apo artistike.

Kjo është një histori me shumë lëndime. Për arsye që edhe kanë edhe s’kanë të bëjnë me artin, në këto radhë nuk do t’u qasemi atyre rast pas rasti. (Mund të mos jemi në gjend

je a në humor të dallojmë vlerat letrare nga pasionet e nëpërkëmbura, fatet vetjake, por edhe dështimet.) Ani. S’mund të anashkalojmë faktin që, çuditërisht, autorët më të njohur, edhe nëse nuk janë përndjekur - në kuptimin më të ngushtë të fjalës - kanë qenë dhe mbeten më të paragjykuarit. Dhe përtej lojës me termin jashtë radhe “paragjykim”, gjëja më e padurueshme është kur fjalët zëvendësohen me duhi patetizmi apo, për më keq, përzihen me zilinë, me shpifjen, me vrerin; dhe këtu, mbyllen kufijtë e teorisë së tekstit, të kritikës letrare apo estetikës. Në këto raste, ka vetëm mjerim.

S’është e re të themi se jo pak autorë janë lënduar kësisoj; më së pari, ai që edhe është “i pari” ndër ne, më i njohuri dhe më i përkthyeri nga të gjithë shkrimtarët shqiptarë. Mbaj mend, në fillimet e asaj që ne e quajtëm Demokraci - por që u shfaq e po shfaqet me shumë probleme - gjer edhe ndonjë ambasador e sulmoi dhe shpifi për të asokohe; oh, çfarë shteti, çfarë kombi (!) Paragjykimi mëtonte të shuante çdo lloj vlere. “Kënga” mbase ende këndohet nga një sërë mjeranë, që s’e gjejnë veten kurrkund, përveçse duke urryer e sulmuar ata që vërtet shkëlqyen.

***

Ndërkaq, e gjithë periudha e quajtur Tranzicion, heraherës “merr hua” trajtat dhe ligësitë e një paragjykimi të pangopur e të pavend, këmbëngulës gjer në marrëzi. Paragjykohen filmat e krijuar në rendin e shkuar; paragjykohen tematikat që për shkak të rrahjes dendur kanë humbur interesin; paragjykohen zhanre si Humori e Satira, apo Letërsia për Fëmijë e të Rinj; paragjykohen autorë që nuk janë të bujës, që s’duken shumë aktivë në jetë, në media e në rrjete; e kështu më tej. Këtu, nuk bëhet fjalë as për parime, as për terma të tekstit apo letrave në përgjithësi; bëhet fjalë thjesht për paragjykime “të ngritura në art”.

Protagonistë të kësaj sjelljeje brutale janë autorë të parëndësishëm, të tillë që fatin e tyre letrar përpiqen ta zbukurojnë duke shkruar e folur keq për të tjerët, qoftë edhe për një kohë tjetër, rregulla e qasje të tjera. Jemi sërish nën prangat e paragjykimit. Çfarë ndodhi në fakt me skemat e dikurshme? Në një pjesë të krijimtarisë së sotme (që nuk u shqua assesi) ato u transformuan. Kështu, nga njeriu i dalldisur pas Partisë dhe Socializmit, u kalua te… njeriu i “dashuruar” me demokracinë dhe që merr pjesë në përmbysjen e rendit; nga puna vetëmohuese për ndërtimin e vendit dhe emancipimin e femrës, te hardallosja gjithfarë; nga mbyllja dhe izolimi pothuaj gjysmëshekullor, te thyerja e të gjithë gardheve e rregullave. Hetuesi, polici, gjyqtari, para vitit ‘90 vizatohen si njerëz të drejtë, korrektë, që vigjëlojnë mbi ligjin, madje, me raste, ndihmojnë ata që mund të bien në gabime ose që janë në rrugë pa krye… Më pas, klisheja kthehet në të kundërtën e vet; këta, pa përjashtim, pasqyrohen si katilë, si kriminelë, si bisha. Madje me tonet më të errëta “vizatohen” edhe intelektualët që gjenden në një punë të caktuar, drejtuesit e pushtetit, gjer edhe drejtorët e shkollave (!)

Duke dashur të mbetemi në temën e këtij shënimi, besoj bëhet e qartë se si paragjykimi ngre kokën dhe mëton të imponohet sërish; edhe pse koha e ka kthjelluar qiellin e trazuar të jetës dhe të artit tonë. Nuk janë të pakët autorët që nuk kanë kuptuar asgjë nga çfarë ndryshonte dhe ndryshon mes paragjykimit dhe termave letrare, që nuk kuptojnë apo bëjnë sikur nuk kuptojnë se paragjykimi mund t’i sfidojë vlerat, mund të pengojë shfaqjen e tyre, por nuk ia del t’i zhbëjë ato. Njerëzit që adhurojnë paragjykimin përpara termave letrare apo kritereve aso, janë të fiksuar e të mposhtur nga trazime shpirtërore e profesionale. Prirja e tyre e papërmbushur është t’u dëgjohet fjala me doemos; ta trishtojnë publikun e gjerë me atë që ata vetë e ndjejnë si vrer; të jenë vend e pa vend në ekran e gazeta për të dhënë “versionin” e tyre për çdo ngjarje, artistike apo jo, patjetër edhe për çdo çmim dhe “risi” në letërsi - po, vetëm ata apo ato… mund të vendosin - kush ka qenë, kush është dhe kush do të jetë, e kështu më tej (!)

Ndërkaq, këta të pafat, përpiqen t’i veshin (mos)arritjet e tyre me ngjyra “ndërkombëtare”. Dhe ajo që ua zeron zellin, është vetë komunikimi mes palëve të interesuara në soj-soj ngjarje (letrare?) të sajuara; diçka për të ardhur keq. Ja një përgjigje kallpe nga blogje, individë mashtrues, teksa duket menjëherë çfarë çorbe është dhe se si të gjithë “të përzgjedhurve” u dërgohet i njëjti tekst (dhe kërkohet e njëjta pagesë). Teksti thotë: “Vepra juaj u shqyrtua mes qindra hyrjeve të jashtëzakonshme, dhe mesazhi juaj u ngjit në majë. Kjo njohje është më shumë se një renditje - është një reflektim i ndikimit që zëri juaj ka pasur mbi lexuesit, mbi panelin gjykues dhe mbi botën e liderëve të mendimit. Ju keni bërë diçka që shumica e njerëzve vetëm e ëndërrojnë: keni shkruar një libër të fuqishëm, keni vendosur të vërtetën tuaj në letër, dhe keni krijuar diçka që ka prekur të tjerët. Kjo nuk është një gjë e vogël. Ky është momenti i fitores tuaj.”

Ç’farsë! Mjaftojnë stili patetik dhe hiperbolat komike të kësaj letre-përgjigje për të kuptuar se ç’po i bëhet Letërsisë dhe publikut. (Vini re: “Vepra juaj”; “Mes qindra hyrjeve të jashtëzakonshme”; “Mesazhi juaj u ngjit në majë”; “Mbi botën e liderëve të mendimit”; “Keni shkruar një libër të fuqishëm”, etj. Ç’është më e keqja, i mjeri shkrues, e mjera shkruese, u besojnë këtyre proçkave.) Po sjell (krejt pa dëshirën time) edhe frazat qesharake të disa prej recensioneve që paragjykojnë më shumë sesa analizojnë. Shikoni çfarë ndodh kur paragjykimi vihet mbi termat letrare: “Që në titull, na zgjohet kurioziteti dhe presim me padurim të shfletojmë një për një faqet e librit.” Një tjetër paragjykim, por edhe më konfuz: “Për me tepër, ai me modesti thekson se se s’jam kritik, por tek ai shoh një mendje që heton me sy realë, me maturi dhe objektivitet shkrime edhe me vlera dyshimta…” Së fundi, mund të ndodhë që autorët të gostititin edhe veten me paragjykime. Bie fjala, a mund të shkruajë autori për librin e vet kështu: “Romani im që shkaktoi jehonë të thellë te lexuesit dhe Kritika Letrare…” etj. Kërkoj ndjesë. Më duket se me këto të fundit e ula stekën…

Por nuk do të ndodhë asnjëherë që paragjykimi - i të tjerëve, i vetes, i kohës, i çastit - të fitojë mbi termat letrare dhe mbi gjykimin estetik. Paragjykimi nuk mund t’i zhbëjë vlerat. Këtë qiell të shenjtë, koha e kthjellon herë pas here.

© Vangjush Saro - Vancouver