Letërsi

Musa Vyshka, liriku i një kronike intime njerëzore - Nga Vangjush Ziko

Tematika e poezisë së Musa Vyshkës na flet, mbi të gjitha, për vendlindjen e tij, Elbasanin, për portokajtë dhe për kumrien, për bashkëqytetarët deri për plehrambledhësit e qytetit, për dashurinë e parë, për jetën dhe për vdekjen, shkurt për një kronikë njerëzore dhe qytetare.

Poezia lirike e Musa Vyshkës është një poezi e ndërtuar sipas rregullit të poezisë me ritëm dhe me rimë.

Në këtë poezi, të thjeshtë në vështrim të parë, rolin kryesor e luan sistemi i ndërlidhur i gjuhës poetike.

Roland Barthes argumenton se maksimumi që një kritik mund të bëjë, në raste të tilla, është të gjurmojë se si zërat e ndryshëm të gjuhës bashkëveprojnë dhe përplasen me njëri-tjetrin në një tekst, për të përcjellë shprehshmërinë, figuracionin dhe emocionalitetin e saj.

Po e nis me poezinë “Ikja nga Qyteti”:

Kam lënë atje dy portokaj të sapombjellë

Dhe nuk më lanë të shkoj për t’i rritur,

Ika… dhe të gjitha ëndrrat e mia

Rënkimi i tyre çdo natë m’i ka tronditur,

Ika dhe s’di si janë, a po rriten?!

As fëshfërimën e gjetheve s’ua dëgjoj dot…

Dëgjoj vetëm një sharrë e ulurimë shtrigash

Jetë e mot…

Tema e poezisë është e qartë: malli për qytetin e tij të lindjes, që e ka braktisur dhe brenga e mallit, që e mundon pa pushim atë.

“Personazhet” e kësaj poezie janë “dy portokajtë e sapo mbjellë, para se të nisej.

Gjuha e përdorur nga poeti ka një sistem të ndërlikuar të elementëve të saj poetikë. Ky sistem përfshin një numër të caktuar komponentësh, të cilët së bashku krijojnë poezinë.

Gjuha poetike e autorit ndryshon nga gjuha e përditshme, që do ta përcillte këtë ngjarje, sepse ajo, në radhë të parë, është një gjuhë figurative dhe emocionale.

Këtë na e dëshmon tropi i personifikimit të portokajve si qenie e gjallë, që rriten, si fëmijët e porsalindur. Me anën e këtij tropi, figure artistike, na krijon një raport emocional njerëzor. Kjo braktisje i shkakton poetit një brengë, ai është i shqetësuar për “fatin” e tyre dhe i krijon një haluçionacion tronditës, dëgjon “një sharrë. që po i sharron portokajtë dhe një “ulurimë shtrigash”.

Tropi i personifikimit dhe ankthi bashkëveprojnë dhe me figurat e të folurit, bashkëveprojnë dhe formojnë strukturën semantike dhe estetike të tekstit poetik.

Përpara meje kam poezinë “Mbrëmë me ty, sonte pa ty”:

Mbrëmë me ty, sonte pa ty!

Çfarë t'i them hënës që na pret të dy?

Çfarë t'i them shelgut që do ulë dy degë

Përmbi kokat tona me gaz t'i përpjekë?

Si do rrijnë bashkë kjo natë kaq e ngratë

Me natën që shkoi, me natën e artë?

Mbrëmë me ty, sonte pa ty!

Çfarë t'i them hënës që na pret të dy?

E gjithë poezia është ndërtuar në bazë të pyetjes së figurshme, që u drejtohet Hënës dhe shelgut, dëshmitarëve të takimive të tyre.

Është një pyetje poetike e cila krijon një atmosferë intime emocionale, që poeti ua drejton dy objekteve kozmike dhe natyrore të pazëshme, sepse edhe takimet kanë qenë të fshehta. Pyetjet shkaktojnë emocion drithërues te poeti sepse kjo natë e trishtuar nuk ngjan aspak me netët e tjera “të arta”.

Kjo pyetje poetike përdoret nga poeti si një mjet figurativ për të krijuar një thellësi të shumëfishtë emocionale dhe estetike të poezisë së vet.

Poeti me strofën e fundit: “Mbrëmë me ty, sonte pa ty!/ Çfarë t' i them hënës që na pret të dy?”, nëpërmjet të personifikimit të Hënës, duke e trajtuar atë si një qënie me shpirt, e ngre në shkallën më të lartë dhe vetë emocionin që kërkon t'i përcjellë lexuesit. Duke nënvizuar problemin filozofik mbi raportin ndaj dashurisë, njëkohësisht i bën apel ndërgjegjes së lexuesit.

Poezia “Vdekja e Xhemës” ka një strukturë tjetër.

Xhema ishte i zi në ngjyrë dhe në fatin e tij.

Një tufë fëmijësh e bën të lumtur e për të qarë,

Xhema kishte njëzet kazanë plehrash pasuri

Aty gdhinte çdo mëngjes pa u rruar e pa u larë.

Xhema vdiq një mbrëmje papritur e pa lajmëruar,

E varrosën në mëngjes pa fjalime dhe pa ceremoni.

Pastaj shokët e Xhemës ikën të nxituar

Të ndanin kazanët e pasurisë së tij.

Në këtë poezi, pëveç ritmit, rimës dhe metrit, një rol kryesor luan strofa.

Kjo poezi ka karakterin e një poezie “portret” të fshesaxhiut të qytetit.

Poezia përbëhet nga pesë strofa me vargje dyshe.

Në strofën e parë na përshkruan familjen e tij.

Në strofën e dytë na flet për profesionin e tij, fshesaxhi i rrugëve të qytetit.

Strofa e tretë na flet për pasurinë e tij, “njëzet kazanë plehrash”.

Në strofën e katërtë na përcjell lajmin e vdekjes së papritur dhe varrimin e tij.

Strofa e pestë bën fjalë për ndarjen e “trashëgimisë” së tij.

Çdo strofë është një moment i biografisë së Xhemës.

Sekreti i kësaj poezie qëndron në ndërlidhjen e kësaj strukture (forma grafike) me ritmin, rimën dhe figurat artistike, që autori i ka gërshetuar semantikisht dhe estetikisht, duke e veshur gjuhën e përditshme me figurshmërinë dhe emocionalitetin.

Epiteti “i zi” si ngjyrë e fytyrës dhe e Fatit të fshesaxhiut na përcjell trishtimin.

Ngjarja e trondit ndërgjegjen e poetit, e turpëron dhe e revolton ndërgjegjen e tij qytetare për këtë fat dhe mjerim njerëzor.

Ndajfolja “pa”, “papritur”, “pa lajmëruar”, “pa fjalime” “pa ceremoni”, përdoret nga autori për ta thelluar mendimin e indiferentizmit njerëzor ndaj fatkeqësisë; këtë cinizëm e përforcon edhe më shumë vargu dhe folja e vargut: “Pastaj shokët e Xhemës ikën të nxituar/Të ndanin kazanët e pasurisë së tij”.

Ja dhe poezia “Djepi” që na flet për lindjen dhe plakjen e jetës:

“Kam parë një djep që po kalbej në vetmi,

Dhe s’kish fuqi,

T’i largonte krimbat nga trupi.

E s'kish fuqi,

Të kujtonte kë kish lëkundur,

Kë kishte rritur,

E s'dinte po kalbej nga pleqëria,

Apo nga turpi.

E pashë,

Dhe m'u ngul në kokë një mendim.

O zot, mos është djepi im?”

Një poezi me rima fundore oksitone dhe me një skemë metrike, ku gërshetohen me mjeshtëri vargu i gjatë me vargun e shkurtër, si një frymëmarrje me gulçe pleqërie.

Poezia i këndon me nostalgji elegjake djepit, tashmë, të krimbur.

Kjo poezi është një baladë elegjiake mbi ligjin biolgjik të lindjes dhe të plakjes, mbi enigmën morale sfilitëse, që e mundon ndërgjegjen njerëzore, se a e “kishte nderuar” apo e kishte turpëruar djepin, që e “kishte lëkundur”.

Musa Vyshka ka parapëlqyer poezinë e ndërtuar sipas rregullit të poezisë me ritëm dhe me rimë, që lexohet lehtësisht horizontalisht.

Në këtë lloj poezie, e cila, në vështrim të parë, duket e thjeshtë, narative, pa ngarkesë të jashtzakonshme figurative, rolin kryesor e luan sistemi i ndërlidhur i gjuhës poetike polisemike.

Duke ndjekur me kujdes dhe me imtësi stilistikën e Musa Vshkës, arrij në mendimin se poeti ka përdorur me mjeshtëri stilin linear të ligjërimit poetik për të shprehur dhe përcjellë me kujdes dhe drejpërdrejt ndjenjat intime të heroit të tij lirik te lexuesi.

Një lirikë e ktjellët dhe e çiltër në çdo rrokje të vargut të saj.

Poeti Musa Vyshka mbetet një nga lirikët më njerëzorë të poezisë sonë bashkëkohore.

© Vangjush Ziko - Kanada