Rileximi, udhëtim drejt një veteje që është dhe s’është më - Nga Çapajev Gjokutaj

- Nga: Çapajev Gjokutaj
Dje pasdite, meqë sytë i ndjeja të lodhur, nisa të dëgjoj një përmbledhje të librit të Walter Isaacson për Elon Musk. Por nuk qe e thënë të vazhdoja, e kisha të vështirë të përqëndrohesha paçka se Musk, njeriu më i kamur i planetit, është figurë tejet interesante, mbushur me dritëhije që zgjojnë kërshëri.
Diçka më të lehtë, thashë me vete, dhe pa kurrfarë paramendimi tjetër, zgjodha një audio të “Eugjeni Onegin”. E pata lexuar 60 e kusur vite të shkuara, jo aq si detyrim shkollor, por i nxitur fort nga analizat e komentet tërheqëse që na bënte gjatë orës së letërsisë profesori ynë i respektuar, Jorgo Bulo.
Si kaluan disa minuta duke dëgjuar, e gjeta veten të befasuar: vepra që atëmot më emociononte deri në drithërima rinore, tani po më ngjante me një beze të çngjyrosur nga koha. Onjegini, Lenski, Tatiana, Ollga e të tjerë më ngjanin me prototipa të thjeshtuar karakteresh që më pas i kisha njohur në prozën e Tolstoit, Dosotjevskit, Çehovit etj.
Përkthimi i Lasgush Poradecit, që sot e kësaj dite përmendet si dëshmi e punës plot pasion e mjeshtëri të përkthyesve të dikurshëm, po më tingëllonte mediokër. Vargje të tipit: “ndërkaq hëna valonte/ me rreze të ëmbla ndriçonte”, apo “Zakon i vjetër fort/ siç pat mbetur jet e mot/ ndër pjata vjen e shërbehet marmalata/ dhe mbi tryezë plot lezet/ një shishe e mbushur me sherbet” - e pra vargje të këtij niveli krijonin përshtypjen e një pune angari që s’kish kurrfarë gjurme, sado të zbehtë, nga sqima e poetit buzëhollë.
Duke dëgjuar rrëk e zhdrëk, ndjekur nga ngasja ta ndërpres këtu a ta ndërpres atje, dalngadalë e pakuptuar fillova të ndjeja një lloj tërheqjeje po edhe kënaqësie që sa vinte e bëheshin më ndikuese.
Kur m’u desh të bëja një pushim nisa të vras mendjen: ç’e shkaktoi atë kalim nga indiferenca tek pëlqimi, kalim që ndodhi vetiu dhe pa pritur e pa kujtuar. Ka të ngjarë që është dukuri jo thjesht estetike, po më shumë psikologjike, mendova.
Kishte të ngjarë që duke u zhytur në botën e “Eugjeni Onjegin” të më ishin ringjallur ndjesi që i pata përjetuar në vitet e largëta, kur isha djalë mustaqe padirsur, siç e thotë populli. Është afërsisht e njëjta gjë që të ndodh me një këngë a melodi të vjetër, që e ridëgjon vite a dekada më pas: veç melodisë zë e përjeton edhe ndjesi e emocione që i ke përjetuar dikur.
Neuroshkencëtarët thonë se qendra të trurit, të përfshira në përpunimin e muzikës (si korteksi dëgjimor) janë të lidhura ngushtë me ato të përfshira në kujtesë dhe emocione (si amigdala dhe hipokampusi). Fakti që tekstin e “Eugjeni Onjegin” po e perceptoja me veshë dhe jo me sy, si zë dhe jo si shenjë tekstore, patjetër që e bënte edhe më të fortë ringjalljen e përjetimeve vetiake të dikurshme.
Po edhe nostalgjia dukej se kishte bërë punën e vet. Psikologët thonë se kthimi pas, në vende të largëta dhe kohë të perënduara, më shumë se real është sendërgji. Në fakt, kur jemi të ngërthyer nga nostalgjia, nuk përjetojmë realitetin e dikurshëm, por ringjallim ndjesi dhe emocione që i kemi ndjerë atëhere dhe i ruajmë qoftë edhe si fosile brenda nesh. Thënë ndryshe, kur rilexojmë a ridëgjojmë, përveçse udhëtojmë në kohë dhe vende të largëta, bëjmë edhe një kthim tek vetja e dikurshme, një udhëtim identitar.
Realizojmë kështu një ballafaqim me vetveten. Arti na bën të kuptojmë se nuk jemi vetëm ajo që jemi sot, por edhe ajo që kemi qenë, ajo që kemi humbur, ajo që kemi dashur të jemi. Ai na bën të pyesim: A jam ende ai që ëndërroja të bëhesha? A ka mbetur diçka nga vetja e dikurshme? Kjo mori përvojash dhe identitetesh i takon një personi të vetëm apo…
© Çapajev Gjokutaj