Gwendolyn Margaret MacEwen - Tri poezi kanadeze shqipëruar nga Vangjush Ziko

Gwendolyn Margaret MacEwen (1941-1987), poete dhe romanciere e shquar që botoi 20 libra gjatë jetës së saj, e cilësuar si një krijuese e sofistikuar, e stërholluar, e gjerë dhe mendimtare. Atë e dallon ndjenja e magjishme, misteri i njohjes dhe mrekullimi i raportit midis jetës dhe vdekjes. Poezia e saj zbulon cepat e errta të shpitit njerëzor. Ligjërimi i saj poetik rrjedh lirshëm, pa sforcime, me një logjikë të saktë dhe të qartë, pa u përpjekur aspak për ta stolisur me lulelajle figurative ligjërimin. Mendimi kritik kanadez e radhit atë midis poetëve më të mirë kanadezë. Margaret MacEwen është lauruar me shumë çmimeve letrare. Më poshtë tri poezi të saja të përkthyera prej meje:
ORA E DEHUR
Këmbanat kumbojnë më shumë të diel; Mbrëmje,
pemët dhe dëshirat e larta i presin këmbanat
me hijeshi dhe ngutje. Sipas lojës së shahut,
ato janë kushërira; pastaj vjen ngrënia, mëngjesi,
priremi ndaj stinëve të tjera të Babilonisë së lashtë,
të Sumerit,
të amebës së drojtur
Orët numërojnë me çmenduri,
por këmbanat numërojnë të matura së prapthi.
Na thoni, në çastin kulmor të kumbimit,
që i thyen orët tona të rërës
ku është kisha, kur kumbimi i këmbanave
e mposht tingëllimin e orës sonë prej rëre,
ku janë pleksur rrënjët e përgjakura
të xhunglës së mishit.
PISHAT E ZEZA NËN UJË
Kjo tokë, si pasqyra, ju shndërron në thellësi të saj
Dhe bëheni ju pyll në liqenin grabitqar;
Pishat e zeza të mendjes suaj mbyten në thellësi,
Ju sillni ndër mend blerimin e kohës suaj,
Kujtesa juaj është ky rresht i pishave të mbytura.
Eksplorues, thoni me vete, ju erdhët jo sepse
Këtu do të gjelbëroni më mirë,
Ju deshët të bënit një hap të madh,
Planifikuat një bukuri hijerëndë, një ëndërr sfilitëse.
Por pishat e zeza të mendjes suaj fundosen thellë e më thellë
Dhe mbyteni, e mbyteni përgjumur
Në botën elementare,
Ku ka diçka që ju kërkon ta mësoni.
DITARI I KUZHINIERIT TË ÇMENDUR
Më kot të hiqesh budalla,
Nuk e kupoj dot; dyshoj se ka
shoqëri të fshehta, që takohen
në kafene të errëta për ta përcjellë artin
në anëtarët e tyre;
Përveç kësaj,
Kjo gjellë personale për stomakun e dikujt,
ku mund ta di se për cilat shije,
si mund të depërtojë në gjakun tënd?
Po e provoj, të dalë ku të dalë,
nëse dikush bëhet kurioz,
do t’i përgjigjem me zë të lartë,
sepse, mbase, nuk sillem mirë me domaten,
nga ta di se nuk sillem mirë me domaten?
Diçka më ha përbrenda
me dhëmbët e mrekullueshëm,
i trishtuar qëndroj në kuzhinën time të vështirë
nuk do të ketë kurrë sallata dhe suflé fantastike.
Më duket se të gjithë i dobëson kuzhina ime
sytë e tyre errësohen si sytë e gjahtarëve
dhe kërkoni prej meje ushqim të mbani frymën tuaj.
Të gjithë miqtë e mi vdesin nga uria,
ka disa gjellë që nuk mund t’ua servir,
dhe ty, dashuria ime e leqendisur,
më duhet të të mbaj si një ujk të mrekullueshëm
te pragu i derës sime.
© Vangjush Ziko