Kulturë

Eugène Boudin, “mbret i qiejve”

  • Published in Kulturë
Nga: LUAN RAMA

Të endesh nga Honfleur në Trouville-Sur-Mer e pastaj në Deauville, është një përhumbje e shpirtit, një ngazëllim i vërtetë. Retë më të bukura që kam parë në këtë botë, janë ato në Trouville dhe Deauville, dy qytete si-motra, ndarë nga një urë e madhe ku batica vjen dhe e mbush atë kanal në fillimin e pasdites për t’u tërhequr pastaj në agim, në zbaticë, duke lënë mbi tokën e lagësht ato anije të vogla peshkimi dhe motoskafë si robina të detit, rrethuar nga pulëbardhat që klithin. Por padyshim, imazhet më të bukura janë retë dhe pasioni im për retë, një pasion dehës, pa mundur ta shpjegoj se përse, pasi mund të qëndroj me orë të tëra dhe t’i vëzhgoj gjatë, të humbas mes tyre, në të papriturat e tyre apo të rend pas tyre si fëmijë. Por kjo s’më ndodh vetëm mua. Vite më parë kisha njohur historinë e një pasionanti të çmendur pas reve, të një piktori impresionist, që hyri në historinë e artit vetëm nga kjo dashuri: dashuria për retë. Ky artist ishte piktori normand, Eugène Boudin. Peneli i tij ngjizte gjithnjë retë, e rrallë gjen tablo në krijimtarinë e tij ku retë mungojnë. “Vëzhgues qiellor” e kanë quajtur, dhe jo më kot. Por ajo që hyri në histori ishte cilësimi mbi të: “Roi des cieux”, “mbret i qiejve”… dhe ai ishte i tillë.

Të fiksosh magjinë qiellore


Eshtë e vështirë të fiksosh magjinë qiellore, atë të reve, e megjithatë, kur sheh ato re mes kaltërsive apo zymtësisë qiellore të vjen keq mos t’i kesh gjatë para syve të tua. Mjafton një shkrepje aparati. Eshtë e nevojshme t’i vëzhgosh pareshtur, për të gjetur apo kapur çastin sublim. Dhe sublimja nuk mungon asnjëherë Ajo është brenda tyre, e fshehtë ashtu siç është vetë engima. Të ngjan vetja si në një film ku askush nuk të ndjek me kamera. Je ti, vetëm ti, në lëvizje, në rendje, me mërmërimën e habisë në buzë, me krahët e hapura paditur, aq sa ke dëshirë që një forcë e panjohur e natyrës apo një forcë hyjnore nëse do të ekzistonte, të të merrte, të të ngrinte lart për të afruar me retë, të gjithëfuqishmet re.


Pikërisht ky pikëtakim i parë me Boudin më nxiti që në romanin tim “Camera obscura - Origjina e botës” të krijoja dhe personazhin e një fotografi të dashuruar me retë, meqë dhe personazhi i Adës, ishte një vajzë shqiptare, emigrante në Francë. Ishte personazhi i Sokrat Velos:
“Atij i pëlqenin shumë peizazhet. Pasdite, kthehej dhe fillonte t’i lante në laboratorin e vjetër të tij. Një ditë, në plasaritjen e vjetër të portës së studios ai kishte pikasur dy sy fëmije që vështronin me kërshëri. Menjëherë kishte hapur derën dhe për një çast kishte kundruar atë fëmijë me kaçurrelë që i binin mbi supe dhe që hezitonte t’i fliste.
- Si të quajnë?...
- Ada…
- Ku banon ti?
- Banoj në atë shtëpinë atje! - i kishte thënë ajo dhe i kishte treguar me dorë nga ndërtesa.
Kur kishte hyrë në studio, ajo që e kishte habitur atë ditë ishte moria e fotografive të vendosura rreth e rrotull si të ishte një vend ekspozimi. Në një faqe muri kishte kryesisht fotografi me re apo qiell me re… Në anën tjetër, një grup portretesh, të fotografuara në studio, vite më parë. Shumë prej tyre ishin të babait të tij, disa portrete të bukura në gjysmë-hije.
- Të pëlqejnë? - i kishte thënë ai gjithë ëmbëlsi.
Ajo vetëm kishte tundur kokën në shenjë pohimi. Kishte ndaluar te retë dhe shihte si me magji ato re të habitshme në qiell. Kurrë s’kishte parë një qiell të tillë plot re të bardha.
Që nga ajo ditë, një miqësi do ta lidhte me fotografin plak. Të djelave pasdite ajo shkonte shpesh drejt studios për të zbuluar magjinë e artit dhe për të parë nëse ai kishte fotografuar re të tjera. Shpesh, dhe në ëndërr, asaj i dukej sikur jetonte në atë botë resh…”

Eugène Boudin, “mbret i qiejve”

Në Trouville, kur kaluam pranë shtëpisë së tij, u ndala të fotografoj. Miku im vështronte me habi atë shtëpi normande me drurë, ku piktori i famshëm kaloi pjesën e fundit të jetës së tij. Aty kishin strehën e tyre të dikurshme penelët, kavaletet, telajot, tablotë; aty mund të zbuloje gjithashtu pasurinë e qiejve. “Mbreti i qiejve” e kishte zakon t’i kundronte duke pyetur veten nese kishte mundur të arrinte perfeksionin, nëse ato lëviznin ende ashtu siç endeshin nëpër qiej. Buzë “La Manche”, retë janë pothuajse të pranishme çdo ditë, herë në shtëllunga të mëdha e herë të paqta, sikur një penel piktori ka shtuar ca njolla në kaltërsinë e qiellit. Qiejt çahen, retë vrapojnë, dhe ja ku një diell i madh shndrrit me gjithë pushtetin e tij. Dhe shtëllungat largohen tutje si në një suitë të Schubert.


“Po të mos kisha takuar Boudin, s’do të isha ky piktor që jam”, - thoshte Claude Monet. Pasi takimi me të në Honfleur dhe Trouville, i dha ngasje prekursorit të impresionizmit që ta shikonte natyrën ndryshe. Monet pëlqente tek Boudin përzgjedhjen e ngjyrave, harmoninë e tyre jo shumë të ndezura, diçka ajrore që ato kishin në vetvete si dhe ajo ngjizje totale me atmosferën dhe subjektin që trajtonte. Po kështu dhe piktori tjetër Jonking pëlqente tek ai gjestin nervoz mbi telajo, kompozimet dhe perspektivën e tyre, dritën. Ja pse dhe Boudin thoshte shpesh: “Kam etje për dritën”. Një mik i tij në Honfleur ishte dhe Charles Baudelaire… Ai shkonte në atelierin e tij dhe kundronte peizazhet, brigjet e Trouville, Deauville…Ishin takuar fillimthi më 1859. Atë vit i tregoi pastelet e tij. Baudelaire ishte një kritik arti i jashtëzakonshëm dhe i pëlqeu shumë tablotë, veçanërisht ato ku kishte dhe figura njerëzore. Atëherë, Boudin jetonte në një shtëpi prej druri, me 32 shkallë, në “Rue l’homme de bois” (“Rruga e njeriut prej druri”). Aty kishte pritur dhe mikun e tij të dashur Gustave Courbet, i cili vinte shpesh të pikturonte peizazhe buzë detit.


Çfarë ndodh vallë kur nisin stuhitë? Ç’ndodh me retë dhe rrufetë, me atë kërleshje zjarri, me tornadot dhe zhdukjen e dritës e pastaj atë me ato çarje qiellore ku drita shpërthen hirëplotë? Vetëm pilotët mund ta kuptojnë më mirë se kushdo, ata që u afruohen reve, që lodrojnë me to. E megjithatë, këtu poshtë, me këmbët në tokë, me aparatin në dorë apo me penelin përballë telajos mbështetur në kavalet, ne mund ta fiksojmë për një çast këtë botë magjie, pasi arti e ka këtë fuqi, padyshim njeriu, artisti, gjeniu, ku bukuria e artit nis të magjepsë po aq sa vetë natyra. Gjithçka luhet brenda shpirtit, sensibilitetit, poetikës ndjesore, asaj alkimie që askush nuk e di si krijohet edhe pse sekretin e formimit të reve ne tashmë e kemi mësuar…

 

 

Tagged under Luan Rama Boudin