3 fabula nga Vangjush Saro
- Published in Kulturë
Gjinkalla
Një merak i madh ka zënë Gjinkallën,
jep dhe merr e zhytur në mendime:
“Çfarë do të ndodhë, ç’do të bëhet vallë,
kur të mos jem unë dhe kënga ime?…
Ç’do të bëjë lëndina e shkretë pa mua?
Kjo është një dramë, kjo është për vaj.
Do përmbyset Bot’ e mjerë thua?
Ja këndova dhe ca mbrëmje…
Po pastaj?”
■
Eh, pastaj… Shkon vera, dimri vjen;
prapë vera dhe dimra të tjerë.
Lëndinën e brishtë asgjë s’e gjen.
Për fat, s’përmbyset as “Bot’ e mjerë”.
Maçoku dhe kanarina
Maçoku kacaviret te parvazi
dhe bëhet dysh,
me thonj edhe me bisht,
të hapë pakëz derën e kafazit,
ku Kanarina frikën po gëlltit.
Dhe ngaqë krejt mundimi
i shkon kot,
ia kthen me fjalë të ëmbla horri:
“Dil moj, në liri, të lozim tok,
në verandë a jashtë, tek oborri!”
Thotë gjithë e trembur Kanarina:
“Falemnderit,
por bash këtë mbrëmje,
e di mirë se ku është liria:
larg prej thonjve edhe gojës tënde…”
Flutura dhe marulja
Flutura e bukur, plot pekule,
zuri miqësi me një Marule.
Atje tej, trazuar ishin retë;
këtu, muhabeti shkonte vetë.
Flutura harbohej lart e poshtë.
Thosh sallata: Ç’bukuri, o Zot!
Dikur Flutura la një tufë me larva,
që i bënë gjethet harta-harta…
Priste një shpjegim Marule e mjerë;
tjetra ia kish mbathur që kaherë…











