Kulturë

Poezia e filozofisë dhe poezia filozofike - Nga Vangjush Ziko

  • Published in Kulturë

Filozofia është një nga format e ndërgjegjes, është shkenca e ligjeve më të përgjithshme të zhvillimit të natyrës, të shoqërisë dhe të mendimit.

Poezia është një mënyrë e veçantë e organizimit të ligjërimit, që na jep marrëdhënien vetjake estetike të individit ndaj botës.

Dihet se në antikitet shumë filozofë i kanë shkruar traktatet e tyre në formë poetike, me vargje.

Ritmi poetik, siç duket, i ka shkuar për shtat ritmit të mendimit të shtruar dhe harmonisë së mendimeve të tyre të thella, zbulimit të të fshehtave të krijimit të botës dhe të mendjes njerëzore. Filozofët janë ëndërrimtarë të mëdhenj.

Poezia filozofike ka lindur shumë më vonë.

Siç duket poetët, pasi u kënduan bëmave homerike, i drejtuan sytë nga shpirti i tyre dhe, të dalldisur nga frymëzimi, guxuan të njohin dhe ta rikrijojnë vetveten artistikisht.

Të dyja janë objekt i veprimtarisë njerëzore, të vetë njeriut, të filozofit dhe të poetit.

Të dy i lidh bota që na rrethon. Të dy synojnë që të na japin botën.

Filozofi e interpreton universin me anën e koncepteve filozofike.

Poeti krijon universin e vet nëpërmjet të procesit krijues.

Të vërtetat e ekzistencës së botës poeti i zotëron nëpërmjet vrullit krijues, frymëzimit, që varet nga aftësia dhe dhuntia, shkalla e talentit.

Sipas Josif Brodskit, është frymëzimi poetik, i cili e përshpejton ndërgjegjen, mendimin dhe botëkuptimin nëpërmjet gjuhës poetike dhe prozodisë.

Është, pikërisht, lirika filozofike e cila shquhet për shkallën e lartë të meditimit, ajo përgjithëson në mënyrë figurative. Nëpërmjet mendimit të figurshëm dhe ndjenjës së figurshme ajo i krijon lexuesit asociacione emocionale, kuptimore.

Lirika filozofike nuk nxjerr konkluzione. Ajo e nxit vetë lexuesin të marrë pjesë vetë në zbulimin e së vërtetës. Rolin kryesor në këtë raport “poet-lexues”, “tekst-lexues” e luan shkalla sa më e lartë e ligjërimt lirik.

Po sjell një lirikë filozofike të poetit të madh rus, Fjodor Tjatçevit, të përkthyer prej meje:

* * *

Ashtu si oqeani rrethon botën,

E veshin ëndrrat jetën tokësore;

Vjen nata dhe me dallgët aq mizore

Stihia godet qiellin edhe tokën.

 

Syri i saj na sheh edhe na fal.

Një varkë e magjishme ka shpëtuar,

Zbatica rritet shpejt edhe na mbart

Përmes dallgës së saj të kreshpëruar.

 

Kupa e qiellit prush me yje ndezur

Na hedh vështrimin fshehtas që nga lart

Dhe ne, ne lundërtarët sypatrembur

Humnera e tërbuar tej na mbart.

Temën e kësaj poezie e përbëjnë stihia, që “godet qiellin edhe tokën”, qielli, që “hedh vështrimin fshehtas që nga lart” dhe “një varkë” në mëshirën e zbaticës. Poezia s'ka të bëjë aspak me jetën e zakonshme të përditshme, por me dukuri të mistershme të natyrës dhe të fatit njerëzor. Kemi të bëjmë me tema filozofike. Poezia nuk merret aspak me shpjegimin dhe ligjshmërinë e tyre. Objekti i poezisë është përshkrimi i figurshëm, rikrijimi dhe jo shpjegimi i kësaj tablloje të kësaj nate të stuhishme, as të fatit të varkës, të jetës njerëzore, tragjizmi i saj. Këtë poezia e arrin nëpërmjet figuracionit artistik, nëpërmjet epiteteve të ndryshme, midis krahasimit të “oqeanit” dhe “ëndrrave” si edhe të paralelizmit midis stuhisë së tërbuar dhe fatalitetit njerëzor. Pra kemi të bëjmë me emocione dhe aspak me deduksione shkencore.

Poezia filozofike realizon kështu sintezën midis filozofisë dhe poezisë.

Studjuesit e ndryshëm pohojnë se shfaqja e lirikës filozofike mundësoi lindjen e një krijimi me një botëkuptim të ri në nivelin bashkëkohor, ku volumi i kulturës së grumbulluar luan një rol të madh, hap horizonte të reja edhe për krijimtarinë artistike.

Ata theksojnë se lirika filozofike nuk luan vetëm një rol gnoseologjik. Ajo ka një shkallë më të veçantë bashkëveprimi me botën. Ky bashkëveprim realizohet nëpërmjet nivelit artistik duke krijuar një bashkëveprim të ideve filozofike me mjetet artistike.

Për lirikën filozofike luan një rol të madh lloji i metodës që përdor ajo ndaj qasjes së objektit të saj, pasqyrimit të botës në të gjitha shfaqjet e saj.

Mendimi i Josif Brodskit na e qartëson çelësin e këtij problemi të krijimtarisë artistike. Ai shkruan: “ekzistojnë tri metoda njohjeje: analitike, ajo intuitive dhe metoda që përdorin profetët biblikë, e zbulimit. Dallimi i poezisë qëndron në atë, sepse ajo i përdor njëheresh të treja (duke anuar nga e dyta dhe e treta) sepse që të treja i ka gjuha”.

Pikërisht, parapëlqimi i intuitës dhe i zbulimit, i japin mundësi krijimtarisë poetike që të arrijë nivelin e përgjithësimit filozofik dhe, bile, ta kapërcejë këtë.

Filozofinë dhe Poezinë i kanë quajtur motra binjake.

Filozofi Martin Haidegger thotë: “Filozofia dhe poezia qëndrojnë në lartësi të ndryshme, por flasin për të njëjtën gjë”.

Kurse poeti dhe teoricieni i artit G. E. Lessing ka një sentencë kuptimplotë të figurshme: “Filozofi që kërkon të ngjitet në Parnas dhe Poeti që kërkon të zbresë në luginën e mençurisë, seriozë dhe të qetë, takohen në mes të rrugës, ku ata, mund të themi, ndërrojnë veshjet dhe kthehen mbrapsht. Secili sjell në strehën e vet shëmbëlltyrën e tjetrit dhe jo vetëm kaq. Poeti bëhet poet filozof, kurse mendimtari bëhet i mençur poetikisht. Dhe, megjithatë, poeti filozof nuk është filozof, kurse mendimtari poet nuk shndërrohet në poet”.