Kulturë

Autoportreti i poetit Moikom Zeqo - Nga Vangjush Ziko

  • Published in Kulturë

Kam në dorë ciklin me poezi të poetit tonë të jashtëzakonshëm Moikom Zeqo përkushtuar filozofit ebre-gjerman Baruch Spinoza. Cikli mban datën 2004.

E çuditshme për një poet vizionar! Shkruan për amëshimin dhe u vë data poezive! Ç'vlerë kanë këto data që për amëshimin janë të papërfillshme?! Sidoqoftë, ka një justifikim suigeneris. Frymëzimi lind në një çast, në një sekondë fluturuese për të jetuar gjatë, mbase, pambarimisht.

Në një vit-çast poetit mund t'i lindin shumë ide frymëzuese. Ky kalendar i duhet jo poetit. I duhet Frymëzimit. Dhe, pikërisht, në këtë vit-çast, Moikom Zeqo ka shkruar më qartë se çdo herë tjetër portretin e tij emblematik.

Në këtë cikël ka edhe motive të tjera bashkëshoqëruese dhe plotësuese të këtij portreti, sepse nuk mund të shkruhet portreti i poetit shkëputur nga bota që e rrethon, nga bota e mundimeve të përditshme, nga figurat shpirtërore të tij.

Moikomi ia kushton këtë cikël poetik Spinozës, por përmend edhe Budën, edhe Krishtin, edhe Antikrishtin. Për një çast është e pranishme edhe vetë Perëndia dhe, patjetër, vetë Koha, e cila “kalëron me jele ankthi/dhe patkonj tipografikë”.

Asgjë nuk ka për t'u çuditur në këtë gërshetim. Filozofi dhe Poeti janë vëllezër siamezë. I pari me vështrimin nga bota e ideve. I dyti nga universi i figuracionit artistik. Edhe metaforat e Moikomit janë, mbi të gjitha, metafora të mendimit.

Vargjet e poetit janë “gjurmë mbi pllajën e mendimit”.

Kurse poeti vetë është “shtyllë kurrizore e ideve”.

Poeti është “ndërgjgegje e lirë endacake”.

Skicova kështu, me fjalët e vetë Moikomit, portretin e tij, nga më të veçantin në historinë e Poezisë sonë Kombëtare. Moikomi e quan veten një “rishtar”, një murg që ka veshur zhgunin e ashpër të Poezisë. Për atë “Poezia është dashuri pa martesë”.

Historia Botërore e Poezisë njeh disa lloje “autoportretesh” të poetëve. Pikat e referencave të tyre janë të ndryshme. Një gjë është e përbashkët midis tyre: konfliktualiteti me botën reale dhe me botën e mendimeve, me vetveten dhe me Kohën.

Historikisht, poeti është skicuar fillimisht si poet Profet, zëdhënës i Demiurgut. Kemi më vonë poetin në konflikt me fenë. Pastaj poetin në konflikt me realitetin. I përjetshëm mbetet konflikti i Poetit me Kohën, me Jetën dhe me Vdekjen.

Poetin Moikom Zeqo e mundon konflikti me jetën dhe me Amëshimin. Atë e mundojnë dilema sfilitëse që lidhen me botën reale. Ai jeton në një botë të ashpër dhe të pamëshirshme. Shembulli i Baruch Spinozës është shumë domethënës për të.

Filozofi s'ka shtëpi për të qenë, as familje, as katandi, është i vetëm me “latinishten e tij gjeometrike”, me “sintaksën e qartë” dhe me “simetrinë e konkluzioneve”. Ai vetëm hesht përpara Zotit, nuk kërkon falje për “herezitë filozofike” të tij.

“Realiteti, thotë Poeti ynë Moikom Zeqo, më grish për të më vrarë pabesisht”. Për atë, zgjidhja e këtij konflikti, është idea kozmike e pafundësisë së universit, e cila metaforikisht na flet për Përjetësinë.

Kemi, pra, një autoportret me ngjyrim të theksuar filozofik, që poetikisht, shtron argumentin, idenë e fuqisë së artit mbi pamundësinë e shpirtit poetik, që “kalëron me jele makthi/dhe patkonj tipografikë”.

Poetin Moikom Zeqo e frymëzon mitologema e Pegasit, kalit mitologjik me krahë, që rreh me patkonjtë e tij malin Helikon dhe bën të shpërthejë burimi i frymëzimit ku pi ujë Muza e çuditshme Moikomjane.