Kulturë

Një rishikim i marrëdhënies midis Don Kishotit dhe Sanço Panços - Nga Artan Fuga

  • Published in Kulturë

Si po shkërrmoqen modelet e prapambetura politike përballë lidhjeve të reja shoqërore

(Nga libri ORIGJINAT E PASURISE, PRONES, SHTETIT NE SHQIPERINE PASTOTALITARE, në botim e sipër nga PAPIRUS)

Komunikimi masiv tanimë bie në dorë të çdo individi, sado pa mjete të fuqishme të jetë ai, kudo që ai ndodhet, në cilëndo kohë që ai dëshiron të komunikojë.

Në fakt bashkë me këtë proces të fundit janë tre shtjella që marrin formë.

E para, që në botën e komunikimit masiv hyn individi, i cili fuqizohet sepse mesazhet e tij mund t’ua u komunikojë njëherazi, në kohë reale, të gjithë të ngjashmëve të tij në të gjithë planetin tonë.

E dyta, që njerëzit sado larg të jenë fizikisht prej njeri tjetrit komunikojnë tashmë në mënyrë masive dhe të personalizuar pa pasur nevojën e agjencive të ndërmjetme. Pa pasur nevojën e shërbimeve postare, përshembull. Pa pasur nevojë të dalin nga shtëpia, ndofta. Pa pasur detyrimin t’i filtrojnë nga ndonjë autoritet sipëror mesazhet që i dërgojnë njeri tjetrit. Nuk kanë nevojë të kalojnë nga një shtëpi botuese për të transmetuar tekste të gjata te njeri tjetri. Nuk kanë nevojë madje as të rregjistrohen në një universitet për të marrë dije. Nuk kanë nevojë për agjenci reklamash për të marrë ose dërguar reklama. Nuk kanë nevojë për parti politike për të komunikuar politikisht me njeri tjetrin. Nuk kanë nevojë për stacione televizive për të transmetuar imazhe nga njeri te tjetri. Gjithnjë e më shumë madje nuk kanë nevojë as për spitale për të kontaktuar një mjek dhe diagnostikuar ose edhe operuar prej tij.

Koha e agjencive të ndërmjetme duket se nuk është më ajo e arta e dy a tre shekujve të fundit. Marrëdhënia njerëzore si informim, por edhe si veprim praktik, është bërë gjithnjë e më horizontale, është demokratizuar, ka ardhur nga lart poshtë, për shkak të web-it, Internetit, mediave sociale, është bërë si ta themi një piramidë me kokë poshtë ku baza e saj e gjerë është lart, në kuptimin që ka ardhur duke u zgjeruar, dhe pika kulmore poshtë. Kurse shoqëria, ekonomia, politika, shteti, partitë politike, administrimi i territorit, etj., ka ardhur duke u centralizuar, duke i ngjarë një piramide me kokë lart. Institucionet po centralizohen, po shkojnë drejt një figure me një kulm të epërm, ndërkohë që marrëdhënia njerëzore falë teknologjive të reja po shkon drejt zbehjes të kësaj maje piramidale.

E treta që potenciali njerëzor për të kapërcyer distancat, kohën, kapacitetet klasike për përpunimin e të dhënave, për të pasur akses në informacion dhe dije, e ka rimbledhur në një farë mënyre njerëzimin në një “shesh fshati” të vetëm si në kohët klasike. Teknologjikisht njerëzit i janë afruar gjithnjë e më afër majës të marrjes të vendimeve politike, i janë afruar pushtetit. Pra, mund të marrin pjesë teknikisht në qeverisje.

Pyetja është çfarë do të bëhet tanimë me partitë politike në kushtet kur një sërë funksionesh të lidershipit politik tanimë i zëvendëson teknologjia e informacionit. Lideri partiak nuk ka si më parë aq nevojë për aparatet e shumta vertikale të partisë për të komunikuar me elektoratin dhe militantët e bazës së partisë sepse me anë të rrjetit social e bën këtë gjë. Por, vetë lideri, bosi i dikurshëm, është dobësuar shumë në rrënjën e tij sepse po humb dobinë sociale. Dhe çdo organ që humb dobinë thahet. Ky është rregulli i natyrës, i jetës biologjike, por edhe i shoqërisë.

Bosi politik, lideri i madh, nuk mund të jetë më qendra ku mblidhet dhe përmblidhet i gjithë informacioni politik për t’u rishpërndarë prej tij pas një filtrimi të rreptë nga ana e tij. Zotërimi i privilegjuar i informacionit dhe roli shpërndarës i dozuar i tij ka qenë me shekuj privilegj dhe funksion i liderit, bosit, diktatorit, tribunit. Kurse tanimë ky informacion politik mund të qarkullojë nëpërmjet rrjeteve sociale duke e anashkaluar krejtësisht bosin politik. Po ashtu lideri politik i dikurshëm e zotëronte statusin e vet pa e ndarë lehtësisht me dikë tjetër sepse informacioni përqendrohej në duart e tij. Kurse sot me anë të rrjeteve sociale mijra liderë të rinj, të pjesshëm politikë e konkurrojnë keqazi.

Shoqëria moderne e mjeteve dixhitale të komunikimit po e nxjerr jashtë loje modelin klasik të shoqërisë, të politikës, të ekonomisë, të edukimit, të mediave.

Shoqëria klasike, tradicionale, e prapambetur, e rutinizuar, e ngurtësuar, e dalë nga koha, e dalë boje, kërkon të qendrojë, në aleancat e veta të vjetëruara reaksionare, retrograde, të ruajë privilegjet e saj, kurse teknologjitë e reja të informacionit po bëjnë që qytetarët të kërkojnë një model shoqëror që nuk ka nevojë për centralizim piramidal.

Shoqëria e vjetër reagon përballë qytetarit duke e penguar në përpjekjet e veta sepse ka frikë që qytetari një ditë kupton që jeton në një mënyrë të padobishme sepse disa qendra interesi në parti politike dhe në agjenci shtetërore kërkojnë të ruajnë privilegjet në aleancë me mediat klasike, me financat klasike, me organizimin klasik të shkollës, të kulturës.

Grupet e privilegjuara klasike në politikë, shtet, ekonomi, kulturë, arësim, drejtësi, në pushtetet lokale, etj., kërkojnë ta centralizojnë edhe më shumë vendimarrjen, bëhen edhe më irracionale, edhe më absurde, edhe më jashtë kohe, edhe më penguese, pikërisht sepse dobia e tyre ka përfunduar, në mos jo tërësisht, është vendosur shumë në dyshim. Qytetari me rrjetet sociale dixhitale kërkon ta decentralizojë marrëdhënien shoqërore, kurse politika për ta kundërshtuar këtë rrjedhë historike e piramidalizon edhe më tepër jetën sociale, dhe vendimmarrjen.

Nëse do ta rimerrnim metaforën e Don Kishotit dhe të Sanço Panços, ku i pari të ishte sundimtari dhe i dyti i sunduari nga i pari, do të thoshim se Don Kishoti shpik fantazmën e së Keqes, duke marrë për to mullinjtë e erës, jo më kot. Por, vetëm kështu, në delir, dhe fantazi absurde, në një vrojtim krejt imagjinar dhe të dehur të realitetit, ai mund të mbajë nën sundim Sançon e tij.

Don Kishoti ka nevojë të krijojë luftën me mullinjtë e erës pikërisht që Sançua të mos kuptojë se ai hiqet kot si sundimtar i dobishëm, sepse në të vërtetë nuk ka asnjë funksion shoqëror, nuk ka asnjë forcë, nuk ka asnjë dobi shoqërore. Në çastin kur Sançua do të shihte se fantazmat e prodhuara nga mendja e të zot, nuk do të kishin qenë veçse irreale, atëhere ai do ta braktiste të zotin duke vazhduar udhën në drejtim tjetër me gomarin e tij.

Ne jemi në këtë fazë të ndërmjetme kur pushteti piramidalizohet dhe qytetari krijon gjithnjë e më shumë lidhje horizontale, të drejtpërdrejta me qytetarët e tjerë.