Kulturë

Xhek London ose arti që buroi nga përvoja - Nga Klodi Stralla

  • Published in Kulturë

Nëse për Dostojevskin thuhet se arti i tij buroi nga dhimbja dhe për Tolstoin nga dashuria për njerëzit, për Xhek London thuhet se arti i tij buroi nga përvoja.

E filloi jetën e pavarur, ende fëmijë. 11 vjeç shiste gazeta, 14 vjeç u fut punëtor në një fabrikë konservash. Më pas, ilegalisht, peshkonte guaska në gjirin e San Franciskos. Hyri marinar në një anije peshkimi, lundroi në hapësira detare pa fund dhe gjuajti arinj të bardhë në detin e Beringut. Punoi si punëtor krahu në një fabrikë jute. U end i vetmuar poshtë e lart Amerikës, nga oqeani Paqësor në oqeanin Atlantik, nga Florida në Kanada, si endacak, në këmbë. U burgos në Kanada se u gjet i papunë dhe i pastrehë. Pas burgut provoi, për pak dollarë, deri boksierin në ringje. Kur shpërthyen ethet e arit në Alaskë atë e gjetën te të njëzetat. Pas mijëra njerëzve që nxitonin t’i jepnin fund varfërisë në kërkim të minierave të metalit të çmuar, ishte një vit më pas edhe Xhek Londoni. Deri këtu, 21 vjeç, madje as shkollën s’e kishte kryer.

Xhek London, gjatë një viti që qëndroi në Alaskë nuk u pasurua materialisht, por fitoi pasurinë e madhe të përvojës së udhëtimeve dhe të njerëzve. Tregimet e Veriut më së shumti nuk kanë heronj njerëz. Heronjtë e këtyre tregimeve janë qentë dhe ujqërit dhe tek-tuk, ndonjë udhëtar mes borës e akullit, ndonjë kërkues ari, fill i vetëm në shkretëtirën pa anë e fund të acarit vrasës.

Te tregimet e tij mëson të gjuash peshk e shkurta, mëson se si ndizet zjarri në kohën e stuhisë, të gatuash, të thash rrobat e qullura, të kujdesesh që zjarri të mos fiket, të mbledhësh shumë dru rreth zjarrit, sepse do të duhet, sapo nata të bjerë, që të luftosh me ujqërit. Betejat e qenve mes tyre për ushqim, betejat e njeriut me ujqërit, për të mos u bërë ushqim dhe betejat e kërkuesve të arit me natyrën e egër, në tregimet e shkrimtarit t’i sjellin vendet e largëta fare pranë, aq sa ndien dridhmat e të ftohtin e akullt

Biografët e tij na ndërmendin se ai mbërriti në shtëpi pa një dysh në xhep, por ai fitoi nga “ethja e arit” dhe udhëtimet, tërë njohuritë për atë botë të egër, të cilën ia dha njerëzimit në formën e tregimeve të jashtëzakonshme, të paarrira më, të shkruara me një gjuhë të thjeshtë, të këndshme e tërheqëse. Kush fillon t’i lexojë, patjetër do t’i mbarojë, por s’do t’i heqë dot nga dora. Bota nuk njohu më pas askënd, zoolog, shkrimtar apo psikolog qensh, që të njihte dhe përshkruante kaq thellë e në brendi natyrën e mikut të njeriut, qenin, dredhitë e përleshjet e tij, natyrën e udhëheqësit në krye të slitës, sivëllezërit e tij, ujqërit dhe luftën për ekzistencë në zbrazëtirat e pyjeve halore. Mbi të gjitha, në “vendin e ngricës” ku gjeniu e çon lexuesin, mëson se ç’gracka të shumta është e zonja të thurë natyra, për t’i treguar njeriut se sa lehtë arrihet asgjësimi i tij.

Në një periudhë fare të shkurtër 15 vjeçare (1904-1916) ai shkroi rreth 50 libra. Midis tyre, ato që e bënë të famshëm, e që fëmijeria jonë i përpinte me ëndje ishin “Kushtrimi i të parëve” (1903), “Ujku i Detit” (1904), “Dhëmbi i Bardhë” (1906) dhe romani autobiografik “Martin Iden”, të përkthyer edhe në shqip.

I jep fund jetës i zhgënjyer në 22 Nëntor 1916, në moshën 40 vjeçare.