Kulturë

Palimpsesti postmodern i Moikom Zeqos - Nga Vangjush Ziko

  • Published in Kulturë

Libri më i ri i Moikom Zeqos është “Traktati i Pikturës i Leonardo Da Vinçit”.

Në këtë vepër, përveç këtij Traktati të Gjeniut të Rilindjes Evropiane, autori ka botuar edhe komentin e zgjeruar rreth filozofisë të Leonardo Da Vinçit nga Paul Valery, si edhe shkrime të vetat rreth kësaj filozofie për estetikën e Leonardo Da Vinçit.

Po ndalem në qasjen e Moikomit ndaj këtij Traktati, e cila gjen pasqyrim, kryesisht, në dy nga shkrimet e tij: “Palimpsesti i Gjenezës” dhe “Mes skillës së Shkencës dhe karidbës së Artit”, që janë një model interesant i paraqitjes dhe i pozicionimit bashkëkohor ndaj parimeve estetike të Leonardo Da Vinçit mbi problemet kardinale të Traktatit.

Në këto palimpseste të frymëzuara nga mendimet dhe konceptet e Leonardo Da Vinçit mbi artin në përgjithësi, Moikomi parashtron pikëpamjet e veta duke pohuar ose polemizuar me ide dhe koncepte të ndryshme historike mbi artin me përfaqësues të ndryshëm të artit që nga lashtësia edhe në ditët tona.

Fryma polemike është karakteristika kryesore e palimpsesteve të Moikomit.

Ai polemizon me mendime të dijetarëve, të filozofëve, të shkrimtarëve dhe të artistëve të epokave të ndryshme. Në këtë polemikë trajtohen probleme të këndvështrimit mbi natyrën, mbi ekuilibrin midis objektives dhe subjektives, mbi rolin e artit në transformimin e materies natyrale në vepër arti, mbi alibinë krijuese të mrekullisë së supernatyrores ndaj kopjes, mbi formulën bipolare të artit, të së dukshmes ndaj së padukshmes që mishërohet në portretin e Mona Lizës etj.

Moikomi shtron problemin e mprehtë, dilemën bashkëkohore: të jesh dhe të mos jesh me Leonardo Da Vinçin.

Kjo është një dilemë sfiduese e shekullit rreth konceptit të Da Vinçit mbi artin si stilizim i natyrës dhe si mjet i transformimit të materjes natyrore nga vetë njeriu, i cili është njëkohësisht edhe vetë një vlerë që i shtohet natyrës.

Nga ana tjetër, ka ardhur një kohë kur arti është bërë aq abstrakt sa edhe bota është bërë abstrakte, sa edhe fillesa estetike po bëhet neutrale.

Arti kiç ka ngritur problemin e raportit midis njeriut dhe sendit, të njeriut send dhe të sendeve ku mungon pasqyrimi i botës shpirtërore, ku Bukurisë njerëzore po i shuhet diadema metafizike dhe enigma e “të dukshmes” dhe të “së padukshmes” të mishëruar në portretin e Mona Lizës. Zhdukja e kësaj “dileme emocionale” të krijon gjendjen e dyshimtë. Nuk e di nëse prek qenien seksuale të një gruaje, apo qenien jo seksuale të një sirene.

Kodi i artistit mbi vuajtjet e njeriut dhe, konkretisht, mendimi i Leonardos se njeriu, artisti është më shumë shpirt se sa trup, që “eksploron humnerat dhe guvat e shpirtit të tij”, po zëvendësohet me “vuajtjet” e sendeve, etj., etj. tema të globalizimit të sotëm.

Po sjell një përkufizim interesant të Dalaj Lamës mbi tjetërsimin global të botës së sotme: “Njeriu është krijuar për t'u dashuruar dhe sendet për t’i shërbyer, kurse sot njeriu është bërë për të shërbyer dhe sendet për t'u dashuruar”!

Moikomi ka zgjedhur palimpsestin për të parashtruar mendimet e veta mbi këtë traktat.

Palimpsesti, përveç kuptimit fillestar të rishkrimit të një teksti të ri mbi një tekst të vjetër i ka dhënë emrin edhe një forme të re letrare bashkëkohore. Palimpsesti post-modern është forma e paraqitjes së mendimeve apo ideve të caktuara të autorit të gërshetuara me ide të të tjerëve si analogji ose si polemikë apo shtjellim e pasurim më tej i tyre me konceptet e vetë shkrimitarit.

Ky palimpsest është një lloj i veçantë i eseistikës post-moderne.

Kjo formë është e motivuar edhe fiziologjikisht, si veprimtari intelektuale.

Shkenca na thotë se truri i njeriut i ngjan një “palimpsesti kolosal”, një “pergameni” te i cili informacioni i regjistruar më parë, nuk zhduket pa lënë asnjë gjurmë, informacion i cili, si të thuash, ndriçohet nga informacioni i ri, që mund t'i dekodohet kuptimi.

Kjo formë kërkon, jo vetëm një erudicion e një bagazh të pasur njohurish dhe diturish, por edhe aftësi të rralla intelektuale, një talent suigeneris për ta kompozuar këtë tekst kaleodoskopik në mënyrë asociative, transtekstore.

Forma e palimpsestit, që ka zgjedhur Moikomi për ta paraqitur dhe komentuar këtë Traktat, më duket forma më adekuate dhe më shteruese e kondesuar e vlerësimit, interpretimit dhe komentit bashkëkohor të këtij Traktati.

Palimpsesti moikomian dëshmon asimilimin e thellë të njohurive parake në fusha të ndryshme të aktivitetit intelektual, por, mbi të gjitha, dëshmon një zhvillim të mëtejshëm, një koncept krejt të vetin, një shtjellim të mëtejshëm linear dhe vertikal të ideve që ka hedhur i madhi Leonardo Da Vinçi në këtë Traktat, duke e ballafaquar me mendimin bashkëkohor alternativ.

Arti, sipas Leonardo Da Vinçit, është një alibi krijuese e sintezës së sintaksës së fjalive, të ngjyrave, të tingujve. Jo urtësia shkencore, por teknika është mëma e arteve.

Do veçoja, mbi të gjitha, talentin e rrallë të Moikomit për të mos e ngatërruar shijen estetike të krijuesit me logjikën shkencore të filozofit.

Palimpsestet e Moikomit qëndrojnë në kufirin e mjëgulluar midis krijimtarisë artistike dhe analizës, midis emocionit dhe llogjikës cerebrale.

Moikomi edhe kur analizon një dukuri apo një fenomen konkret, ai e shikon atë me syrin e estetit, duke vënë në dukje jo urtësinë shkencore, por teknikën artistike, shpirtin, jo logjikën.

Kam krijuar bindjen se poezia konceptuale dhe palimpsesti i Moikomit janë motër dhe vëlla. Ka një gjë të ngjashme midis fluturimeve pindarike të poezisë, të ligjërimit të tij poetik, të kalimit të tij spontan nga tokësorja te kozmikja, nga një kohë në një tjetër si edhe në diskursin kaledioskopik të palimpsestit, kalimi nga një mendim, nga një koncept në një tjetër duke krahasuar apo polemizuar në mënyrë associative, duke e mbajtur të ndezur temporitmin e “debatit”, tensionin emocional të ligjërimit. “Geni” krijues i tyre është një dhe i përbashkët, një filozofi krijuese, që ka dhënë dy produkte të ndryshme për nga gjinia, por jo për nga tharmi që i ka ngjizur.

Krijimet e Moikom Zeqos janë produkt i “botanikave aplikative” të dualizmit filozofik si trajta më e lartë e jetës, e filozofisë njerëzore.

Janë krijime të të njëjtit Mjeshtër.

Dualizmi krijues, si në poezi dhe në eseistikë është trajta më e lartë edhe e krijimtarisë letrare, edhe e arteve figurative, edhe e muzikës.