Kulturë

Luan Rama: Frederik Miteran, miku besnik i Shqipërisë - Nga dashuria për filmin në kupolën e Akademisë Franceze

  • Published in Kulturë
Nga: Luan Rama

Pasditen e 5 Shkurtit 2020, Frederik Miteran, ish-ministri i Kulturës i Francës, hynte me një hap të ngadalë dhe me jo pak emocione në Akademinë Franceze. Një ritual i bukur me Gardën Kombëtare dhe tamburet, çka tregojnë respektin e veçantë që ka Republika për njerëzit e saj të shkencës, të artit, letërsisë e kulturës në përgjithësi, për kupolën që përbën tempullin e dijes së një kombi. Në Akademinë e Arteve të Bukura një vend kishte mbetur bosh me vdekjen e aktores së famshme Zhanë Moro (Jeanne Moreau), e cila për më shumë se gjysmë shekulli, duke filluar me kinematografinë e “Valës së Re Franceze” të viteve ’60, u bë një nga simbolet më domethënëse të kësaj kinematografie. Në kupolë ishin mbledhur shumë akademikë ku mezi mund të shquaje Roman Polanskin, me atë shtat të vogël, i cili dhe ai është anëtar i kësaj akademie. Dhe si zakonisht rituali është që një nga akademikët përshëndet hyrjen e akademikut të ri. Dhe ky ishte historiani dhe romancieri Adrien Gotz, një mik i Frederik Miteranit, i cili në një ligjëratë të gjatë lëvduese foli për jetën dhe krijimtarinë e kolegut të tij. Dhe ky kontribut padyshim është i dukshëm kur lexon biografinë e gjatë artistike të tij.

I lindur në një familje aristokrate që adhuronte gejeralin De Gaulle, edhe pse familja me në krye xhaxhain e tij François Mitterand zgjodhi socializmin, Frederiku i vogël u rrit në një mjedis kulture ku letërsia dhe artet ishin një ushqim i përditshëm dhe ku që i vogël ai u shfaq para ekranit në një skenë të shkurtër në krah të aktores së famshme Michel Morgan të cilën do ta adhuronte gjithë jetën. Kështu, ishte kjo botë e magjisë së filmit që do ta bënte për vete. I etur pas historisë dhe gjeografisë e më pas profesor në Institutin e Studimeve Politike, ai nuk do ta ndante kurrë pasionin për filmin e letërsinë. Ishte ky pasion që më pas e shtyu që për 15 vjet rresht të drejtojë salla të kinemasë disi të veçanta ku tentohet drejt filmit modern, filmave të shkurtër, eseve kinematografike, etj., si në Olimpic Palase, Entrepôt et Olympic-Entrepôt, ku më vonë në 1992 u organizua dhe një javë e filmit shqiptar.

Një pasionant i madh i filmave të hershëm që ecte në gjurmët e historianit të kinemasë Henri Langlois. Më pas ai u dallua si producent, regjisor dhe animator i emisioneve televizive duke prezantuar në TF1 emisionet «Etoiles et toiles», «Ciné-Fête», «Acteur-Studio», «Permission de minuit» dhe «Destin». Në vitin 1991 vazhdon në televizion në «Antene 2» me emisionet e tij «Du côté de chez Fred», «C’est notre vie, «Les amants du siècle», «Caravane du minut», ku parakalon një bote me vete e kinemasë dhe e artit, çka i japin kulturës se tij një dimension të jashtëzakonshëm, të denjë para yjeve të kinemasë dhe njerëzve të artit botëror. Duke filluar nga 1996 ai vazhdoi me emisionet «Ciné-Club», «Le Cercle des Arts» dhe «Hymne à la voix». Nga viti 2002 vazhdoi emisionet radiofonike në «Europe 1» duke vazhduar me pas si drejtues i programacionit të TV5. Pikërisht kur ishte drejtor i Akademisë së Francës në Romë (e famshmja Vila Medicis) një post i rëndësishëm në rezatimin e kulturës franceze, ai u caktua ministër i Kulturës dhe i Komunikimit në presidencën e presidentit Sarkozy. Pas kësaj detyre itinerari krijues i tij vazhdoi përmes realizimit të disa filmave për «TV5 Monde» si «Shkrimtarët në kanosjen e luftës», «Christian-Dior», «Hollywood, jeta e ëndërruar e Lana Turner» apo një film tjetër për Trump, etj.

Atë pasdite, duke folur për krijimtarinë e tij, akademiku Goetz ndër të tjera tha: «Jeta juaj është një film. Ju jeni regjisor dhe ndërkohë i luani të gjitha rolet e komponentëve të filmit. Ministër i Kulturës dhe i Komunikimit ju i shtuat një rol tjetër filmit të jetës tuaj. Letërsia dhe kinematografia tek ju shkojnë gjithnjë bashkë, pasi ju kështu e filluat duke shkruar me kamera. «Letra dashurie në Somali” është libri juaj i parë dhe filmi juaj i parë i realizuar në vitin 1989. Këtë libër ju e shkruanit gjatë kohës së montazhit në krah të mikut tuaj të shtrenjtë Luc Barnier. Çdo imazh që vjen nga ju është si një lloj kënge, pasi aty është ritmi, frazeja, stili juaj. Ju jeni i pranishëm në çdo imazh, gjithnjë në plan të parë, ashtu si dhe më pas, në një film të një lloji tjetër, “Shqiponjat e goditur nga rrufeja” apo më pas “Kujtime të mërgimit”. Një lloj nostalgjie e tij për dinastitë e përmbysura apo të mërguara e pa atdhe, një shije tragjizmi për to, nga Romanovët në Rusi duke vazhduar me Simeon II në Bullgari, Michel I në Rumani apo princin Aleksandër të Jugosllavisë Petroviç-Njegosha i Malit të Zi, duke përfunduar me mërgimin e gjatë të mbretit Zog. Një panoramë e gjerë e monarkisë së Europës pas Luftës së Dytë Botërore, e pamundur për tu rikthyer përballë ideologjive të reja.

--------

Bota shqiptare

Pikëtakimin e parë me botën shqiptare Frederik Miteran e filloi me ekranizimin e romanit të Kadaresë “Prilli i thyer”. Dhe kjo jo vetëm për vlerat e romanit por dhe në sajë të mikut të tij shumë të afërt Luc Barnier, një nga montazhierët e talentuar dhe në zë të viteve ’90 të kinematografisë franceze. Por Luc ishte i dashuri dhe njeriu i jetës së Liria Begesë e cila në ato kohë sapo kishte hedhur hapat e parë në kinematografi përmes disa filmave të shkurtër. Dhe kështu si producent, Frederiku do të ishte ai që do ti mbështeste ata në këtë aventurë të re kinematografike, edhe pse me një buxhet të vogël. Vështirësitë ishin të shumta. Sigurisht Liria dhe Miterani do donin ta xhironin këtë film në malet veriore shqiptare por kjo në atë kohë nuk mund të realizohej për bijën e një emigranti politik shqiptar. Kështu xhirimet u realizuan në sfondin e maleve korsikane. Padyshim, nga ana e Frederik Miteranit ky ishte një akt dashurie dhe ndaj tokës dhe historisë shqiptare.

Liri Begeja i kujton me mall ato kohë xhirimesh dhe miqësie besnike që vazhdon deri sot, duke bërë që filmi të bëjë të njohur në publikun perëndimor një pjesë të historisë shqiptare. Vite më vonë, më 1995 pata rastin që përmes Luc Barnier të njihja Frederik Miteran në studion e montazhit në studiot kinematografike në periferi të Parisit në “Boulogne-Billancourt” ku munda të shoh nga afër dhe disa nga regjisorët e shquar të kinematografisë së “Valës së Re” franceze si Alain Resnais, regjisorin e filmit “Hiroshima mon amour”. Ishte e habitshme thjeshtësia, mirësjellja dhe qetësia gjatë montimit të filmit në botën e këtij njeriu. Ishte i pari film që po realizonte nga bota e muzikës: “Madame Batterfly”. Një çast ai kishte menduar të merrte Inva Mulën për rolin kryesor, por padyshim duhej një fytyrë aziatike në këtë rol kaq të njohur botërisht.

Pas suksesit të këtij filmi Miterani mendonte gjithnjë të xhironte diçka në Shqipëri. Dhe rasti erdhi vite më vonë me filmin “Trëndafili i Bardhë» mbi jetën e ish -mbretëreshës Geraldina Appony Zogu e integruar dhe në historinë e vetë monarkisë, por ku shquhej një ndjesi poetike dhe dashurie rreth këtij personazhi, që u detyrua të emigrojë dhe të kthehet në Shqipëri pas afro 60 vjetësh, duke jetuar gjithnjë me gjuhën dhe mallin për Shqipërinë. Një film i mirëpritur nga publiku dhe gjithnjë në stilin e veçantë të filmave të tij ku gërshetohet dokumentacioni historik me shkrimin poetik në zbulimin e botës së përsonazheve. Po ai zë i veçantë, po ai ritëm i ngadaltë, po ajo poezi e mirëfilltë zanore, me timbrin e ngadaltë dhe të qetë të zërit të tij që të shkëput nga realiteti për të të futur në një botë tjetër, në atë të personazhit dhe të një kohe tjetër, për të jetuar thellësisht dramën njerëzore.

Duke folur rreth këtij filmi, gjatë një interviste ai do të thoshte: “Geraldinën e takova në vitin 1989 në emisionin tim “Du côté de chez Fred”. Ajo grua më kishte bërë kureshtar: si mund të shpjegohej që një grua e cila kishte lënë mbretërinë veç një vit më pas, të mund të ruante gjatë gjysmë shekulli pas rënies së mbretërisë një prestigj të madh ndër familjet e tjera mbretërore. Gjatë takimit tonë ajo ishte shumë simpatike. Vërtet ishte bota e dikurshme, por kishte sharmin e mirësjelljes. Për më tepër, shumë të afërm të mi janë me origjinë shqiptare dhe unë ndjehem solidar me këtë vend, pra me historinë e tij”. Pyetjes se përse shqiptarët kishin patur një lloj kulti rreth saj, ai i ishte përgjigjur: “Padyshim është diçka e çuditshme. Por gjithnjë tek njerëzit që kanë jetuar regjime çnjerëzore gjatë disa dekadave, d.m.th një diktaturë të egër, ata kanë një nostalgji për pafajësinë. Dhe Geraldina ishte pikërisht imazhi i pafajësisë… Gjashtë muaj para se të vdiste, më 2002 ajo u kthye në Shqipëri dhe ky ishte një çast i një katarsisi kombëtar…”

Për të ka qenë gjithnjë një kënaqësi e veçantë të vinte në Shqipëri, të takonte personalitete politike e artistike, në kontaktet shtetërore apo private duke njohur gjithnjë e më shumë historinë shqiptare dhe dramat e saj. Njeri i udhëtimeve, i historisë dhe i gjeografisë, ky dishepull i Herodotit të lashtë, pas shumë vizitash në Shqipëri, një personazh tjetër e ngacmoi për realizimin e një filmi të ri dokumentar: ky ishte arkeologu francez Léon Rey, zbuluesi i Apollonisë në vitet ’30 të shekullit XX. Kështu një udhëtim i ri artistik e çoi drejt Shqipërisë, Apollonisë, zbulimit të antikitetit shqiptar, vendit ku në akademinë ushtarake kishte studjuar Oktaviani, ai që më pas do të bëhej perandori i parë i Romës se Cezarit.

Përsëri një gërshetim i historisë dhe poezisë, ku ndërthurej aktualiteti i atyre viteve me antikitetin romak. Kësaj rradhe, zëri i tij melodioz, merr rolin e vet Leon Rey, duke treguar historitë e tij personale, ngazëllimet e zbulimeve nën tokë në kodrinën e Pojanit dhe dashurinë për Shqipërinë. Frederik Miteran ka shumë miq në Shqipëri, në Paris dhe në Tiranë, dhe sa herë rivjen në tokën shqiptare ai pritet krahëhapur. Këtë dashuri, Miterani e ka treguar gjithnjë para kamerave të televizioneve shqiptare. Intervista e fundit e gazetares Monika Stafa rreth katedrales së “Notre Dame” për “Top Channel”, ishte rast që ta takoja dhe në shtëpinë e tij. I rrethuar gjithnjë mes librash, tablosh, grafikash, fotografish nga me sensacionalet, ky njeri dëshmonte gjithnjë shijen e përkorë të tij.

Gjithnjë një mirësjellje e jashtëzakonshme, po ajo kulturë e përftuar ndër vite në sajë të pasionit dhe të një studimi të vazhdueshëm për të zbuluar botra të reja. Një nga lidhjet e reja me Shqipërinë është dhe ajo me ambasadorin Dritan Tola, një lidhje kjo e madhe në sajë dhe të këtij ambasadori të përkushtuar që di aq mirë ti vlerësojë njerëzit e shquar të artit, diplomacisë dhe politikës. Shprehje e mirënjohjes për të ishin dhe disa shqiptarë të pranishëm në sallën e akademisë si dhe princ Zogu me gruan e tij, Skënder Zogu, Liria Begeja, etj. Për akademikët e pranishëm ishte diçka e rrallë që aq shumë njerëz donin ti shprehnin atij përgëzimet e tyre.

--------

Itinerare të reja

Veç të tjerash Frederik Miteran është dhe një eseist i rrallë, një romancier shumë fin dhe origjinal çka e shohim tek libri i tij “La mauvaise vie”, “Recréation”, “Le duel, Victor Hugo et Napoléon III”. Në fjalën e tij kushtuar Zhanë Moro-së, plot elegance, ai tregoi rreth pikëtakimit të tij të parë me të në vitin 1957, atëherë kur ajo ishte në hapat e para të kinemasë. Ai kujtoi filmin e saj mitik “Jules et Jim” të Louis Malle apo “L’Ascenceur pour l’echafaud” të François Truffaut, dy nga regjisorët më në zë të kinematografisë franceze. Ai foli për atë miqësi të madhe që e lidhte me të gjatë viteve e gjer në fund, kur ajo luante ende në kinema dhe në skenën e teatrit, duke bashkëpunuar me regjisorë të mëdhenj, siç kishte interpretuar në filmat e dramat me Orson Wells, Peter Bruck, Fasbinder, etj. Ishte i mrekullueshëm lëvdimi i tij për të dhe artin triumfues.

Në fund të ceremonisë, akademikja “shok” e kësaj akademie, iraniania Fatah Pahlavi, një emër i njohur tashmë në fushën e arteve dhe trashëgimisë kulturore, i dorëzoi “shpatën” e akademisë, “shpatën e tolerancës” siç e quajti ajo. Një shpatë, që duke e marrë në duar, Frederik Miterani tha: “Në këtë shpatë kam gdhëndur emrat më të dashur të familjes si dhe shprehjen e nënës time që në moshë tepër të thyer ka thënë: ”Më ka mbetur ende shumë për të bërë…” Kjo pra është deviza për të, pasi pas aq shumë realizime, libra të shkruara e të botuara, në vitalitetin e tij artistik, energjinë dhe kujtesën fenomenale, shumë projekte janë në pritje të realizimeve të reja. Le të shpresojmë që itinerari i tij artistik do të kalojë përsëri në tokën shqiptare ku ne do ta presim plot dashuri këtë mik besnik të Shqipërisë./GSH