Kulturë

Një histori vere - Nga Luan Rama

  • Published in Kulturë

Fragment nga libri “Vera ky nektar i njerëzve dhe hyjnive”

Duhet të kem qenë rreth 7 vjeç kur kam përjetuar eksperiencën e parë të verës. Meqë atë kohë më mbante gjyshja, një të shtunë ajo më mori për dore dhe shkuam në një dasëm ku kushëriri i saj, i martuar me një greke të bukur që para lufte, martonte vajzën. Shtëpitë tona ishin afër dhe e mbaj mend shumë mirë atë natë të zhurmëshme e plot njerëz, në atë pallat pranë stacionit të trenit, ku sapo ishte shtruar darka dhe kur ngriheshin dollitë. Nuk di pse u ndodha në banjën e atij apartamenti, ndoshta nga mërzia që s’isha ulur në tavolinë, por ja tek pashë pas derës një fuçi të vogël rezervë me verë të hapur dhe kureshtar siç isha fillova ta provoj. Më shijoi shumë ai lloj mushti vere të kuqe, e ëmbël si mjaltë dhe nuk di sa piva, por mbaj mend që kur dola dhe shkova në dhomën ku ishin shtruar në tavolinë nusja dhe dhëndri unë thërrisja me fjalët: “Puthe nusen!” Ishte një lloj urdhëri ku të gjithë qeshnin me mua dhe ndërkohë që dhëndërri puthte nusen unë përsërisja fjalët e mia “Puthe nusen!” Të gjithë ishin habitur me çakërqefin tim, qeshnin, më ngacmonin, por shpejt lajmi u përhap se kisha pirë nga vera e fuçisë që ruhej në banjë, pasi dhomat e atij apartamenti të një stili sovjetik ishin si kutia shkrepseje.

Në pallatin e bulevardit “Stalin” ku banoja një kohë në Tiranë, në mbrëmjet e vona të netëve, në verë apo në dimër, që tutje dëgjonim thirrjet e një fqinji beratas që me një shishe në dorë i afrohej duke u lëkundur shtëpisë së tij, një shtëpize dykatëshe ngjitur me pallatin tonë. Ishte i dehuri ynë i përnatshëm, zhurmëmadh dhe grindavec, por që asnjëherë nuk binte, megjithë “baletin” e habitshëm të tij deri në pragun e shtëpisë e ku më së fundi përplasej. Ndryshe nga ai, në pallatin e “Petro Markos” siç e quajmë tani, atje ku banoja me gjyshen, dy të dehur simpatikë ishin gati të përhershëm, e sigurisht kjo jo të përditshëm. Dy të dehur që ndryshonin shumë nga njëri-tjetri: i pari, gazetar dhe kryeredaktor i revistës humoristike Hosteni, Niko Nikolla, gjithnjë i gëzuar dhe hokatar, dhe i dyti gazetari Vangjush Gambeta, i zymtë si një murg dhe që nuk i fliste askujt, veç ne fëmijëve duke na dhënë ç’kishte në xhepat e tij…

Eksperienca ime e dytë ishte në rininë time, kur me një mikun tim të ngushtë, tek “Hotel Peza”, në birrarinë e saj blinim nga një shishe me verë të kuqe “Malaga”, e ëmbël por me shumë alkool, dhe në mbrëmjen e vonë, në mesnatë, çakërqef, ne dilnim në pallatet përreth dhe unë thërrisja: “Gra, dilni në punë vullnetare!”… Papritur hapeshin drita, disa koka shfaqeshin dhe papritur fillonin të sharat: “Vagabond!... Prit aty se erdha!...” Ndërsa ne qeshnim dhe fshiheshim në errësirë për të bërtitur tek pallatet e tjera, pa menduar se mund të na akuzonin si kundërshtarë të «punës vullnetare» që kërkonte Partia.

Eksperienca e tretë ishte më vonë kur gruaja ime do të lindte fëmijën e parë. Që disa muaj përpara, meqë isha kineast dhe bridhja nëpër Shqipëri, kudo ku shkoja, në veri e jug, në qytetet ku ishin kantinat e verës, e bëra zakon të vizitoja kantinat. Ngado kërkoja shishe të ndryshme vere, nëpër dyqanet, në qytete e fshatra dhe mblodha kështu një koleksion të jashtëzakonshëm për atë kohë prej rreth 90 lloje verërash, të gjitha të ndryshme, të kuqe, të bardha, por asnjë “rosé”, duke përfshirë këtu dhe verërat më të mira që mendoja se kisha siguruar si një shishe me etiketën e «Dea»-s së Butrintit, apo shishet e «Kallmetit», disa të Librazhdit, ku njihja dhe inxhinjerin e prodhimit të verërave. Por kur gruaja shkoi në maternitet, ai koleksion u pi nga shokët e mi, duke festuar para kohe gjatë gjithë një jave. Kështu veç një shishe mbeti për ta pirë me gruan time.

Megjithatë, eksperienca e vërtetë me verën ndodhi kur erdha në Francë, ku duke qenë diplomat, ishte mundësia që në pritjet e shumta që jepeshin në pallatin presidencial apo në ministrinë e Punëve të Jashtme, në Quai d’Orsay, të shijoje nga verërat e mira, por sigurisht jo ato që mbaheshin si kampione të verërave franceze. Por sidoqoftë, në Francë, edhe një verë që kushton lirë, është gjithnjë një verë e mirë, e këndëshme, e sigurtë, pasi është e kontrolluar, AOC.[1] Francezët nuk guxojnë të bëjnë “lojra” me verën. Sigurisht, banketet zyrtare ishin ato që na mundësonim të provonim verëra të zgjedhura, si “Saint-Emilion” të cilësisë së lartë (Premier cru) apo, “Saint-Estephe”, “Angelus”, verërat “Pommerol”, etj.

I kujtoj gjithnjë vizitat dhe darkat në shtëpinë e ish-ministrit Jacques Augard. Atëherë ai ishte “ancien senateur”, ish-senator dhe drejtonte grupin e ish-senatorëve në Senatin francez. Më parë kishte qenë ministër i qeverisë për “Outre-Mer”, pra për departamentet e Francës përtej detit, si Guajana, Martinika, Kaleidonia, Guadelup, Reunion, etj. Jacques Augard kishte kujtime nga Shqipëria që kur ishte i ri dhe kishte vizituar vendin tonë si dhe Liceun e Korçës në fund të viteve 30’. E donte shumë Shqipërinë dhe madje kishte shkruar për Regjimentin e Shqiptarëve që ishte krijuar në Korfuz nën flamurin e Napoleon Bonapartit, “Le Régiment des Albanais”. Në ato kohë të ndryshimeve politike dhe tronditëse për politikën shqiptare, ai na pyeste dhe interesohej për hapat e para të demokracisë në Shqipëri. Disa herë kemi qënë për darkë me Helena dhe Ismail Kadare në shtëpinë e tij, por Augard, ishte një njeri që e kishte merak t’i kënaqte mysafirët e tij me verërat më të mira. Dhe gjithnjë do të gjeje tek ai «Chateau Margaux», apo «Saint Julien», «Château-Neuf-du-Pape», verëra shumë të mira të Bordeaux apo të Bourgogne-s, etj… Dhe gjithnjë vera hidhej ngadalë në një “carafe” (kanë) kristali për tu shërbyer pastaj në tavolinë. Augard kishte ritualin e tij në shërbimin e verës. Nganjëherë pyeste rreth verës shqiptare, në një kohë që në kushtet e egra të dimrit shqiptar të vitit 1992-1993, shumë vreshta u shkatërruan, ku hardhi dhe pemë ulliri u prenë nga njerëzit e thjeshtë për tu ngrohur, pasi vreshtat dhe ullinjtë mbetën pa zot. E megjithatë kohë më vonë do të merrja vesh se pikërisht vreshta shqiptare e brigjeve ilire që në shekullin e parë të erës sonë kishte kapërcyer Adriatikun e Mesdheun dhe kishte ardhur në jugun e vendit të galëve, në Francë dhe ishte mbjellur në bregun e majtë të lumit Garonne duke u quajtur “Vitis Biturica”, pra vreshta e biturgëve, meqë ajo tribu quhej kështu në këtë kohë. Ishte ajo që do të ishte paraardhësja e hardhive të llojeve “Graves” dhe “Medoc”, që duhet të jetë dhe pararendësja e hershme e Cabernet-Franc dhe Cabernet-Sauvignon. Këtë të dhënë që ka të bëjë me shekullin e parë të erës sonë do të na e mësonte historiani i verërave R. Pijassou.

Ishte një rastësi të zbuloja se dhe Parisit i kishte mbetur një vreshtë e vetme dhe kjo ndodhej në një vend që edhe pse i mbytur nga turistët, të rrallë janë ata që e shohin, pasi ajo ndodhet menjëherë pas bazilikës së “Sacre-Coeur”, në kodrën e Montmartre-s[2]. Dhe kjo ndodhi në një ceremoni të vjeljes së rrushit që organizonte bashkia e Montmartre-s, e cila ishte një festë e vërtetë edhe pse bëhej fjalë për një vreshtë të vogël, vetëm prej 1556 metra katror dhe që mbrohej nga UNESCP. Sigurisht ishin artistët që kishin ngulmuar ta ruanin atë vreshtë për vetë vëndin historik ku ndodhej dhe jetën e veprimtarinë e shumë artistëve të shekullit XIX e XX që lidhej me të, një vreshtë që quhej “Clos de Montmartre”. Në fakt, në kohët e vjetra, mbretërit e hershëm të vendosur në Saint-Denis apo në Louvre e Versailles, kishin vreshtat e tyre në Paris dhe rrethinat e tij, madje ato ishin në pjerrësitë e kodrës së Saint-Geneviève jo larg brigjeve të Senës. Por kuptohet, vera e tyre nuk ishte ajo e vreshtave të Bourgogne-s apo Bordeaux-së. Sidoqofte, pas të vjelave, mbi Paris sundonte aroma e rrushit. Njerëzit nxitonin të shtypnin rrushin për të prodhuar pastaj verën.

Vitin e dytë të qëndrimit në Paris, për herë të parë në jetën time do të bëhesha anëtar i një shoqate apo “confrérie” siç e quajnë francezët për verën, si “miqtë e Bacchus-it” në qendër të Francës, në Chateauroux dhe shkak për këtë u bë miku im doktor Philippe Beauchamp, nga Vesdun, ku trupa e Teatrit Popullor sapo kishte ardhur për të dhënë atje shfaqjen ”Kush e solli Doruntinën”. Dhe pranimi bëhej përmes një ceremonie serioze, ku të vishnin petkun e veçantë me emblemat përkatëse, të jepnin emblemën e shoqatës, një medalion prej bronxi dhe ku shtrohej një gosti me verë. Kështu ti bëheshe mik i vreshtës dhe i verërave të atij vendi, një verë e kuqe, mjaft e këndëshme dhe ku të nesërmen mezi do të zgjoheshim. Ishte interesante se këto “confrérie” të verës ishin të përhapura ngado dhe ato e kishin origjinën që në kohën e Mesjetës dhe quheshin “confrérie bachique”, të cilat u ndaluan në kohën e Revolucionit Francez, por më pas lulëzuan sërish. Atëherë, ishte peshkopi i Dijon-it, ai, i cili u përpoq ta rivendoste ligjin për këto shoqata të Bacchus-it, ku patron i të gjithave ishte Saint-Vincent. Dhe gjithnjë po ajo ceremoni do të vazhdonte me fjalët:

Nga Noe, ati i vreshtës

Nga Bacchus, zot i verës

Nga Saint-Vincent, patron i vreshtave

Ne ju bëjmë Kalorës, Chevalier du Tasterin…»

Kështu, rastësia e solli që edhe unë të bëhesha një «chevalier», një «kalorës» i verës. Sidoqoftë, në Paris pikëtakohen të gjitha verërat e Francës, pasi ato i gjen në ato mijra bistro, restorante, kafene që e gjallojnë këtë qytet mitik aq të lidhur me verën. Vera e poetëve, e artistëve, letrarëve. Gjithnjë vera... dhe një botë e tërë rreth saj, pasi verën njerëzit jo rrallë e lidhnin me erotizmin. Mjafton të shohësh afresket e Pompeit dhe kupat e verës në duart e dashnorëve. Në shekullin e XVIII, në Avignon, shishet e verës quheshin «fillets» (vajza) dhe ata kishin një shprehje interesante që thoshte «baiser une fillete», d.m.th. «shkova me një vajzë». Vera stimulonte libido-n. Ndoshta dhe vera ka luajtur një rol që papët ta zgjasnin qëndrimin e tyre në Avignon për një kohë të gjatë.

Mjafton të shëtisësh në rrugët e Montmartres, të Montparnasse, të Quartier Latin apo buzë Senës për të shijuar magjinë e verërave franceze. Pikëtakon verën dhe adhuruesit shekullorë të saj, pasi me verën ishin të lidhur aq shumë poetë si Baudelaire, Rimbaud, Verlaine… shkrimtarë si Flaubert, Dumas, Hugo dhe më shumë Balzac apo Maupassant e Gauthier dhe qindra të tjerë, të cilët i kanë kënduar verës dhe kanë shkruar episode dhe copëza jete që lidhen me të. Në kafenetë dhe bistrotë si «Les Deux Magots», «Le Flore», «Lipp», «Le Dôme», «La Coupole», «La Rotonde», «Le Selecte» apo «Closerie de Lilas», të gjitha këto në Montparnasse, tregimet e verërave janë të pambarimta, ashtu siç i përshkruan dhe Hemingway në librin e tij «Parisi, një festë e pambarimtë».

Në «La Coupole», në vitet  20’ të shekullit XX, pikëtakoje Hemingway, Dos Pasos, Fitzgerald, Sherwood Anderson, të gjithë ata amerikanë që vinin të pikëtakonin magjinë pariziane dhe që amerikania Gertrud Stein i quante «Brezi i humbur». Nëse shkoni në Rue de Buci, pranë Odeon-it, aty lart, në çatinë e asaj ndërtese, unë u tregoj miqve të mi që vizitojnë Parisin sesi aty, i dehur, Rimbaud dilte dhe hidhte në rrugë rrobat e tij deri sa xhvishej i tëri lakuriq… dy hapa më tej në Rue de Seine, është një lokal që quhet «La Palette», ku mblidheshin dhe vazhdojnë të mblidhen piktorë, por që dikur, kur s’kishin para për të paguar verën, atëherë ata i dhuronin patronit të bistrosë paletat e tyre të ngjyrave, meqë e dinin se ai adhuronte pikturën. Në dalje të Parisit, në Port-Marly, thuhet se vera derdhej «lumë» në shtëpinë e re të Alexandre Dumas, i cili sapo e kishte ndërtuar, duke e quajtur «Kështjella e Monte-Kristos». Aty ai shkruante, ndërsa ballë saj, në një tjetër vilë, ai organizonte mbrëmje madhështore, ku piheshin verëra nga më të mirat. Por shpejt, shumë parizianë që vinin me karroca, dyndeshin në mbrëmjet e tij dhe ndodhte që të vinin dhe 600 njerëz, të ftuar e të paftuar, pasi Dumas priste bujarisht dhe ata që nuk i kishte ftuar… Por padyshim edhe Montmartre ka historitë e mrekullueshme që lidhen me verën, pikërisht aty rreth bazilikës, historitë e «Bateau-Lavoir» ose të «Lapin Agile» ku dehej Gustave Courbet, Modigliani apo lokali i famshëm ku jetonte Utrillo, ku në katin e dytë, në disa tryeza të thjeshta të një kohe të vjetër mund të pish një verë të rrallë, si në një bistro qyteze rrethuar me lule. Po në cep të Parisit, në Porte de Saint-Ouen, është një «bistro» e vjetër, tashmë një restorant-teatër, i cili në fillim të shekullit XX mbahej nga një shqiptar, që emigrantët e vjetër e quanin «Princ Malik» e që sot e menaxhon mbesa e dikurshme e tij, një aktore teatri. Në fakt ishte një emigrant çam, Maliq Hajrullahu. Bistroja quhej, si dhe tani, «A Piccolo», që do të thoshte “Tek vera piccolo”, pra që ishte një verë popullore dhe jo nga verat e zgjedhura franceze, ku dhe të varfërit shkojnë «à piccoler», d.m.th. të pijnë. Njëlloj si verërat që dikur quheshin «pinard» dhe që s’ishte gjë tjetër veçse vera që u jepnin ushtarëve në luftë, siç kishte ndodhur dhe me ushtarët francezë në frontin shqiptar gjatë Luftës së Parë Botërore. Pranë pushkës ata kishin dhe paguren e tyre me verë, një verë sigurisht e përzier me ujë, pasi s’mund të mbahej një ushtri me verë. Ndryshe vera e vërtetë do t’i çonte të dehur në betejë…

Në Paris ka një «Musée du Vin», që ndodhet në bregun tjetër të Seine-s përballë kullës Eiffel, në një vend disi të fshehur e të strukur, në atë faqe disi kodrinore që në shekujt e mëparshëm kishte veç livadhe e vreshta. Pikërisht sipër tyre, është sot dhe shtëpia-muze e shkrimtarit të shquar Honoré de Balzac, një tjetër amator i madh i verërave, i cili u fshihej atje huadhënësve që i kërkonin paratë, por që vite më pas do të vdiste po atje. Pra në atë vend ndodhet një muze interesant verërash, pasi dikur aty ka qenë një kuvend fetar, i cili në kohën e Revolucionit Francez, u prish dhe mbetën vetëm ato salla të futura në shkëmbenjtë gëlqerorë që përbëjnë sot dhe sallat e muzeut, ku mbahen konferenca rreth verërave të shoqëruara me degustime interesante. Në fakt, ishte një kuvend i urdhërit «Vëllezërit e urdhërit Minimes të kuvendit të Passy», të vendosur aty që në shekujt XVI-XVII. Madje dhe mbreti Louis XIII, kur dilte për gjueti në pyllin e Boulogne-s, rreth Parisit, kthehej aty të pinte një gotë verë, një «clairet» siç e quanin fretërit. Në udhën për atje, mund të shohësh gjithashtu veprat skulpturale para shatërvanit të madh që na tregojnë tablo të vjeljes së rrushit në provincat franceze. Verërat më të mira, padyshim, mund t’i pish në restorante si «La Tour d’Argent», «Chez Maxim’s» në praninë e Pierre Cardin, apo në «Laserre» në «Ladurré», në «Crillon» «Fouquet’s», «Closerie des Lilas» ose «Plazza Athènée», apo shumë lokale të tjera të cilat kanë somelierë[3] me emër.

Sidoqoftë verëra të mrekullueshme ka në qilarët e Pallatit Presidencial «Elysées», në atë të Quai d’Orsay, në Senat dhe në Asamblenë Parlamentare (Hôtel de Lassay) ku ndodhen koleksione verërash të jashtëzakonshme. Janë vera të rralla, siç ishte ajo që pinte de Gaulle me Kennedy gjatë vizitës së tij në Paris, në maj të vitit 1961, kur në tavolinën e shtruar ata pinë «Cap de Mourlin» të vitit 1945. Kur Mitterrand fitoi zgjedhjet në 10 maj 1981, në darkën me atë rast u shërbye «Château Haut-Brion» e vitit 1970, ndërsa kur u hoq dënimi me vdekje, në shtator të atij viti, Mitterrand nxorri verën «Château Auson» e vitit 1975, edhe pse ai nuk ishte shumë i dhënë pas verës, siç ishte në të kundërtën Chirac. Djali i tij, Jean Christophe Mitterrand thoshte se «im atë nuk është një njohës i hollë i verërave”. Kur Jacques Chirac fitoi zgjedhjet më 1995, ai i telefonoi menjëherë mikut të tij, ish-kryeministrit Raymond Barre, që të shikonte me nxitim nëse kishin mbetur ende në qilarin e presidencës “HBB”. Ky ishte kodi që donte të thoshte vera «Haut-Brion» e Bardhë. Me verën «Château Haut-Brion» e vitit 1990, e kuqe, Chirac festoi me presidentin brazilian Fernando Caroso kupën e kampionatit botëror të futbollit. Pas vdekjes së Mitterrand, në ankand në Hôtel Drouot, u shitën qindra shishe «Château Margaux» të vitit 1948, të qilarit të tij personal. Në qilarin presidencial vite me rradhë qëndronin mbi 15.000 shishe verërash nga më të zgjedhurat, shifër kjo që çuditërisht u shtua në 24.000 shishe në kohën e presidentit Sarkozy, edhe pse ai nuk e parapëlqente shumë verën. Në këtë qilar gjen vera si «Château-Brion» të viti 1970 dhe 1989, apo «Chateau Brion» e bardhë e vitit 1990; janë gjithashtu verëra si «Château Auson», «Chateau Lafite Rothschild» apo «Château Mourlin» e 1945. «Château Lafite» të vitit 1986 dhe 1989 janë, siç thonë specialistët «shishe mitike të një millesime të jashtëzakonshëm». Si të thuash, në atë qilar është një pjesë e historisë së Francës: «Petrus», «Yquem», «Figeac», «Margaux», koleksione të viteve 1947, 1959, 1960, 1962 e deri tani… Presidenti Georges Pompidou pëlqente verën «Mouton Rothschild», mesa duket meqë kishte qenë dikur punonjës i bankës «Rothschild», presidenti Giscard d’Estaing, pëlqente «Château Clos de Vougeot», Mitterrand dhe Jospin, verën «Saint-Estèphe» («Haut - Marbuzet»)…

Nëse ju bie rasti të shkoni në «Ritz», kthehuni një çast në «Bar Hemingway», një bar që ka poetikën e një pikëtakimi imagjinar me Hemingway, pasi aty janë fotot e tij që të rrethojnë, fotografitë si «korrespondent lufte» pranë ushtrisë amerikane. Aty ai shkruante dhe pinte verë, që andej dërgonte korrespondencat e tij të luftës. Në kujtimet e tij, Hemingway kujtonte dhe atë çast të çlirimit të Parisit, kur ai u ndodh në «Hôtel Ritz» dhe ku atë mbrëmje e festoi me verërat e shumta të qilarit të hotelit të famshëm parizian. Ç’festë!... (Vijon)

[1] AOC (Appellation d’Origine Controlée) nga latinishtja «appelatio», emërtim, AOC tregon jo vetëm vendin nga vjen vera por dhe si është prodhuar. Në Francë kjo u bë me dekret të vitit 1935. Sot ka një institut të emërtimeve të origjinës së verës, INAO.

[2] Në fakt, ekzistojnë ende dhe disa copëza fare të vogla si «Clos Morillons» në Parkun Brassens, «Clos Mélac», në lagjen Charonne apo dhe dy të tjera në Belleville e Bercy.

[3] Vjen nga fjala “sommerier”. Në Mesjetë, cilësohej kështu  ai që udhëhiqte bagëtitë ose që kujdesej për ushqimet (shek.XIV). Në shekullin e XIX filluan të quajnë kështu atë që merrej me cilësinë e verës dhe u jepte këshilla klientëve.

©Luan Rama