Kulturë

Si e njoha unë Ali Podrimjen - Nga Albana Mëlyshi Lifschin

  • Published in Kulturë

Albana Mëlyshi Lifschin

Ka qenë një ditë vjeshte e vitit 2009 kur mora mesazhin e parë elektronik nga Ali Podrimja ku më shkruante se kishte lexuar dy herë librin tim me poezi “Dje preva flokët” dhe se përveç poezisë titullin e të cilës mban libri, i kishin pëlqyer mjaft poezitë e shkurtra. Por mesazhi nuk mbetej në kufijtë e një komplimenti, siç ndodh zakonisht, por sugjeronte:

“Ndiqni rrugën e poezisë eliptike, filigramit zonjë. E bëni këtë për hir të poezisë tuaj dhe letrave shqipe”.

Ishte një porosi nga një Poet i Madh për një krijuese që ai s’e kishte parë, e ndoshta s’kish dëgjuar me pare për të. Ky sugjerim bujar ngjalli tek unë ndjenjën e një respekti të veçantë për Ali Podrimjen. Deri atë kohë kisha marrë komplimenta e urime nga lexues e kolegë, nga poetë të njohur e të respektuar. Por askush si Podrimja deri atë kohe, s’ishte prononcuar në një mesazh privat në emër të letrave shqipe, duke ngacmuar ndjenjën e madhe të përgjegjësisë që duhet të kemi kur  vëmë penën në letër. Në ciklet poetike që shkrova më pas, disa nga koleget e mi, poetë dhe gazetarë, publikisht por edhe në privat pohuan se po shohim “një Albanë të re”. Ishte ndikimi i Podrimjes.

Në mesazhin e Poetit dërguar në postën time, në 31 Dhjetor 2009, lexova:

"Ajo që më gëzon është se poezia juaj gjithnjë e më pak ka fjalë të tepërta. E shoh se Ti dallon shumë nga poetet e tjera të hapësirës shqiptare. Artikulimi yt poetik sa vjen e bëhet më interesant për lexuesit. Urime poeteshë dhe suksese gjatë vitit që po trokasim.”  Atë kohë jam frymëzuar e kam shkruar vargjet kushtuar atij tek “Shkalla e poezisë”.

 

Zotëri,

bujarisht,

nga ai fron perëndie

ku qëndroni Ju,

më lëshuat një shkallë.

Ngjitu, më thatë

Por a mundem?

Tek ju shoh Ju aq lart,

Ndjej të më merren mend.

 

Në faqet e Jetës se Re, në 60 vjetorin e saj, në mbyllje të vitit, qenë botuar disa poezi të miat. Ndërsa në letren e 26 Janarit, 2010, Z. Ali Podrimja, më shkruante:

“Pata fat ndoshta që i pari i lexova poezitë Tuaja të fundit. Keni arritur një shkallë të lartë të ekliptizmit dhe kjo më gëzon. Ju lutem filloni t'i sistemoni nëpër cikle dhe ta krijoni librin e ri të cilin do t'ma dërgoni para botimit."

Dhe kështu ndodhi që unë pata nderin që Ali Podrimja, Poeti ynë kombëtar, të përgatiste për botim vëllimin poetik “Ka gjithmonë diku” duke shkruar edhe parathënien e tij.

Ndihesha sa e nderuar aq edhe e habitur njëkohësisht me thjeshtësinë, me sakrificën kohore që AI bënte për të inkurajuar poetët. Koha është e çmueshme për të gjithë, por edhe më e çmueshme për përfaqësuesit e vlerave tona kombëtare. Ne ua respektojmë kohën atyre. Por Ali Podrimja nuk e përdorte atë vetëm për poezinë e tij. Ai jepte kohë nga koha e tij edhe për krijuesit e tjerë, të rinj apo të vjetër qofshin, dhe kënaqësia që i jepte kontributi për ta ishte e madhe. Kështu mund ta përjetojë vetëm AI që ka zemër fisnike. Ali Podrimja ishte vazhdimisht në kërkim të së bukurës në letërsi duke e ndjerë si “obligim ndaj poeteve, por edhe si guxim moral” ndërkohë që udhëhiqte si POET dhe si NJERI. Poetin e njoha personalisht pas botimit të librit, kur shkova në Prishtinë për ta falenderuar e shprehur mirënjohjen time. Nuk e kisha parë asnjëherë. Më priste në aeroport bashkë me kolegen e Radios Vera Pelaj. Kisha lexuar kryeveprën e tij “Lum lumin” dhe kisha mbetur sa e drithëruar aq edhe e mrekulluar. Kisha lexuar esetë tek “Sfida e harrimit”, kisha parë kulturën, artistin e fjalës dhe fisnikërinë shpirtit. 

Duke përfunduar këtu, desha të citoj kritikun Bashkim Kuçuku kur thotë: “Ali Podrimja, nuk jeton vetëm me poezinë e tij, por me krejt poezinë shqipe. Për dhjetra vjet duke punuar si redaktor në Shtëpinë botuese “Rilindja”, Podrimja ka ndikuar ndjeshëm në përpunimin dhe ngritjen cilësore të saj… në vëllimet e shumtë që ka redaktuar, të disa brezave, është edhe inkurajimi, “ndërhyrja’ apo qortimi mjeshtëror i tij… Me këto ndihmesa, krahas poezisë së vet është bërë poeti më autoritar dhe më i përkujdesshëm ndaj krijimtarisë së poetëve të tjerë, sidomos të rinjve… Nuk është e rastit që pikërisht Ali Podrimja, ka patur dhe vazhdon të ketë dishepuj, më tepër se çdo poet tjetër i ditëve të sotme.”

Ali Podrimja u largua papritur nga ne 8 vjet më parë, por Poeti i Madh vazhdon e do të vazhdojë të lëshojë shkallë inkurajimi për krijuesit, siç shprehej ai “për hir të poezisë, për hir të letrave shqipe”.

©Albana Mëlyshi Lifschin