Kulturë

Psalmet dhe ligjërimi poetik i Moikom Zeqos - Nga Vangjush Ziko

  • Published in Kulturë

Vangjush Ziko - Toronto

Kam përpara njëmbëdhjetë Psalmet e Moikomit, që janë ndër perlat e tij poetike, të botuara në vëllimin “Grifonët në shishe” (faqe 150-160).

Tematika e këtij cikli është një tematikë sa alegorike, aq edhe filozofike.

Ajo është e veçantë dhe e larmishme, tokësore dhe kozmike, konkrete dhe abstrakte, nostalgji dhe skepticizëm. Cikli të krijon ndjesinë e shpërbërjes së kozmosit dhe të bjerjes së përfytyrimit tërësor të botës, të rolit të shpirtit njerëzor në dramën e madhe të ekzistencës.

Psalmi i parë na flet për trojet e heshtjes ku, përtej ekzistencës rritet shpejtësia e ëndrrës për të folur (151); duke vazhduar me universin që rrjedh mes syve të Asgjësë (152); me vdekjen dhe me pavdekësinë (153); për udhëtarin e çuditshëm naiv vdekatar për të cilin nuk ka as ekuinokse dhe as stinë (154); për Sakramentin e shpëtimit (155); për fëmininë e humbur të cilën mund ta gjejnë vetëm sytë e Nënës të stamposur në fotografi (156); për zanafillën e mendimit, që fillon me shqelmat e foshnjës në barkun e nënës dhe zemrën që rreh brenda çdo sendi (157); mbi skepticizmin ndaj magjepsjes në botën ku ka kaq shumë asgjë dhe kaq pakohësi te koha (158); për këpucët e vjetra poshtë shtratit, që grishin këmbët e së Nesërmes (159); për nostalgjinë për vendlindjen ku jeton gjysma e tij prej fëmije (160); për vegimet e shprishura dhe mallkimet e Babilonisë që shungullojnë (161).

I gjithë cikli është një dialog me ekzistencën dhe me mosekzistencën, me të panjohurën dhe, në të njëjtën kohë, një monolog me vetveten, me tokësoren e përkohshme dhe me të përjetshmen.

Kjo brendi filozofike metafizike na dëshmon se kemi të bëjmë me një krijimtari intelektuale, e cila lind një krijimtari të figurshme të jashtëzakonshme, pa e sfumuar aspak ndjeshmërinë.

Po ndalem në tri atributet, që përbëjnë tre nga etapat e rëndësishme nëpër të cilat sendërtohet dhe merr krahë frymëzimi, tre komponentët që ngjizin figuracionin dhe formësojnë ligjërimin poetik të Poetit.

Imagjinata krijuese

Imagjinata është procesi psiqik që ndihmon në krijimin e imazhit të sendit, të situatës apo të një perceptimi abstrakt. Imagjinata rikonstruktohet në sajë të mbresave të përftuara nga aspekte të ndryshme.

Sokrati e ka përcaktuar imagjinatën si pjesë të pandarë të artit. Platoni e përshkruan si gërshetim të ndijimit dhe të mendimit. Aristoteli na flet për një produkt që rrjedh nga njohja e mjedisit që na rrethon.

Në të gjitha rastet nuk ka imagjinatë pa mendim. Por, në asnjë mënyrë imagjinata nuk barazohet me logjikën, sepse imagjinata presupozon transformimin ndjesor të realitetit, qëndrimin emocional ndaj tij.

Imagjinata krijuese e Moikomit dallohet nga liria e poetit për të formuluar mendimet, që i lindin në procesin e shprehjes poetike.

Ai krijon imazhe që nuk ekzistojnë aktualisht ose që nuk kanë ekzistuar. Ato janë figura ose situata fantastike të abstraguara, të veshura me konkretësinë e tyre të figurshme poetike.

Imagjinata e Moikomit i përket llojit aktiv të imagjimatës. Ajo krijon lidhje dhe asociacione të reja, brenda logjikës së tij krijuese, të konceptit të tij metafizik abstragues, duke iu shmangur apo duke i sfumuar mbresat e drejtpërdrejta, pa i përsëritur ato pikëpërpikë, pa i kopjuar, duke i rikrijuar poetikisht.

Sinkretizmi është tipari themelor i imagjinatës së tij krijuese. Poeti e pasqyron botën si lidhje të pandarë midis jetës dhe vdekjes, midis tokësores dhe kozmikes, të së kaluarës, të së tashmes dhe të së ardhmes në korelacion me njëra - tjetrën, duke interferuar ekzistencën me mosekzistencën.

Po ndalem në njeri prej psalmeve, në Psalm 153.

Tema qëndrore e tij është Vdekja, tema metafizike e qenies dhe e mosqenies: “pse isha (jam) kaq i vdekshëm”.

Poeti pasqyron këtu përvojën jetësore të shkaqeve të vdekjes: sëmundjen, aksidentin (gjaku ikën si zvarranik i lashtë); ceremoninë funebre të saj: “qivurin prej hëne”, “lopata prej gjethesh që hedh dheun mbi varr”: natyrën si sfond: “ dëborën që mbështjell si qëndisje dantellash bërë nga gishtat e ajrit”; trishtimin dhe zemërimin shpirtëror, që ka veshur maskën e poetit rebel antik grek, Antilokut, bashkë me revoltën shoqërore, që varros heronjtë e vrarë mes baltës dhe në fund lutja për faljen e shpirtit.

Në të gjen pasqyrim psiqika e tij e pasur me mbresa të gjithanshme, me përjetime të përditshmërisë njerëzore, meditimet e tij mbi jetën dhe vdekjen, mbresa nga leximet e teksteve biblike apo nga letërsia antike dhe imazhi kozmik i pagjumësisë së pavdekshme hyjnore. Një imagjinatë e begatë intelektuale e shoqëruar nga një super ndjeshmëri, gati mbinjerëzore.

Poeti bashkërendit gjithçka me gjithçkanë, ve re ngjashmëri, vendos lidhje të tokësores me tokësoren dhe të tokësores me qielloren, duke luajtur rolin e ndërmjetësit midis jetës tokësore dhe asaj kozmike. Ligjërimi i tij poetik është një dialog me të panjohurën.

Abstraksioni

Roli i abstraksionit në krijimtarinë poetike është i rëndësishëm. Ai është aftësia e poetit për të krijuar figuara artistike me anën e të menduarit mbi vetitë, tiparet dhe lidhjet e sendeve apo të fenomeneve midis tyre. Pa këtë figuracion nuk ka krijimtari të mirëfilltë.

Moikomi abstragon duke iu referuar një objekti ose një imazhi të nxjerrë nga realiteti ose nga mitologjia, apo nga një vepër arti. Ai krijon figura të qenieve të gjalla, të sendeve dhe të feomeneve të natyrës:

“jemi pasagjerë pa emra drejt mrekullive”,

qytetet janë “etiketa në baulen e Kujtesës”,

mëngjesi është po aq “i kushtueshëm” dhe “po aq i thyeshëm sa edhe qelqet veneciane”,

“universi lëviz, rrjedh mes syve dhe Asgjësë”.

Ai u referohet mitologjive të ndryshme:

“dhe shfaqet një këndez dioniziak si një klithmë Ferri”,

“dora e Dedalit, me gishtat e mi krijon krahë fluturues”,

“Gorgona flokëngritur ka fytyrën e një maceje hyjore egjiptiane”,

“mbaj si peng këtë vjeshtë si qengjin e artë për Pashkën e Amëshimit”.

Një vepre arti:

“parzmorja e Akilit” është “grila e dritares së poetëve”,

“brenda çdo druri të rëndomtë është Pinoku i mrekullive”,

“Hamleti, i fryn si sazeve, dhëmbëve të kafkës së Jorikut”,

kurse poeti vetë “përdor si saze dhëmbët e kafkës së Kukuzelit”,

“ndiej si barku i salamandrës së tempullit rrëshqitjen e fjalëve të barit të Whitmanit”.

Abstraksione vërtet të çuditshme dhe të papara, që shquhen për një abstragim konkret maksimal.

Magjepsja

Roli i magjepsjes është i njohur në krijimtarinë letrare. Magjepsja është çasti më sublim i frymëzimit, i tërheqjes pas diçkaje, që e bën për vete, e josh dhe e mahnit, duke ia marrë mendtë.

Pushkini e ka përshkruar kështu çastin e magjepsjes krijuese: “Dhe botën e harroj dhe bie në mendime/Më nanuris në gjumë përfytyrimi im...Lundron. Për ku do shkojmë?...”

Edhe Moikomi, me gjithë skepticizmin e tij ndaj realitetit (“jam skeptik dhe s'dua të magjepsem!”, Psalm 158) nuk e pengon dot magjepsjen e frymëzimit, e le të lirë dhe të shpenguar të harliset gjersa të qetësohet vetë:

“O, zjarret, që hapin bishtat e tyre prej pallonjsh paleokristianë!

O, mëngjesjet e mëdha të kthimit!

O, popujt e vdekur, që dinë nomatisjen time poetike për t'u ringjallur”

.............................................

O, Poezia, Sakramenti i Shpëtimit, pa një të dytë! (Psalmi 155)

“Timjani i një himni më pushton nga brenda!” (Psalmi 152)

Fëminia dhe adoleshenca janë pjesa më e shenjtë e kësaj magjepseje për Moikomin, është adresa që nuk e harron edhe në mes të kësaj tematike universale:

“Dhe një flakadan zjarri në sheshin e Durrësit është një kafshë aliene, padyshim” (161)

“Tani gjysma e kurmit tim është në Currilat, madje gjysma prej fëmije” (160)

Bukur e ka thënë Gëtja se, nëse kërkon të njohësh shpirtin e poetit, duhet të shkosh në vendin e tij të lindjes, ku e ka burimin kjo magjepsje, po shtoj unë.

Poezia e Moikomit nuk mund të perceptohet pa gjendjen poetike të këtij transi, i cili

nënkupton gjendjen e ndryshuar të ndërgjegjes, gjatë së cilës ndërpritet perceptimi kritik i informacionit dhe ulet aftësia për ta analizuar në vijimësi atë.

Është ai çast, apo, më saktë, ajo gjendje kur merr krahë imagjinata krijuese dhe krijon figura dhe ide të reja në bazë të përpunimit të ideve dhe të përfytyrimeve të vetë krijuesit. Kjo magjepsje e poetit nxit edhe një imagjinatën adekuate të lexuesit inteligjent.

Prof. Kathryn Nurenberger shkruan për Moikomin: “Mund të imagjinojmë një lypës si një luan të plotë, që mund të hapë gojën për të na shpeguar lidhjet midis të gjitha të kohëve”.

Kurse shkrimtarja Mira Meksi i ka shkruar kështu Moikomit, lidhur me mbresat e saj nga leximi i Psalmeve:

“Janë figura gjeniale, - pse janë të pamundura, nuk ekzistojnë as në realitetin e Jashtë ëndrrës, as në Imagjinatën njerëzore, - por kur i dëgjon në gjuhën e shenjtë aramaike, - apo shqipe, Imagjinata vetë,- prej Magjepsjes,- pjell një Imagjinatë të përshtashme për t’i asimiluar dhe shijuar. Dhe atëherë ndjesitë njerëzore i kapërcejnë kufijtë që njohim, - dhe krijojnë ekstaza ndjesish, - të ngjashme me ato të perëndive...”

Kjo imagjinatë është një imagjinatë e jashtëzakonshme, fantastike, sepse edhe vetë idetë e Poetit lidhen ngushtë me horizontin e tij kulturor, me njohuritë e gjithanshme në fusha të ndryshme të jetës dhe, veçanërisht, në fushën e artit dhe të letërsisë, duke filluar që nga mitologjia e deri te arritjet më të fundit të shkencës.

Moikom Zeqo, si njohës dhe artist i vërtetë, shfrytëzon çdo traditë të vyer, çdo formë të përshtatshme për të derdhur lëndën e vet poetike, qoftë Mitologjitë, Biblën, liturgjinë kishtare apo trashëgiminë moderne botërore dhe atë të traditës kombëtare.

Ai e shfrytëzon çdo traditë të përshtatshme për të përshkruar gjëndje të caktuara shpirtërore, për të mishëruar artistikisht përgjithësimet e veta filozofike dhe estetike, pavarësisht skepticizmit dhe ateizmit të tij.

Një dëshmi bindëse e kësaj është edhe ky cikël. Është, konkretisht, Psalmi, forma poetike biblike, me të cilën vesh mendimin artistik të këtij cikli poetik.

Moikom Zeqo është poeti më guximtar i poezisë sonë bashkëkohore. Ai është poet i vërtetë avangardist, i cili guxoi të ecë në shtigje të panjohura të frymëzimit të tij të jashtëzakonshëm.

Më pëlqen të përsërit një shprehje të një gjeniu futurist të gjysmës së parë të shekulli të kaluar, të cilin e vlerësonte edhe ai vetë, se Poezia është një gur i hedhur në të tashmen, për të zgjuar të ardhmen, poezinë dhe lexuesin e kësaj poezie.

Poezia e Moikom Zeqos është një nga arritjet më paradoksale dhe më të epërme të poezisë sonë kombëtare.

Shtator 2020

©Vangjush Ziko