Kulturë

Olga Sedakova dhe vepra e saj “Udhëtim në Kinë” - Nga Vangjush Ziko

  • Published in Kulturë

Vangjush Ziko - Toronto

Olga Sedakova është një nga figurat më në zë të poezisë dhe të kulturës bashkëkohore ruse, një emër i njohur dhe i vlerësuar edhe në shkallë botërore.

Krijimtaria e saj është shumëplanshe. Ajo është poete, përkthyese, studiuese, filologe, kulturologe, teologe.

Ajo është një krijuese e angazhuar, në kuptimin më të mirë artistik dhe estetik të kësaj fjale.

Në qendër të krijimtarisë së saj poetike është bota shpirtërore e ndriçuar nga besimi te një e vërtetë e pandryshueshme në çfarëdo kushte, te një bashkësi doktrinare teologjike dhe filozofike. Mistika e së panjohurës dhe besimi te e mira dhe perspektiva optimiste është tematika qendrore e saj.

Poetja, në shkrimin “Në pafundësinë e dlirë të vargut”, pohon bindjen, se mendimi dhe figurshmëria krijuese, mund të realizohen më mirë, kur i ndriçon besimi te zoti.

Ajo e ka fjalën, jo për një art religjioz, por “për traditën (historike) të artit të lirë dhe të pavarur”.

Olga Sedakova shkruan të vërtetat e shpirtit të saj me një semantikë të pasur të gjuhës së saj poetike.

Gjuha e saj nuk e kërkon metaforën, krahasimin apo alegorinë e bujshme.

Poetja maksimalizon peshën dhe vlerën e fjalës së ngarkuar me një tension të brendshëm.

Mendimi si veprim, për poeten, është sfida e të menduarit nga mosqenia te qenia.

Mendimi e shpie lexuesin në thellësi dhe largësi metafizike dhe mistike të mjegulluara: “Mos e tepruam duke bredhur,/që të kthehemi më në fund/te rruga e vetme e dashur,/e padukshme/që s'fyen asnjeri?”.

Akti i të menduarit për të është jo thjesht depërtimi në misteret e natyrës. Ai, për poeten, është një akt i pastër krijues.

Fjala e saj vishet me mendime të thella dhe të figurshme: “gjethet... lajnë kurorën e tyre me ëndje të madhe,/sepse vetëm bujaria/na pret përtej varrit”.

Poezia e saj bashkëjeton me mendimin e sinqertë dhe dashurinë për gjithçka: “Kësulëkuqja e padukshme,/veshja e perëndishme,/bie dhe nuk bie, zhytet në ujë dhe nuk laget,/Drurë, për ju kam, vetëm fjalën ju dua”.

Një veçori tjetër karakteristike e stilit të Poetes, është “muzikaliteti kompozicional” i lëvizshëm dhe i instrumentuar i ligjërimit poetik, të cilin e quan “instrumentin” bazë të organizimit të vargut të saj .

Krijimtaria e saj e begatë është përkthyer në disa gjuhë të botës dhe është vlerësuar me çmime prestigjioze kombëtare dhe evropiane.

Vitin e kaluar asaj iu dha çmimi italian “Poesia Lerici Pea 2020” për krijimtarinë shumëvjeçare, ku, veç të tjerave, vlerësohej qartësia dhe pesha e rëndë e fjalës së saj.

“Udhëtim në Kinë”, siç ka thënë vetë autorja, është “vepra e saj e shkruar me më shumë dashuri”, një vepër që ka bërë jehonë dhe ka marrë vlerësim të lartë edhe në kritikën botërore.

“Udhëtim në Kinë” përbëhet nga 18 kapituj të shkruar me varg të bardhë, të parimuar, me një ritëm të veçantë dhe me një përmbajtje, sa lirike, po aq edhe filozofike, me një tematikë të larmishme, ku në qendër është shpirti i heroit lirik me një delikatesë dhe ndjeshmëri të rrallë. Është një zë që këndon dhe mediton për jetën njerëzore, për hallet dhe problemet e saj pa fund, për udhën për të zbuluar magjinë e padukshme të shpirtit të njeriut, për mistikën drithëruese të amëshimit, për divinitetin e besimit dhe mrekullinë e dhembshurinë njerëzore.

Të gjitha këto të orkestruara dhe të vizatuara në sfondin e natyrës së veçantë dhe të mentalitetit të botës spirituale kineze, ku autorja ka patur rastin të jetojë disa kohë.

“Udhëtim në Kinë” është një poemë e vërtetë, që na shpalos një shpirt besimtar, i cili i beson natyrës dhe njeriut, beson dhe shpreson në harmoninë e njeriut me natyrën, me veten dhe me besimin e përkorë, i cili e udhëheq në jetën e përditshme.

Në këtë ligjërim poetik të poetes Olga Sedakova ndihet pulsi i paqtë dhe mbresëplotë i zërit të saj njerëzor, që bëhet një me të fshehtat e natyrës dhe të shpirtit të mbushur me mëshirë të pafund njerëzore.

Nënteksti humanitar i kësaj poezie mbi natyrën dhe ndjenjat humane i kundërvihet realitetit tonë bashkëkohor, që hymnizon bumin teknologjik, intelektin artificial dhe robotizimin.

Poezia e poetes Olga Sedakova është sa klasike aq edhe moderne, është një poezi e vërtetë bashkëkohore.

Më poshtë po ju përcjell disa kapituj:

2

Thotë pellgu me ujë:

po të kisha duar dhe zë,

sa do të të desha, si do të të përkëdhelja!

Njerëzit, e di, të pangopur dhe smirëzinj janë,

shqyejnë rrobën e huaj

për lecka.

Mua asgjë s'më duhet:

vetë butësia është shëndet.

Do të t'i vija duart e mia mbi gjunjët,

si kafshëzë shtëpije,

zëri im, do të zbriste mbi ty,

si qiell.

3

Bien dhe nuk bien,

zhyten në ujë dhe nuk lagen

mëngët e drurëve.

Drurët e mi të vjetër -

pagoda, udhë!

Sa herë jemi parë,

dhe çdo herë si hera e parë,

gulçon zemra duke vrapuar

me torbën e saj të zbrazur

mes trungjeve, kodrave dhe proshkave

para syve të gjerë të tempujve,

pasqyrës së altarit,

mbi dyshemenë e gjelbër.

Mos e tepruam duke bredhur,

që të kthehemi më në fund

te rruga e vetme e dashur,

e padukshme

që s'fyen asnjeri?

Kësulëkuqja e padukshme,

veshja e perëndishme,

bie dhe nuk bie, zhytet në ujë dhe nuk laget,

Drurë, për ju kam, vetëm fjalën ju dua.

10

I madh piktori që nuk njeh borxh tjetër

veç borxhit ndaj furçës vallëzuese:

furça e tij depërton në zemër të malit,

depërton në lumturinë e gjetheve,

me një goditje, një butësi,

me admirim e turbullim

depërton në pavdekësi

dhe pavdekësia lot me të.

Por atë që e braktis shpirti,

atë që i largohet drita,

atë që për të dhjetën herë

kërkon kyçin e pastër në llum,

atë, që u rrëzua nga krahët e mrekullisë,

por nuk thotë:

mrekullitë nuk ekzistojnë!

para tij përulen me venerim qiejtë.

11

Me dhembshuri dhe thellësi -

vetëm dhimbja është e thellë,

vetëm në thellësi jeton dhembshuria, -

e njoh atë në njëmijë fytyra,

kush e pa atë, kë ajo zgjodhi

nga sendet e gurtë, si dhe të qelqtë,

e buta thellësi dhe e thella butësi.

Ndizu pra,

kandil i ngrohtë i perëndimit,

fener, kurth i fluturzave.

Bisedo edhe

me dritën tonë të shtëpisë,

diell i butësisë dhe thellësisë,

diell, që po e le tokën,

dielli i parë dhe i mbramë.

16

Ti e di se sa të dua,

në qoftë se vjen ora

dhe më lëviz prej teje,

por nuk më shkarkon:

si mund ta harrosh zjarrin?

Si është e mundur të harrosh

se lumturia kërkon jetën

dhe pikëllimi të mos ekzistojë?

Ti e di se sa të dua

dhe nga kjo dashuri nuk e dalloj dot

psherëtimën e erës, shushuritjen e degëve, qënien e shiut,

udhën, që i ngjan qiririt,

se çfarë mërmërit errësira e huaj,

se mendja ndizet si shkrepse,

dhe trokitje fatkeqe mbi qelq

e fluturës së tharë.

(Përkthyer prej origjinalit rusisht nga Vangjush Ziko)