Kulturë

Censura dhe shkrimtarët shqiptarë në diktaturë - Nga Lazër Stani

  • Published in Kulturë

Ekperienca personale (Fragment)

Edhe sot e kësaj dite e kujtoj me emocion botimin e tregimit tim të parë, në gazetën “Zëri i rinisë”, në verën e vitit 1988. Tregimi titullohej “Mara nuk është e qartë”, dhe u botua, siç e kisha shkruar pa asnjë censurë. Bënte fjalë për një vajzë, që flinte nga dhjetë orë gjumë dhe nuk shihte kurrë asnjë ëndërr. Ishte e dashuruar me një nga kolegët, një djalë rreth të njëzet e pestave. Por ai gjithë kohën i shmangej, shtirej sikur nuk e kuptonte. Në fund të tregimit, kur një nga gratë e institucionit, e pyeti djalin se përse nuk lidhej me vajzën, që jo vetëm ishte e bukur, por kishte edhe gjithë ato cilësi të mira, ai iu përgjigj: “Nuk mund të martohem me një vajzë që fle nga dhjetë orë gjumë dhe nuk sheh kurrë asnjë ëndërr.”

Kështu mbyllej tregimi, që në fakt pati jehonë në qarqet letrare. Aq më tepër që diçka e tillë nuk pritej nga një emër krejt i panjohur në letërsi. Në ditët e para gëzimi që më solli botimi i këtij tregimi ishte i jashtëzakonshëm. Megjithatë gëzimi nuk zgjati shumë. Brenda disa ditëve ai u zbeh dhe vendin e gëzimit e zuri trishtimi.  Brenda tregimit ndihej prania e Çehovit, një shkrimtar që e doja shumë në atë kohë dhe nuk kisha lënë gjë pa lexuar nga vepra e tij dymbëdhjetë vëllimshe në gjuhën origjinale. E, vendosa me veten, që nuk do të botoja më asnjë tregim, nëse nuk do të arrija t’a çliroja prozën time nga hija e të mëdhenjve, që kisha lexuar dhe i doja si shkrimtarë. Në letërsi duhej të isha vetvetja, ndryshe ç’kuptim do të kishte të shkruaja. E ndëshkova këtë tregim, duke mos e përfshirë në asnjë nga librat e mi.

Disa javë më vonë, ndoshta pas një muaji a dy, më merr në telefon Vito Koçi, në atë kohë redaktor i prozës në gazetën letrare “Drita”, botim i Lidhjes së Shkrimtarëve. Më porositi t’i dërgoja një tregim timin që ta botonte në gazetën ku punonte, pasi sipas tij tregimi që kisha botuar ishte i mrekullueshëm. Pa u menduar i thashë po. Shfletova tregimet e mi, që i mbaja në një dosje, dhe zgjodha “Fundi i shëtitjeve natën”, një tregim që gjithsesi, m’u duk më i pranueshëm për botim, duke patur parasysh censurën e atëhershme. Ia dërgova Vitos në redaksi. Pas dy ditësh Vito më merr në telefon dhe më thotë se donte të pinte një kafe me mua. Shkova të nesërmen në orën dhjetë siç e kishim lënë dhe u ulëm të dy bashkë në kafenenë e Lidhjes. Me vete kishte marrë dhe dorëshkrimin e tregimit. E pashë se ndihej ngushtë përballë meje. Duart i dridheshin ndërsa ngrinte te buzët filxhanin e kafesë.

“Shiko, më tha më në fund. Tregimi është shumë i bukur, por nuk mund ta botojmë me atë mbyllje që i ke bërë ti. Bëhet fjalë për dy tri fjalitë e fundit. Nëse i ndryshon, ose i ndryshojmë tani bashkë, unë tregimin do ta botoj të dielën. Nuk dëmtohet tregimi, se ai në të gjitha faqet e jep dramën e njeriut të ndershëm në këtë shoqëri. Por mbyllja duhet ndryshuar, siç të thashë. Ti e di se në shoqërinë tonë, nuk fiton kurrë e keqja, fiton e mira. Të paktën në letërsi nuk mund të shkruhet ndryshe.”

E pashë Viton në sy. Ato çaste, ndihej i pikëlluar, i pafuqishëm, sikur sapo kishte bërë një punë që e turpëronte. Pasi u mendova një grimëherë i thashë Vitos:

“Ta provojmë mos i ndryshojmë ato dy tri fjali të fundit.”

Vito më zgjati tregimin, duke e larguar vështrimin prej meje. Gjeta fletën e fundit të tregimit të daktilografuar dhe pashë se ai kishte shënuar me të kuqe tri fjalitë e fundit, fjalitë përmbyllëse.

“Kur të ngjitemi lart në zyrën tënde po provoj t’i rishkruaj ato tri fjali siç më thua ti,” i thashë.

U ngjitëm të dy lart dhe brenda pesë minutash i rishkrova tri fjalitë që më kërkonte Vito. Të shkruaje brenda skemës ishte gjëja më e thjeshtë.

Vito e mori tregimin, lexoi fjalitë e ndryshuara dhe më tha përhumbshëm:

“Po, tani tregimi do të botohet në numrin e të dielës.”

Tregimi u botua dhe, pavarësisht mbylljes së imponuar, pati një pritje shumë të mirë nga lexuesit dhe shkrimtarët.

Verën tjetër bëra një provë të tretë, të botoja një tregim në gazetën ku punoja në atë kohë. Bëhet fjalë për tregimin “Njeriu i Dosjes”. E kam treguar edhe herë të tjera historinë e botimit të këtij tregimi dhe nuk po zgjatem. Por për shkak të censurës, në mirëkuptim me kryeredaktorin e botuam nën siglën “Tregim Satirik”, kur në fakt ishte nga tregimet më seriozë që kisha shkruar deri atëherë. Botimi i tregimit pati shumë jehonë, por nuk vonoi të vinte edhe kërcënimi. Një anëtare e Byrosë Politike kishte marrë në telefon shefin tim dhe i kishte thënë: “Ku e keni gjetur këtë Lazër Stanin? Do t’ia tregojmë ne mirë dosjet atij” dhe kishte mbyllur me arrogancë telefonin. E dija se ajo ishte një injorante e lindur, nuk merrte vesh nga letërsia, por dikush, ndonjë keqbërës, me siguri kishte hartuar ndonjë raport denoncues që kishte mbërritur deri në zyrat e Byrosë Politike.

Një miku im gazetar shumë më i vjetër se unë, më fton një ditë për kafe dhe më thotë me zë të ulët, sikur kishte frikë se mos e përgjonin:

“Mos boto më tregime njëherë për një herë. Leri të ftohen pak ujërat. Këta që të lavdërojnë sot, nesër kur të dënohesh ti, të gjithë do të jenë kundër teje. Do të të mohojnë dhe sulmojnë.”

Unë nuk ia vura veshin porosisë dashamirëse të mikut. Bëra pikërisht të kundërtën. Përgatita një vëllim me tregime dhe e dërgova në shtëpinë botuese “Naim Frashëri’. Ia dorëzova shefit të redaksisë, Sami Çabej, për të cilin edhe sot e kësaj dite ruaj një respekt të veçantë dhe ende nuk e kuptoj se si ai njeri i ditur dhe me shpirt aq të mirë, ka mundur të bëjë punën e kryecensorit të tregimit për shumë vite në shtëpinë botuese. Më priti shumë mirë dhe më tha se do të fillonte menjëherë procedurat e botimit.

Unë prita më shumë se tre muaj, por asnjë përgjigje nuk po më vinte nga Shtëpia Botuese. Më në fund, një ditë Samiu më mori në telefon dhe më tha të shkoja ta takoja. Të nesërmen shkova dhe e takova në zyrë. Samiu më zgjati dosjen me librin tim dhe tha:

“Merre librin. Të kam vënë në dosje dhe tre recensionet që janë bërë për të. Lexoji dhe grisi. Unë, nëse m’i kërkojnë, do të them se më kanë humbur në redaksi, ndoshta pastruesja padashur i ka hedhur në plehëra. Përndryshe do të më duhej të të denoncoja.”

Mora librin dhe ika. Mezi po prisja të lexoja recensionet. Vetëm Piro Misha, në atë kohë përkthyes dhe shef në Redaksinë e Përkthimeve, kishte vlerësuar pozitivisht librin me fjalët më të mira. Dy recensentët e tjerë shkrimtarë e kishin groposur. Njëri prej tyre (për etikë nuk po ia përmend emrin) kishte renditur në recensionin e tij të gjitha sharjet që diktatori kishte bërë gjatë shumë viteve në fjalimet e tij kundër letërsisë borgjeze-revizioniste. Më shumë se recension, teksti i shkruar prej tij i ngjante një akt-akuze të shkruar nga ndonjë prokuror. Edhe shkrimtari tjetër, ndonëse me gjuhë më të moderuar, prapë nuk më kishte lënë gjë mangut në kritikat e tij për modernizëm, hermetizëm, pesimizëm, tendencë për të nxirë realitetin e ku di unë çfarë tjetër.

Përpjekja ime e parë për të botuar një libër në kushtet e censurës, jo vetëm që dështoi, por rezultoi edhe një test i rrezikshëm, nga i cili më kishte shpëtuar vetëm zemërbardhësia e Sami Çabejit.

Libri im i parë u botua vetëm katër vite më vonë, pasi diktatura ishte përmbysur.

(Teksti plote eshte botuar ne librin "Shteti dhe shoqeria ne Shqiperine komuniste 1945-1990", botim i Institutit te Studimeve Politike)