Shkenca dhe filozofia e mrekullisë ose si u ndërtua Gjithësia nga Mendja Hyjnore - Nga Burim Bardhari
- Published in Kulturë
Ylli parimisht rritet si pema "Fara-Frytas", por nga vjen Uji i Bekuar në Tokë?
"Zoti nuk luan me zare", kumtoi gurtësisht Ajnshtajni, jo si fetar i bindur verbërisht sepse mendja e njeriut si dhuratë hyjnore nuk mëson tymthi as përmendësh me programim, por me pyetje dhe dyshim; prandaj spikat rrekja e metodës shkencore nga studiuesi i kalibrit të rrallë shekullor i cili kryekëput dhe vetëm në saje të përvojës deshte të kuptonte "Mendjen Hyjnore" dhe matematikën e ligjeve të dukurive natyrore.
Sot, falë nivelit përparimtar të dijes e shkencës së deritanishme të ndihmesuar nga qindra shkencëtarë të zellshëm dhe mijëra dijetarë të vetëmësuar e të pastërvitur shkollarisht nga Akademitë (me "A" të madhe), shumica as të (mirë)njohur me Çmimin Nobel, madje disa prej tyre ranë dëshmorë të dijedashjes, fatmirësisht për herë të parë njerëzimi gëzon mundësinë e artë të zbërthimit dhe shpalosjes së mrekullisë madhështore mbi ndërtimin e gjithësisë nga ana e Perëndisë, ose evolucionit si alternativë tjetër, thelbësisht ecuri e tejngadalshme që disi palojafjalthi dhe përshtatshmërisht shfaq "zot-ësi" që vetëvetiu rikurdiset afatgjatësisht dhe di vetë-vazhdimisht ta përmirësojë synimin e mbijetimit.
Shkenca pohon se ndërtimi i gjithësisë "PikëNis" (fjalë burimore shumë e qëlluar, shkurt e shqip, për këtë shpjegim të prejardhjes dhe lashtësisë sonë) dhe fillon me Bumin e madh, shpërthimi madhështor nga mbërthimi zanafillor "njëpikësh" ose si singulariteti (siç është vrima e zezë e cila thith e mbërthen çdo gjë, madje edhe dritën kur prek buzë vrimës, horizontit të ndodhisë (anglisht: event horizon) dhe me fuqinë e jashtëzakonshme i ngjesh të gjitha të kapurat në një grimcë (njëpikë) tejet të vogël; ndoshta hamendësim ose pjesërisht e vërtetë deri më tutje kur të zbulojmë më shumë, megjithatë arsyetohet teorikisht se fillon njëjësisht me njëshin ose nga "njëpika".
Veprimi i njejtë ndodh edhe me yjet ku mbillet e rritet "fara e brumit të gjithësisë", brenda yllit të dritës dhe nxehtësisë që është njëkohësisht edhe burimi parësor i energjisë jetike. Kjo dukuri shkëlqyese edhe filozofikisht shfaqet si kundërvlerë bashkëveprimi në vallëzim me errësirën e humnerës qiellore dhe me ftohtësinë jetëngurtësuese të zeros absolute kur nuk lëvizin as atomet (përafërsisht dy a tre shkallë mbi ngrirjen e plotë -273°C ose 1K) dhe në rreshtim me parimin "fara-frytas" ose të mbjellje-korrjes së begatisë (nga fara e deri te fryti) si dhe ngrehinës së botës lëndore bashkë me atë gjallesore por edhe për ruajtjen e barazpeshimit dhe barazimit të kundërshtive brenda bashkësisë së njëjtë, me dyanësi e dualitet që përfundimisht dhuron elementin e tretë, tërësinë e harmonisë, ose shqip lulëzimi i lumturisë dhe kuptimësisë.
Siç lërohet e mbillet ara e bujkut poshtë në tokë, ecuria e ngjashme pasqyrohet edhe lart tek nebula qiellore si një farishte por brenda mjegullnajës yjore. Ylli i sapongjizur fillimisht tërheq grimcat atomike të shoqëruara bashkë me pluhurin mjegullnajor nëpërmjet fuqive të natyrshme (forca të domosdoshme që plotësojnë mungesën e bujkut), siç është forca elektro-magnetike tërheqëse me kundër-ngarkesa, përplasja jonike dhe bashkëshkrirja e tyre si dhe nga forcat e rëndesës dhe trysnisë (graviteti e presioni).
Kur temperatura brenda yllit të ri të sapolindur tejkalon pragun mbi 10 ose 12 milion shkallë deri 15 milion, atëhere aktivizohet ylli i plotë, si me çelës kur ndizet makina për punë dhe flak vetëtimthi grimcat tepricore në rrethepërqarkje për formimin e planeteve dhe satelitëve të sistemit yjor, njëlloj si sistemi ynë diellor në kopshtin tonë hapësinor. Nga kjo pikënisje epike ylli ndez furrën qiellore dhe si pasojë e temperaturës së lartë arrin të lëshojë energjinë kryesore të nxehtësisë dhe dritës (energjia valëgrimcore nga materia ose materia në energji: E=MC2) mirëpo mrekullisht bashkëshkrin edhe protonët në ngërthim të vijueshëm ndonëse ato natyrisht duhet të shtyhen dhe largohen ngase kanë ngarkesë të njëjtë pozitive dhe jo të ngjizen.
Ky proces njihet si bashkëshkrirja bërthamore (anglisht: nuclear fusion) që bën gatimin e natyrshëm të grimcave atomike të 92 elementëve kimikë përkatës (përjashtohen elementët e tjerë që ndërtohen artificialisht), vetë Abëcëdari i natyrës sonë duke shpenzuar lëndën djegëse dhe gazin më të lehtë hidrogjenin, i cili si befasim mitik përmban vetëm një proton ose figurativisht "farën" (sepse në përkthim proton nënkupton "parë-sor") nga e cila farë pastaj lindin dhe shtohen atomet e tjerë si heliumi i dytë, lithiumi i tretë, oksigjeni, karboni, azoti dhe deri te hekuri i fundit me 26 protone, sepse ylli nuk arrin më të ushtrojë trysni më të lartë për bashkëshkrirje të mëtutjeshme si për bakrin ose arin, elementë të rëndë të cilët gatuhen vetëm nga shembje-shpërthimi yjor i ashtuquajtur "supernova", kur temperaturat dhe presioni janë edhe më të mëdha dhe "piqen" atomet më të rëndë si floriri e plumbi apo uraniumi.

Natyrisht dhe nga natyra, sipas ecurisë së lartpërmendur të bashkëshkrirjes bërthamore (protonshe) brenda yllit, sot nëpër laboratorë të ndryshëm botërorë janë bërë arritje të mëdha për ndërtimin e "diellthit artificial" ose yllit në kuti (anglisht: tokamak fusion reactor) që të mos vazhdohet me shpërthimin bërthamor (neutronsh) të rrezikshëm, shkaktari i fatkeqësive në Çernobil dhe Fokushima ngase përdoret nëpër centralet atomikë për vjelje të energjisë.
Mirëpo thelbi i këtiij shtjellimi dhe kësaj mrekullie qiellore nuk përqëndrohet vetëm tek gatimi i elementëve kimikë brenda yllit me bashkëdyzim e shkrirje të protonëve pozitivë kundërshtues, por edhe tek bukuria e shpërndarjes së gatimit pa ndërhyrje, sikur të korrat të përhapen vetvetiu me vetshpërthim anekënd (anglisht: eruption or explosive diffusion), përndryshe gatimi është i pakuptimtë nëse nuk ka leverdi nga veprimi dhe këtu haset kulmi i sistemit të përsosur përkundrazi nga teoria dhe mundësia e rastësisë, brendipamja që shkencëtarët bashkë me ne kureshtonim të mësonim sepse ndiqet edhe vija e arsyes së mprehtë, martesimi i shkencës dhe filozofisë, ngase së pari bëhet rritja e gatimi dhe pastaj dhurimi me shpërndarje.
Mjerisht ndonjëhere ndodh që edhe shkencëtarët të gabojnë, por jo shkenca, prandaj përmbysen shumë hamendësime dhe përmirësohen gabimet sidomos nga disa "shkencëtarë dogmatikë" që ushqejnë iluzionin e teorive të tyre dhe nuk shikojnë asnjë mundësi tjetër edhe pse dijenia dhe talenti janë të kudopërhapura (nga latinishtja në anglisht: ubiquitous).
Krahasimisht edhe nga këndvështrimi i rritjes së pemës pingul ndiqet i njejti parim; së pari mbillet fara e pemës, si shembulli i mollës apo pjeshkës; rritet trungu nga mineralet e truallit dhe lagështia e rrënjëve, pastaj mbi të dalin degë e rremba deri te gjethet dhe në fund luleçelja kur pema dhuron frytin; në këtë rast frutat të cilat ose vilen nga dora e njeriut ose shkunden vetvetiu nga era fisnike e natyrës; pothuajse si vetë ylli, nëse e përfytyrojmë atë në rrafshin vijëdrejtë linear që nga fara e deri te fryti.
Pasojësisht, fryti enkas fsheh farën përbrenda për vazhdimësi dhe për një rilindje tjetër, sepse nga ligji i termodinamikës por edhe në kuptimin filozofik ka vetëm transformim, ndërrim jete dhe jo vdekje; grimcat atomike as nuk zhduken as nuk krijohen të reja, vetëm rrëkëllisen si rruzujtë qiellorë në udhëtim, nga një përdorim prapë në "riqëllimsim" tjetër risitar (ri-përdorim e riqarkullim). Rrjedhimisht, e njëjta ndodh anasjelltas edhe me qelizën gjallesore si me "farën" ose protonin e hidrogjenit, e cila nuk ngjizet me bashkëshkrirje, por në të kundërtën, ndahet nga një qelizë në dy, katër e deri tetë qeliza (kur veçantësohen për inde dhe organe të ndryshme) duke iu nënshtruar mrekullisë së njëjtë poashtu të aftësisë vetështuese (vetëkopjimit, nga anglishtja: self-replication) ose shumimit apo riprodhimit dhe ndërkohësisht jetësohet parimi i "Rilindshmërisë" ose riprodhimit, qarkut të vazhdimësisë - jo për vuajtje e bezdi, por për risi njohurish me rifreskim që është qëllimi i jetës, por fatmirësisht jo edhe domethënia e saj. Përveç kryeqëllimit të Rilindjes, jeta nuk ka vetëm një domethënie, përndryshe do ta përvetësonim të gjithë dhe merr fund jeta por domethëniet janë të shumëfishta e të larmishme që secili të zgjedhë atë që i pëlqen sipas dëshirës, nevojës ose mundësisë.
Meqenëse yjet, si dielli ynë jetëmbështetës, gatuajnë vetëm atome të një lloji ose një elementi përkatës, për shembull karbonin ose oksigjenin dhe nuk bashkëshkrijnë dot molekula të përziera nga atome të ndryshme, atëhere natyrshëm lind pyetja se si dhe ku ndërtohet molekula e ujit të bekuar, jetëmbështetësit të dytë nga 2 atome hidrogjeni dhe 1 atom i gazit oksigjen, H2O? Sigurisht se edhe uji vjen nga zjarri, ose më saktësisht nga temperaturat e larta. Le të kujtojmë se kur ka djegie të plotë, brenda motorit të veturës lirohet energji për lëvizjen e boshtit të rrotave por jashtë del karbon dioksidi edhe uji si barazim kimik, ndërsa derisa drita nuk duket brenda dëgjohet zëri si energji tjetër.
Për bashkëlidhje molekulare apo ndërthurjen e atomeve të ndryshme në molekulë të përbashkët, si ajo e ujit H2O, së pari lypset që atomet e hidrogjenit por edhe të oksigjenit të shkëputen nga vetja e tyre sepse hidrogjeni thelbësisht ngjitet lehtë me një atom tjetër hidrogjeni ndërsa oksigjeni zakonisht tërheq dy atome tjera (ngase është dy-atomik), synimi i mirëfilltë i tyre është që të përforcohen me atome tjera për gjendje të qëndrueshme dhe stabile; prandaj duhet pararendësisht të çngjiten nga tejnxehtësia dhe të notojnë të lirë në plazmë, gjendja e katërt e lëndës (materies, ndonëse faktikisht është anasjelltas – plazma është gjendja e parë, siç është vetë dielli ose yjet ngase gjithësia ka më shumë lëndë plazmike nga yjet se sa lëndë të ngurtë).
Pas bashkëlidhjes së dy gazrave në molekula ujore, ato pastaj dalëngadalë ftohen ose tkurren dhe bashkangjiten në gjendje lëngu dhe më pas ngrijnë duke përfunduar si akull nëpër asteroide ose edhe kometa; vetëm se sipas analizave të fundit, uji brenda asteroideve eshtë i ngjashëm me ujin tokësor dhe nuk është si deuteriumi, uji i rëndë D2O si në kometë.
Si përfundim, pasiqë yjet me shembje-shpërthim përhapin të mirat e tyre elementare, atomet të cilat si grimca elementësh kimikë bekojnë edhe trupin e njeriut, sepse edhe ne jemi ndërtuar nga lëndët yjore, domethënë elementë kimikë dhe sërish rikthehemi në yje, sipas Karll Seigan ("We are made of star stuff", Carl Sagan), edhe uji është mpleksur nga atomet e molekulava të përziera pas shpërthimit të ndonjë ylli që gatoi oksigjenin dhe tërhoqi hidrogjenin e lirë në molekulë uji që ftohen dalëngadalë brenda arës ose farishtes të mjegullnajës qiellore dhe pastaj me përplasjen e asteroideve akullbartës nga brezi i skajshëm yjor (brezi Kuiper me asteroide, në zgripin e kopshtit tonë diellor) u përhap gjithandej dhe mbërriti edhe në planetin Tokë, anija jonë kozmike e vetme derisa të gjejmë edhe një tjetër të pasur me ujë gjatë lundrimit tonë hapësinor për shpëtim e hulumtim.
©Burim Bardhari











