Kulturë

Midis Dantes dhe profetit Muhamed - Nga Dashnor Kokonozi

  • Published in Kulturë

Dashnor Kokonozi - Francë

Polemika pritej. Ishte e pamundur që me rastin e 700 vjetorit të Dante Aligerit, kur ishin paralajmëruar me kohë botime, ribotime përkthime e ripërkthime të veprës së tij madhore në gjuhë të ndryshme, të mos ringjitej në skenë diskutimi i vjetër për mënyrën se si e ka paraqitur profetin Muhamed në Ferr. Veçse jo tamam ashtu siç mendohej.

Këtë herë po ndalemi te një përkthim i ri i Ferrit në gjuhën holandeze, por nga një shtëpi botuese flamande në Belgjikë.

Përkthyesja është L. Lavrijsen dhe De Hel (Ferri-in), ajo e ka përkthyer për hesap të Blossom Books. Mediet folën mirë për cilêsinë e përkthimit. U tha se Dantja dukej si të ishte një këngëtar slam-i i shekullit XIV-të, por, në ndryshim nga origjinali, teksti është redaktuar e përshtatur, siç thuhet, për ta bërë më të kapshëm për një publik të rinjsh dhe veçanërisht «për të mos fyer njeri në mënyrë të panevojshme».

Dantja hyn në Ferr dhe duke eksploruar rrathët e tij koncentrikë njihet me mjaft personazhe, por edhe me figura të njohura historike.

Në rrethin e tetë (kënga e XXVIII), ai gjen profetin Muhamed që vuan aty sepse «ka përçarë botën» duke krijuar herezinë myslimane. Muhamedi nga ana e tij i paraqet Dantes edhe dhëndrrin e tij Aliun, që e kanë çarë që “nga çaçka e kokës e deri te mjekra”. Edhe ai gjendet aty sepse nga ana e tij është përçarës i myslimanëve në sunitë dhe shiitë.

Kënga XXVIII është me të vërtetë e përgjakshme dhe aty më mirë se gjetiu e kupton se Dantja është njeri shekullit të tij. Ai nuk e duron përçarjen e botës në dy fe. Për të Kisha e krishterë duhet të zotërojë në unitet të plotë në të gjithë botën.

Kështu, për t’i thënë gjërat siç janë, Muhamedi është i çarë më dysh, që nga “fyti e deri te vrima ku pirdhet”, ecën duke mbajtur zorrët e tij në dorë... Të tjerat po jua kursej.

Tani të gjitha këto janë në tekstin e përkthyer nga L. Lavrijsen. Vetëm se është hequr emri i profetit Muhamed. Përkthyesja thotë se ky vendim është marrë së bashku me botuesin. Dhe një gjë e tillë ndodhi gjatë periudhës së tendosur kur në Francë ishte vrarë mësuesi Samuel Paty. Reagimet për këtë ndërhyrje ishin të menjëhershme.

Shumë vetë, ndërkohë që e dëgjonin në Radio programin që paraqiste librin e cilësuan censurë një gjë të tillë. Reagime të kësaj natyre vazhduan gjatë gjithë kohës dhe më tej u morën edhe nga gazeta me emër si “De Standaard”. Të tjerë e gjykuan si akt denigrues qoftë për myslimanët po ashtu edhe për të rinjtë, për të cilët lihet të kuptohet se nuk janë të aftë ta gjykojnë poemën në kontekstin e saj të shekullit XIV.

Më la përshtypje edhe reagimi i shkrimtarit marokeno-holandez Abdelkader Benali që thotë se një gjë e tillë është bërë për të shmangur probleme që me gjasë as që do të kishin ndodhur ndonjëherë.

Kam konsultuar shumë përkthime të Dantes në arabisht, thotë ai, dhe në të gjitha përkthimet moderne, pasazhi i poemës në fjalë gjendet i paprekur fare. Në raste të veçanta janë dhënë shënime në fund të faqes, ku shpjegohet se është fjala për një vepër letrare dhe se një skenë e tillë duhet venë në epokën kur është krijuar dhe në një kontekst politik të caktuar.

Lexuesit më lart se botuesit.

©Dashnor Kokonozi