Çajupi, Pinoku dhe përrallëza të tjera të munguara - Nga Marelba Fushekati
- Published in Kulturë
Kujt nuk i kujtohet Çajupi me satirën “Pas Vdekjes”? Me figurat aq mirë të ardhura artistikisht, ndër të tjerat e paharruar ajo e Doktor Adhamudhit. Mjekut sharlatan, i shquar për artin e tij të kërrejtjes së syrit të sëmurë që të shpëtohej tjatri?
(Lexo:)
Zeneli:
Kujt i dhemb syri, doktor efendi?
Adham-Uti:
Si s'e paske mësuar? Mehdiut.
Zeneli:
Mutesarifit?
Adham-Uti:
Skëndo beu më lutet ta shëroj.
Zeneli:
Dhe zotnia jote kërkon t'i kërrej synë?
Adham-Uti:
Ndryshe s'bëhet, se i pëlcasin që të dy. Unë e kam gjetur këtë methodë të re: të dhemb një dorë? Preje që të shpëtojë tjetra! Të dhemb një këmbë? Me vrap sharroe që të shpëtosh tjetrën! Të dhemb një sy? Kërreje çpejt që të mos sëmuret dhe tjetri! Kështu m'ra dhe për time shoqe: i dhembi një ditë syr' i djathtë: me vrap ja qita dhe sot syr' i mëngjër është shëndosh e mirë, sa shikon edhe natën...
Zeneli (i habitur):
Dreq o punë! Shëroke fort bukur! Ahere, zotëni, po ti dhembi do kujt koka, i dash'ka prerë?
E frymëzoi dikush Çajupin që solli këtë figurë kaq të mirëarritur?
Gjergj Adhamidhi bej Frashëri ka qenë vërtet një mjek okulist, që mbaroi studimet në Lozanë të Zvicrës ku edhe ishte njohur me Çajupin. Sipas kujtimeve të Kristo Frashërit, mëria e Çajupit ndaj Gjergj Adhamidhit mori shkas nga refuzimi që ky i fundit i bëri Çajupit, duke refuzuar t’i jepte dorën e mbesës së gruas së tij në martesë. Për shkak të veseve që Çajupi kishte. Duke u përjetësuar kështu në një personazh artistik, perfekt në sharlatanizmin e tij. Dhe a ka qenë apo jo sharlatan Doktor Adhamidhi, kjo është një temë tjetër që kërkon fakte të dokumentuara. Por nuk e kam këtu fjalën.
Nga Testamenti i Ri, Mateu 5:29-30 lexoj:
“Në qoftë se syri yt i djathtë të çon në mëkat, hiqe dhe flake larg teje, sepse është më mirë për ty që të humbësh një nga gjymtyrët e tua se sa të hidhet në ferr gjithë trupi yt;
Dhe në qoftë se dora jote e djathtë të çon në mëkat, preje dhe hidhe larg teje, sepse është më mirë që të humbësh një nga gjymtyrët e tua se sa të hidhet në ferr gjithë trupi yt.”
Me gjasë, Çajupi e ka lexuar Biblën, dhe ndoshta e ka lexuar mirë. Dhe nuk gjej asnjë gabim të përdorësh fjalët e Ungjillit për t’i dhënë jetë figurave artistike në vepra letrare. Anipse, metafora e shkëputjes së gjymtyrëve në fjalë, të thëna tek Mateu, mendoj se ka një kuptim jo aq të ngjashëm për çka është përdorur në komedinë “Pas Vdekjes”. Ashtu si unë mundohem ta kuptoj e ta shpjegoj këtë pasazh nga Mateu, metafora e përdorur ka të bëjë edhe me vullnetin e shkëputjes nga vesi dhe nga e keqja, që aspak nuk është e lehtë, dhe që vendimi i një veprimi të tillë është i ngjashëm me ndjesinë e të mbeturit i gjymtuar. Në fund të fundit, vesi është i ëmbël, lehtësisht i arritshëm, i rëndë fort të dalësh prej tij.
Çajupi mbetet i dashur për mua. Si vepra e tij mbetet e dashur për ata që e kanë lexuar e për vendin që ka zënë ndër ne. Adham-Uti, mes vërtetësisë apo jo të figurës së tij, mbetet në fund të fundit një rast tipik përgjithësues i mediokritetit. Por, a ka gjithmonë të drejtë ai që flet i pari? Që di të përdorë fjalën në momentet e duhura, kur edhe e ka mundësinë?
Por fjala ishte e para. Dhe skam asnjë dyshim për këtë. Dhe as për fuqinë e saj.
***
Karlo Kolodi shkroi “Aventurat e Pinokut” në vitin 1882. Buratini i pabindur prej druri, i krijuar nga mjeshtri Xhepeto, kalon aventurë pas aventure, derisa përfundon në barkun e një balene gjigande, ku kish përfunduar edhe ati i tij, që kërkonte edhe ai Pinokun që ish zhdukur pa nam e nishan. Pas shumë mundimeve, Pinoku më në fund arriti të transformohej në një qenie njerëzore, në një djalë të vërtetë. Një përrallë shumë e bukur transformimi dhe jete. Xhepeto e donte Pinokun, sikundër një Atë do birin e tij. Dhe arriti të zbuste zemrën prej druri të buratinit.
Në Testamentin e Vjetër, libri i profetit Jona, është tejet i shkurtër. Zoti e dërgoi Jonain në një mision, të udhëtonte në një qytet të quajtur Ninivë, të shpëtonte popullin e këtij qyteti e t’i kthente ata në rrugën e urdhëruar nga Ai. Jona nuk u bind, por udhëtoi për në Tarshish. Si pasojë e mosbindjes, Jona përfundon në barkun e një peshku të madh. U pendua Jona e kërkoi të falej. Duke iu dhënë kështu një mundësi e dytë. Ajo që të gjithë e duam të na jepet.
***
Dy shembujt e mësipërm nuk kanë asgjë të përbashkët mes tyre. Por fabulat e tyre kanë një të përbashkët dhe një origjinë të vetme. Mund të jenë edhe rastësore, por shumë afërta me ç’ka është shkruar në të dy testamentet.
Kaq për sot, pasi mund të ketë analogji të tjera të përdoruara në letërsi, të frymëzuara nga shkrimet e shenjta. Fjala është një nga pasuritë falas që na është dhënë. Si të gjithë gjërat e mira në jetë që janë pa pagesë.
©Marelba Fushekati











