Kulturë

Prometeu i penduar ose e vërteta e fundit - Nga Dashnor Kokonozi

  • Published in Kulturë

Dashnor Kokonozi - Francë

Britmat e tij e gjatë e pendesës ushtonte çdo mbrëmje si grahma e një dreri të moçëm që jep shpirt, me thikën që i kanë harruar në grykë.

Rendte valë-valë mbi malet e Frigjisë, në Armeni, Transkaukazi e Persepolis, në Bizant, Kapadosë e Babiloni.

Gjëmonte si bubullimë në shuarje mbi faqen e deteve deri tutje në gjirin e Ambrakisë, në Eube, në Korint, në ishujt Eolienë e në Akarnani. Deri edhe persët, kurdët, azerët, hebrejtë, epirotët e mongolët e dinin se ai zë që ngrihej atëbotë ishte i Prometeut.

Të gjithë e dinin e të gjithë bënin sikur nuk e dëgjonin.

Ulnin kokën e merreshin me zjarrin që brumbullonte poshtë kazanëve të rakisë.

Prej një mijë vjetësh ai nuk i lutej e përgjërohej Zeusit që ta çlironte nga tortura e atij zogut të egër.  Nuk e quante veten të denjë të bënte një lutje të tillë, nuk e meritonte faljen e përdëllimin e tij. 

Që sa binte dielli ai vetëm se lutej, bekonte e lavdëronte me gjithë shpirt urtësinë dhe mençurinë e zotit të Olimpit. Diku nga mesnata bekonte Herën, gruan e tij por edhe ato të tjerat me të cilat e tradhtoi atë, Eurinomenë, Leton, Artemisin, Majan, Kalistonë.

Pastaj qe radha e bekimit dhe lavdëresave të pasardhësve të tij, të atyre që kishte me gruan e vet dhe ata me gratë e të tjerëve.

Mëngjesin ia kushtonte vetes. Merrte frymë thellë e përgatitej t’i bënte ballë dhimbjes së keqe të sqepit dhe çaponjve të atij zogut të egër e të pisët...

Qe pjesa më e keqe e ditës. Vuante deri në asht, por tani e dinte se e meritonte.

Tre mijë vjet lutje përdëllestare që i vinin nga të gjitha anët e botës e nga të gjithë racat që popullonin tokën, nuk ia kishin ndërruar mendjen që t’u jepte zjarrin njerëzve.

As nuk iu dhimbsën tek i flisnin për rrushin që u kalbej vreshtave, për dasmat në të thatë që bënin.

Deri ditën kur nga malet e Akrokeraunit erdhën ca pleq që i thanë në vesh se për çdo kazan raki që do të piqnin pika e parë do të ishte për të, për Prometeun, atë për të cilin bënin bé se ishte edhe më i madh se vetë Zeusi i madh...

Kishin kaluar tre mijë vjet dhe me zjarrin e tij njerëzit kishin zjerë lumenj të tërë rakie, por shtigjeve të Kaukazit ku e kishin lidhur me zinxhirë, ai nuk pa kurrë një mushkë të ngjitej ngarkuar me premtimin e tyre.

Ata uleshin ta pinin vetë dhe i thyenin kotruvet në kokën e njëri-tjetrit. Fjalën që i kishin dhënën atij nuk e kujtonte kush.

Nuk e ndëshkova për zjarrin që u dha se një ditë do t’jua jepja vetë, por përtoja të zbrisja atje poshtë u tha Zeusi me pikëllim atyre që ndërhynin për lirimin e tij. E ndëshkova se u besoi fjalës së tyre.

©Dashnor Kokonozi