Kulturë

Poezia e Moikom Zeqos, diagramë e mendjes në lëvizje - Nga Vangjush Ziko

  • Published in Kulturë

Vangjush Ziko - Mississauga, Ontario

Pegasi është kali mitologjik me krahë, simboli i frymëzimit poetik në shekuj, që i mbart poetët nëpër botët e ëndrrave të tyre krijuese.

Krahët e tij janë të ndryshëm për poetë të ndryshëm të epokave dhe të rrymave të ndryshme letrare.

Krahët e Pegasit të Moikom Zeqos janë metaforat moderne.

Metafora, sipas konceptit aristotelian, është parë si një mjet i pasqyrimit të përpiktë të realitetit në planin artistik, i cili nëkupton një pasqyrim realist të botës.

Në themel të kësaj metafore qëndron krahasimi i sendeve apo fenomeneve me të tjerë në bazë të shenjave të tyre të përbashkëta, të raportit relativ, krahasues të tyre.

Metafora moderne e vë theksin në aspektin konceptual të pasqyrimit të realitetit, ajo është konceptuale, jo relative.

Pegasi i Moikom Zeqos ka krahë të vet metaforën konceptuale.

Moikomi e bëri kredo të vetën artistike thënien e mjeshtrit të zen-it Filip Valeni: “Poezia është diagramë e mendjes në lëvizje”.

Ky postulat, në lexim të parë, tingëllon si një deduksion i një studimi shkencor, që aspak nuk ka të bëjë me frymëzimin poetik.

Kjo është shprehja e famshme e një idhtari të zen-it budist, e cila shpreh thelbin e një meditimi të ri mbi poezinë.

Moikomi e ka pohuar se nuk është rob i arsyetimit shkencor: “instinkti i metaforës tek unë, është në luftë, me intuitën e shkencëtarit!”

Moikomi e percepton frymëzimin si një zgjim emocional dhe intelektual njëkohësisht.

Ai gjen ngjashmëri midis procesit instiktiv natyral të fenomeneve të natyrës dhe të procesit të ndërgjegjshëm të frymëzimit poetik.

Po e filloj me poezinë “Mjegulla e pavarrosur”, poezi meditative disashtresore me pyetje dhe përgjigje të vetëdijës së shqetësuar të poetit:

“Kjo erë shkurti griset si një fletë libri!

Ç’mjegull e pavarrosur!

Mbase ca flutura vampire do të thithin gjakun e freskët të agimit!

Po ca bletë të Melisës përpunojnë mjaltin sekret të mitit tim!

Ç’janë këta poetë, pronarë të egër të ëndërrave të të tjerëve?”

Tema e kësaj fabule metaforike është fati legjitim i frymëzimit, cënimi i identitetit të krijimit, vjedhja flagrante e ëndrrave të krijuesit.

Në këtë poezi përqasen “enigma” të natyrës me “enigma” të fatit të sekretit të talentit, që mishërohet në këtë paralelizëm metaforik midis “fluturave vampire” dhe “pronarëve të egër të ëndërrave të të tjerëve”.

Metaforat “griset” dhe “e pavarrosur” apo “mjalti sekret” dhe “ëndrrat” janë, thjesht, krahasime që mbështeten vetëm në sferën analoge të veprimeve apo të cilësive.

Metaforat, që zgjojnë dinamikën konceptuale, janë metaforat simotra: “flutura vampire” dhe “pronarë të egër”.

E para, na përcjell idenë e instiktit të një insekti grabitqar, vampirit dhe e dyta një veprim të një qenieje njerëzore “grabitqare të ëndrrave të të tjerëve”, të plagjiatorit.

Këto metafora e kapërcejnë konotacionin gjuhësor dhe na nxitin sferën e gjykimit konceptual të një dukurie të dënueshme shoqërore, të plagjiaturës, të kësaj “mjegulle të pavarrosur”, të përjetshme të grabitjes së krijimtarisë poetike.

Shkalla e ngajshmërisë së fenomemeneve është jo aq e vështirë për t'u kapur.

Në poezia “Hemoragjia Kozmike” kemi një ngjashmëri shumë të pakët, të padukshme:

“Diku lëviz një kometë, gjest i perëndishëm për të gjitha “lamtumirat”!

Te çdo sekondë kam një pikë të gjakut! Kështu nga tërë orët përhapet hemorragjia ime kozmike.”

Poeti përqas këtu dukuri të largëta, kozmike dhe jetësore: “kometën”, që shkëputet nga yllësia kozmike dhe “pikën e gjakut”, që shkëputet nga qënia njerëzore të dyja janë sakrifica, “simbolika hyjnore”, janë lamtumira të një sakrifice dhe të një dashurie universale të ekzistencës dhe të mosekzistencës, janë lajmëtare të një “lindjeje të një feje re” (kometa e Betleemit) dhe të një “poezie të re” (do të shtoja unë): të dyja bëjnë fjalë për një dashuri të pamasë.

Moikomi është plotësisht i ndërgjegjshëm për strategjinë dhe projektin edhe të kësaj poezie.

Për këto dukuri nuk mund të flitet me “një gjuhë prej dheu”, siç thotë në këtë poezi poeti, domethënë, me metafora të thjeshta, por, as me një metaforë të vetme, sadoqoftë kjo e goditur.

Bëhet fjalë për një koncept universal gjithëpërfshirës, për një “hemoragji kozmike të dashurisë”!

Në këtë rast bashkërenditja e sendeve apo fenomeneve është e papritur, fenomenet janë shumë të largëta midis tyre, abstrakte.

Poeti “provokon” me ndërgjegje, e shkund lexuesin nga plogështia e arsyetimit semplist dhe e nxit të meditojë dhe të gjykojë intelektualisht.

Moikomi ndjek principin krijues, sipas të cilit duhet kapërcyer kufiri i së zakonshmes, për të arritur një të vërtetë të jashtëzakonshme, si në gjuhë dhe në figurshmëri.

Për këtë princip krijues, L. Llandam shkruan: “Njeriu në procesin e njohjes së natyrës mund të shkëputet nga përfytyrimet e veta, ai mund të zbulojë dhe të përvetësojë, bile, ato të cilat janë jashtë mundësive të tij për t'i paraqitur”.

Në poezinë “Mëngjesi, Latinishtja e Ringjallur”, poeti bashkërendit sende apo dukuri, që nuk kanë fare ngjashmëri analogjike: “prania e De Radës”, “hija e Kalit Buqefal”, poeti persian Khajami, “mëngjesi i ringjallur”.

Këtu bashkohen në një proces meditimi dukuri krejt të largëta nga etapa të ndryshme historike, të cilat na përcillen si vazhdim i njëra-tjetrës.

Është, konkretisht, logjika metaforike relative e mendimit, e kujtesës, që i sendërton në këtë “palimpsest metaforik” të paparë dukuritë e largëta. Kjo logjikë sui generis ekziston në kujtesën historike dhe në kujtesën e poetit (dhe jo vetëm të poetit), jo thjesht si një trill, por si një logjikë intelektuale historike.

Për Poetin, simboli i kësaj kujtese është Latinishtja, gjuha e një kulture të lashtë, e cila i ka regjistruar këto “bëma” historikisht.

Latinishtja i ngjan Poetit me një mëngjes “të ringjallur” të kësaj gjuhe së lashtë, të harruar, e cila e ndihmon “për të komunikuar me tërë peizazhet, detet, erërat dhe planetët”.

Kurse vetë poezia është “gota e dollive” dhe “klepsidra”, me të cilën poeti përshëndet dhe mat epokat historike.

Siç rezulton nga shembujt e mësipërm, Moikomi, duke përcjellë veprime apo objekte nëpërmjet fjalëve apo objekteve të ndryshme, ai krijon metafora të bashkërenditura, të cilat na përcjellin edhe gjykimin e jashtëzakonshëm metaforik të vetë poetit.

Moikomi e bën lexuesin që, nëpërmet fjalëve të figurshme, të kalojë në një gjykim mendor metaforik të jashtëzakonshëm.

Studjuesi Xhorxh Lakoff shkruan: “metafora nuk kufizohet vetëm nga sfera gjuhësore, domethënë nga sfera e fjalëve, sepse proceset e mendimit të njeriut janë në një masë të rëndësishme metaforike”.

Bëhet fjalë, pra, për një metaforë krejt të re, që përballon një mendësi të re të pasqyrimit të një bote dhe të një mentaliteti avangardist mbi botën dhe mbi krijimtarinë artistike, që, nga meditimi konkret kalon në atë abstrakt.

Kjo metaforë, na thotë I. R. Galperin, “krijon figurën konkrete të kuptimit abstrakt, na jep mundësinë për një interpretim të ndryshëm të komunikimit real”.

Pra, metafora dhe poezia konceptuale e Moikom Zeqos abstragon duke i zgjeruar kufijtë e konceptimit dhe të pasqyrimit të botës dhe të fenomeneve që na rrethojnë, të reales dhe të abstraktes, të logjikës dhe të intuitës, të ndërgjegjes dhe nëndërgjegjes sonë.

Poezia e Moikom Zeqos na përcjell jo thjesht motivet e shpirtit të tij krijues, por, mbi të gjitha, diagramën e një mendjeje krijuese poetike gjithnjë në kërkim dhe në lëvizje.

Poeti shkruan:

“Lëviz në një dritë të stërlashtë, të paqenë,

në një tjetërkohë, që s’është

në asnjë kalendar”.

........................

“Lexomëni, ju lutem! Që nga ky çast do t’ju bëj të mendoni

ndryshe, - krejt ndryshe!”.

©Vangjush Ziko