Kulturë

Shkrimtari si “armik” i Shtetit - Lazër Stani për Faruk Myrtajn

  • Published in Kulturë

(Shkruar si parathenie per librin me tregime "Hijet e Virgjëreshave" të Faruk Myrtajt)

“Një shoqëri mund të duket e lumtur, sado që shumë nga anëtarët e saj vuajnë”, shkruan Moris Dryon në romanin e tij të njohur “Familjet e mëdha”. Shkrimtari, prej natyrës së tij, nuk është kurrë në anën e njerëzve të lumtur, e njerëzve që gëzojnë pushtet, para, gra, pra të atyre njerëzve që rendom konsiderohen të suksesshëm në këtë jetë. Ai, i prirur nga një instinkt fatal, është më i ndjeshëm ndaj vuajtjes së sa lumturisë, shqisat e tij përbuzin të kenaqurit dhe receptojnë të vuajturit. Jo rastësisht prej Homerit trashëgoj(më keto dy vargje tronditës:

“Zotat fatkeqësitë njerëzve ua çojnë,

që brezat e ardhshëm të kenë për çka të këndojnë”.

Shoqëria shqiptare, qoftë në kontekstin historik, qoftë në konteksin e tanishëm, vuajtjen e bart si dergjë, si mallkim. Libri i ri me tregime i Faruk Myrtajt, që lexuesi po e merr në duar, është një përmbledhje ku përfshihen tregime të konceptuara në kohe të ndryshme; në këtë liber ka tregime që vijnë si ripunim i tregimeve të shkruara para njëzet vjetësh dhe i tregimeve të tjerë, të shkruar në këtë fillimshekull, kur shkrimtari për shkak të rrethanave jetësore, është detyruar të emigrojë në Kanada. Megjithatë libri ka një unitet të habitshëm, krijon një realitet autentik e të papërsëritshëm, absurd dhe paradoksal aq sa duket produkt i imagjinatës impulsive të autorit në çaste metamorfike.

Megjithatë shkrimtari Faruk Myrtaj është një krijues realist, pavarësisht nëse historitë e tij të treguara në këtë libër janë krijime të imagjinatës, apo rrëfime artistike të historive të mbështetura në fakte reale. Lexuesi, sado i vëmendshëm, e ka të vështirë të bëjnë një ekzaminim të tillë në tregimet e tij, pasi, siç shprehet Garbriel Garcia Marquez, ai, nëpërmjet poetikës së rrëfimit, di t’i çlirojë tregimet e bazuar në fakte reale prej gjendjes së tyre vdekjeprurëse.

Në prozën e tij shkrimtari Faruk Myrtaj nuk parapelqen lojën. Ai është i prirur të rrëfejë të vërtetën rrënqethëse për jetën njerëzore, duke e vështruar atë nga pozicione të ndryshme; herë me dhimbje e trishtim, e herë me ironi dhe cinizëm të pamëshirshëm. Veçse, ndryshe nga shumë autorë te tjerë shqiptarë, prozatori Faruk Myrtaj, edhe kur behet cinik dhe ironik i pamëshirshëm, në asnjë rast nuk e humbet dimensionin human të prozës së tij, aq sa kur e kur ngjan me një klerik zemërdhembshur që kujdeset për grigjën e tij të marrosur.

Reflektimi i të shkuarës

Edhe ky liber me tregime i Faruk Myrtaj është i lidhur ngushtë me të shkuarën jo të largët të shqiptarëve, me atë të shkuar, që autori e ka përjetuar dramatikisht ashtu siç e ka perjetuar në tërësi shoqëria shqiptare degradimin e diktaturës në çmenduri dhe tranzicionin e krisur në kërkim të demokracisë së endërruar. Nëse e shkuara, siç shprehet Folkneri, nuk tretet kurrë, madje ajo nuk është as e shkuar, por një e tashme e perherëshme, për Faruk Myrtajn risjellja e kësaj të shkuare është një dëshmim i së tashmes, e cila ndjehet e penguar dhe e pafuqishme, pikërisht prej kësaj të shkuare.

Në tregime të tillë sugjestionues si “Në Mungesë të mbretëreshës”, “Autobusi i dates 1”, “Shetitje e detyruar” apo “Bermuda”, Faruk Myrtaj tematizon ketë të shkuar dramatike, ku fatet dhe jetët njerëzore luhen nën hijen çnjerzuese të diktaturës. Në një shoqëri të lirisë së munguar, dinjiteti i njeriut është i nepërkëmbur. Shetitja e babait me djemtë e tij, është sfida për kleçkën që rëgjimi shtypës i kujton vazhdimisht, “një njollë në biografi” a kush e di çfarë tjetër, por që gjithnjë i shërben si argument regjimit për ta kercënuar orë e çast.

Tregimi “Shetitje e detyruar” i rishkruar edhe një herë pas dhjetë vjetësh, ka fituar tiparet e nje proze moderne, një kompozim befasues, me shtresa dhe ndërshtesa, që vijnë nga rikthimi i vazhdueshëm i autorit në këtë histori, rikthim që duket se nuk do të ketë fund kurrë, pasi autori gjithmonë do të gjeje diçka të re, edhe pse ai vetë evoluon, edhe pse ai vetë është në gjendje të ndryshme në kohë të ndryshme. Varianti i dhjetë vjetëve më parë, është më idealist, më heroik, më sfidues, varianti i dhjetë vjetëve më vonë, është jo vetëm më i evoluar dhe më i përsosur si teknikë narrative, por është edhe më realist, më i zhveshur nga besimet dhe idealizmat e një dhjetëvjeçari më parë.

“Nëna s’ka për ta pëlqyer”, shprehet autori për variantin e dytë. Ai e merr me mend vështrimin e saj kur ta lexojë këtë variant. “E si të bënim tjetër në atë kohë, or’ bir”, e qorton e ëma të birin. Por autori shfajsohet: “Po atë kohë po, por tregimin unë po e shkruaj tani, si të mos shkruaj ndryshe”. Po autori i përshkruan me dhimbje ato shëtitje të detyruara të cilat janë një shtirje për të fshehur vuajtjen, për të fshehur dhëmbjen në sy të të tjerëve, atë dhëmbje që shkakton ai rregjim i mbrapshtë shtypës.

Autori trishtohet dhe konkludon se nuk ia vlen kremtimi i një fitoreje që ka kushtuar aq shtrenjtë. Një paralelizëm i hidhur me atë çka arritën shqiptarët në fund të viteve nëntëdhjetë pas vuajtjes dhe dhembjes së gjatë nën diktature, një fitore që vinte atëherë kur ishin shterruar fuqitë për të gëzuar.

Edhe në tregime të tjerë e shkuara është prezente me të gjithë dramatikën dhe tragjizmin e saj. Në tregimin “Në mungesë të mbretëreshës”, shkrimtari Kadri Luna, një eksponent i njohur i Realizmit Socialist, krijon një letërsi ku mungon femra, një letërsi ideologjike që të kujton levizjet anti-sex të përshkruara nga Oruell, në librin e tij të famshëm “84”. Shkrimtarit kjo e metë e tij, i zbulohet dhe i shqiptohet troç nga një femer e bukur, e internuar në një provincë, për riedukim. Protesta e këtij shkrimtari të ideologjizuar përfundon në mënyre groteske. Mungesën femres në shtratin e tij, e zgjidh jo me Sandrën e bukur, por me Lemen, gruan e shëmtuar që shërbente në pensionin ku banonte.

Edhe në tregimin “Bermuda”, në të cilin autori ka arritur të krijojë me mjeshtri atmosferen e secilit prej qyteteve provincialë në Shqipëri, protesta e femrës për t’u shfaqur si femer, ashtu siç e ka krijuar natyra dhe në atë destin që ka prej krijuesit, pavarësisht fundit tragjik, ka në vetvete një nënteks të fuqishëm denoncues për diktaturen që po e shpërfytyronte qenien njerëzore, duke e skematizuar atë sipas modeleve të njeriut të ri, i cili në vetvete ishte modeli i anti-njeriut. Ky anti-njeri, i rritur masivisht në socializëm, rikthehet dramatik në ditët e sotme, herë si kriminel e trafikant, e herë si politikan demagog, duke penalizuar të sotmen dhe të nesërmen.

Sigurisht letërsia nuk shkruhet për të rregulluar botën dhe as për të bërë interpretimin e historisë apo sociopsikologjisë. Përkundrazi, siç shprehet Sabato, letersia shkruhet për të interpretuar dhe shprehuar ato gjendje të ekzistencës njerëzore ku historia dhe filozofia janë të pafuqishme. Në këtë kontekst tregimet e Faruk Myrtajt, sa janë realistë dhe të prekshëm, aq janë edhe metafizikë dhe të painterpretueshëm.

Gjithsesi leximi i tregimeve të Faruk Myrtajt e kthen lexuesin në një botë ku e imagjinuara dhe realja janë të pandashme, krijojnë sëbashku një realitet transhendent, ku lexuesi e gjen vetën si brenda një salle gjigande, ku nga të gjitha anët luhen njëkohësisht histori të kohëve të ndryshme.

Drama e individit

Në të gjithë letërsinë e Faruk Myrtajt, shteti përceptohet si armik i individit, si një e keqe fatale. Nëse shteti është një e keqe e domosdoshme në shoqëri, eksperienca shqiptare me sa duket e ka provokuar autorin që të jetë një armik i papajtueshem me shtetin. Edhe pse askund shteti nuk shfaqet si një i terë, në shumicen e tregimeve të tij shteti dhe qeveritë kanë një prezencë armiqësore, rrënuese dhe fatkeqësisjellëse për individin.

Në letërsinë e tij, shkrimtari Faruk Myrtaj e shikon individin shqiptar në katër raporte kryesore: individi në raport me vetveten, individi në raport me të tjerët, individi në raport me shtetin dhe individi në raport me të huajt. Duket se drama e individit të krijuar nga Faruk Myrtaj është dramë që vjen nga deformimi i këtyre raporteve, nga mosekzistenca e harmonisë në këto raporte. Arsyet këtu janë disa, por më thelbësori është tipi sociopsikologjik i krijuar në rrethana të caktuara historike, sistemi i dyshimtë i vlerave, i krijuar nëpërmjet imponimeve të vazhdueshme, në mungesë të lirisë, informacioni i vonuar, absurdi dhe marrëzia që nganjëherë përshkruhen si një fatalitet i racës.

Faruk Myrtaj është mjeshtër në përshkrimin e raportit të individit me shtetin. Ai e përshkruan këtë raport me një realizëm tronditës, pa kaluar as në historicizëm dhe as në kriticizëm. Për fat të keq të shqiptarëve, shteti për ta ka qënë gjithnjë një armik, që është identifikuar ose me pushtuesin (të huajin) ose me uzurpatorin (të brendshmin). Një shtet i tillë nuk mund të jetë tjetër veçse një shtet keqbërës, një shtet që nëpërkëmb fatet e individit dhe njëkohësisht që zgjon të individi ndjenjën anti-shtet - anarkizmin. Edhe pse individët e Myrtajt nuk janë anarkistë në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale, ata janë individë armiqësore më shtetin, ose individë të shkatërruar - hije që kanë humbur kuptimin e ekzistencës.

Edhe individi në raport me të tjerët, është një individ i ndrydhur, një individ jo i lirë, mobesues, hezitues. Pohimi i Sartrit “Ferri janë të tjerët”, duket se gjen një vend të dukshëm në tregimet e Faruk Myrtajt, ndërkaq me të huajt, është krijuar një raport ekzotik, falë një virtuti të lashtë, mikpritjes, pavarësisht se kjo ndjenjë e shqiptarëve për të huajin përceptohet si relike ekzotike prej tyre, si çudi e ruajtur prej kohëve të vjetra.

Individi me vetveten në prozën e Myrtajt, nuk gjendet në një raport me pak dramatik, ngaqë ai gjithnjë e ndjen se nuk mund të jetë ai që do të jetë, ai nuk mund të mendojë atë që do të mendojë, ai nuk mund të bëjë atë që do të bëjë në një çast të dhënë. Kjo në tërësinë e vet e bën individin në prozën e Myrtajt një idivid dramatik në ekzistencën e vet, që lëviz midis fuqisë dhe pafuqisë së tij, midis rebelimit dhe nënshtrimit, midis ikjes dhe kthimit të vazhdueshëm.

Shqiptimi i të vërtetave tronditëse

Letërsia e mirë duhet të jetë e vertetë. “Në të gjithë tregimet e mi unë përpiqem të jap ndjesinë  e jetës së vërtetë - jo thjesht të përshkruaj jetën a ta kritikoj - por faktikisht ta bëj atë të gjallë. Kështu që ti, kur të lexosh diçka timen, ta përjetosh me të vërtetë atë që lexon”, ka shkruar Ernest Heminguej. Në tregimet e Faruk Myrtajt, të shkruara lirshem e me një gjuhë të shkathët, ndjehet prania e kësaj të vërtete, çka rrit fuqinë receptive të tyre dhe bën që ata të lexohen pa u ndjerë deri në frazën e tyre të fundit. Vezhgues i vemendshëm i jetës njerëzore, Faruk Myrtaj nuk e ngarkon prozën e tij me teorizime psikoanalitike dhe as me filozofime mbi kuptimin e jetës dhe vdekjes, por, me sigurinë e një mjeshtri, rrëfen jetën e gjallë në shumanësinë e saj duke shqiptuar me të njëjtën ashpërsi si të shëmtuarën ashtu edhe të bukurën, si sublimen ashtu edhe trivialen, si djallin ashtu edhe engjëllin.   

Nga ana tjetër, përdorimi i teknikave të ndryshe narrative e ka pasuruar stilin e rrëfimit të këtij shkrimtari, duke e bërë atë një nga mjeshtrat më të konsiliduar të tregimit të sotëm shqiptar. Në tregimet e Myrtaj nuk ka as teprime gjuhësore dhe as rendje pas modave të ditës, po një ecje në truall të sigurtë, që është shqiptimi arstistik i zërit të vetvetes, një zë i veçantë dhe kur e kur tronditës. Ky liber i ri me tregime, që është në vetvete rezultat i një procesi krijues më se njëzetvjeçar, padyshim që e rendit atë midis autorëve më të mirë të prozës së shkurtër shqipe.

©Lazër Stani