Kulturë

Miti dhe realiteti për vdekjen dhe pavdekësinë - Nga Ethem Ruka

  • Published in Kulturë

Njeriu gjatë gjithë historisë së tij është përpjekur të thyejë kufijtë e të pamundurës për të rritur jetëgjatësinë dhe mirëqenien e tij. Ëndrra për të mundur vdekjen vjen që nga foshnjëria e njerëzimit dhe vazhdon edhe në ditët tona. Miti për pavdekshmërinë ndoshta është miti më i vjetër i krijuar nga njerëzimi.

Për besimtarët, kapërcimi i kufijve të jetës i përcaktuar nga krijuesi është mëkat, është frika se pas vdekjes do të përfundojë në ndonjë nga rrathët danteskë, duke vuajtur peshën e makinës së ferrit.

Shumë popuj, përmes kulturave që krijuan, pretenduan pavdekësinë (imortalitetin). Ata vunë në lëvizje imagjinatën për t´i dhënë njeriut përjetësinë këtu, në jetën tokësore. Autorët e këtyre krijimeve, pa asnjë mëdyshje, mund të konsiderohen si futurologët më të vjetër që kanë jetuar mijëra vite para lindjes së Krishtit.

Disa prej këtyre dëshmive iu rezistuan shekujve dhe kanë mbërritur deri në ditët tona të paprekura. Dëshmi të tjera u transmetuan gojarisht për breza e breza të tërë, duke mos përfillur kronologjinë kohore, por duke e përshpejtuar, ndalur ose ngadalësuar atë. Nëse forma e miteve është e ndryshme, thelbi i tyre për pavdekësinë në shumicën e rasteve është i përbashkët: ëndrra për të jetuar sa më gjatë, pse jo dhe pafundësisht.

Gjurmët e para për pavdekësisë takohen te Mandalat e Rig-Vedas, të cilat konsiderohen si tekstet më të vjetra të shkruara në gjuhën indo-europiane (5000-1500 vjet para erës sonë). Këto tekste të shenjta përdoreshin në ritualet për nderimin e hyjnive. Aty flitet për një lëndë të veçantë, amritën, e cila konsumohej nga hyjnitë për të siguruar përjetësinë.

Miti i Osirisit është ndër mitet më të përpunuara të Egjiptit antik, ku trajtohet jeta, vdekja, ripërtëritja dhe ringjallja. Sipas këtij miti, Osiris ishte zot dhe mbret mitik i këtij vendi. Ai vritet pabesisht nga vëllai i tij i vogël, Sethi, për t’i marrë fronin. Pasi ia shqyen trupin, e mbytën në lumin Nil. Dy motrat e tij, Isis dhe Netys, që kishin fuqi magjike, e ringjallën përsëri.

Popujt në rrugëtimin e tyre të gjatë kanë përtypur e ripërtypur vazhdimisht mesazhet që vijnë nga lashtësia, duke i pasuruar ato me elementë të rinj të krijuar nga qytetërimet e mëvonshme.

Sot jetojmë një kohë tjetër. Ballafaqimet e qytetërimeve mbeten po ato. Ballafaqimet e kohës së Prometeut “guximtar”, apo ato të kohës kur u shkrua Frankenshtajni nga Mery Shell-i, nuk ndryshojnë aspak nga ballafaqimet e forta mediatike të kohëve tona për klonimin e deles Dolli në institutin Roslin të Skocisë apo për deshifrimin e gjenomës humane, inxhinierinë gjenetike e për shumë e shumë zbulime të tjera.

Ëndrra për vdekjen e vdekjes vazhdon ende të aktualizohet. Idetë e reja trans-humanite e kanë rimarrë këtë temë, duke synuar rritjen e jetëgjatësisë, dhe zbythjen e vdekjes deri në vdekjen e saj.

Por a është e mundur të vrasim vdekjen? Edhe nëse nuk do të mundemi, një gjë është e sigurt, kufijtë e jetës do të zgjaten. Shumë nga projektet e dikurshme imagjinare të njerëzimit tashmë janë futur në fushën e të mundurës.

Të shënjestrosh vdekjen e vdekjes duket një objektiv futurist i parritshëm. Të besosh sot se një ditë mund të mundim vdekjen është njësoj si kur të shpresohej në kohën e Skënderbeut që në vend të shpatave do të përdoreshin armë me rreze lazer. Ende vazhdojmë të jetojmë paradoksin se vdekja është e keqe, por pavdekësia është edhe më e keqe.

Do të duhet ende shumë kohë për të pranuar idenë e pavdekshmërisë. Mbase do të vijë një ditë që vdekja do të konsiderohet sëmundja më rëndë e njeriut, por që edhe mund të shërohet. Përpjekjet nuk mungojnë. Ku i dihet, mbase një ditë do të presim kokën e pavdekshme të “hidrës”, simbolit të vdekjeve në zonën e Lernës, afër Argosit, ashtu siç bëri Herkuli i mitologjisë greke.

*Një fragment nga kreu “Vdekja: mallkim apo inovacion biologjik?” i librit të fundit të autorit me titull “Përtej njeriut”.