Kulturë

Josephine Baker: nga “music-holl”-i parisian në Panteon - Luan Rama

  • Published in Kulturë

Luan Rama - Paris

Këtë mbrëmje, arkivoli i një gruaje të veçantë shoqërohej në Rue Soufflot të Parisit për të hyrë në Panteonin e Francës: Josephine Baker! Himne, këngë, marshe, kambana… Duke vlerësuar veprën dhe dashurinë e saj të pakufishme për Francën, presidenti Macron do të deklaronte: “Ju hyni këtu në Panteonin tonë me idenë e një lloj lirie dhe një feste që nuk ka qenë më parë, ju hyni sepse edhe pse e lindur amerikane, ju jeni më franceze se gjithkush… ju hyni bashkë me gjithë artistët e xhazit që ju shoqëruan, me ata që e panë Francën një tokë për të jetuar, tokë të ëndrrës, për të na kujtuar të gjithëve bukurinë e fatit dhe të  ardhmërisë sonë të përbashkët… Tribuja tënde e Ylberit ishte manifesti më i bukur i humanizmit…”

Gjithë Franca sonte kujtoi këtë grua të madhe që me një kurajo të jashtëzakonshme u vu në shërbim të një ideje të madhe: asaj të lirisë, barazisë, vëllazërisë së botës dhe luftës kundër diskriminimit racial dhe antisemitizmit.

Për të treguar diçka rreth kontributit të kësaj artisteje, mund të lexoni shkrimin e botuar në një nga librat e mi të fundit “Bohemë anglosaksonë në Paris”, nën titullin “Josephine Baker: “J’ai deux amours!”

Emrin e Josephine Baker (Zhozefinë) e dëgjova për herë të parë nga Jusuf Vrioni. Ishim ftuar për darkë të dy, bashkë me gratë tona nga një miku i tij industrialist jashtë Parisit, në një shtëpi me një oborr të madh. Miku i tij kishte vënë një muzikë të bukur xhazi dhe i ngacmuar nga muzika Jusufi u ngrit të kërcente dhe pas tij nuk mungova dhe unë. Edhe pse 81 vjeçar ai kërcente si një djalë i ri, me një elegancë të habitshme. I pëlqente shumë të kërcente ashtu siç e kisha parë dhe tek një mikesha ime romanciere në katin e shtatë të një ndërtese pranë qëndrës kulturore “George Pompidou”. Kërcente bukur danset e vjetra, “charleston”, “slow”, “blues”, danset e viteve ’30 apo ’50, xhazin mahnitës, kohë kur në Parisin e Saint Germain-des-Près xhazi ishte kthyer në diçka moderne me Boris Vian apo Juliette Greco. Jusufi kishte kërcyer kështu në Paris, në Romë dhe pas luftës në Tiranë, në hotel “Dajti”, por kërcimi i tij u ndërpre, pasi ai do të arrestohej dhe do të burgosej si një gjoja “agjent” i Francës, me pikëpamje perëndimore.

Tek ktheheshim nga ajo mbrëmje, Jusufi më tregonte dashurinë e tij të hershme për xhazin dhe më foli për vitet kur në Paris rinia ndiqte e etur danset dhe këngët e Josephine Baker, muzikën e Duke Ellington apo Djengo Reinhard dhe shfaqjet në Paris të Josephine-s e cila kërcente e shoqëruar dhe nga Louis Armstrong dhe virtuozët e ardhur përtej Atlantikut. Atëherë Baker, “Venusi i zi” apo “Perla e zezë” siç e cilësonin, kërcente në shfaqjen Revue noire në teatrin e Champs Elysées apo në Casino de Paris e veçanërisht në Folies Bergères, ku dhe filloi karrierën e madhe të saj pas ardhjes nga Amerika.

Ajo vinte atëherë nga Nju Jorku edhe pse fëmijërinë dhe adoleshencën e saj e kishte kaluar në Saint-Louis të Misurit, brigjeve të Misisipit, nga një familje e varfër që kishte provuar racizmin gjer në palcë. Shfaqja e saj e fundi kishte qenë në Bobino në vitin 1975, kohë kur Jusufi sapo kishte dalë nga burgu për t’u marrë pastaj me përkthimin e një letërsie të madhe në gjuhën frënge. Një natë më parë në shfaqjen e saj kishin qenë në rradhën e parë Alain Delon, Jeanne Moreau e shumë personalitete të artit. Të nesërmen, pas spektaklit dhe duartrokitjeve të shumta, Josephine nuk shkoi në darkën e organizuar për të dhe u tha organizatorëve se ishte e lodhur. Ajo ra të flejë por nuk u zgjua më. Ishte spektakli i fundit i jetës së saj artistike. Perdja e skenës nuk do të ngrihej më për të.

Në kohën kur banoja në Rue de Cels, zbrisja shpesh për në kafenetë e Rue Gaité ku janë pesë teatro në të njëjtën rrugë, tepër të shkurtër, në mes të cilëve dhe Theatre de Montparnasse. Sa herë kaloja, në krah të majtë shikoja reklamat e teatrit të spektakleve të Bobino-s dhe vetëm atë ditë me Jusufin imagjinova atë shfaqje që ajo nuk e kishte menduar se kishte qenë e fundit.

Josephine Baker ishte nga Louisiana e Amerikës. Një artiste në shpirt që në kohën e adoleshencës kur jetime nisi kërcimet e para dhe pastaj në spektaklet e para në Saint Louis për të ardhur gjer në udhëtimin e saj të parë drejt Francës për të interpretuar në Theatre des Champs Elysées. Ishte një nga spektaklet më në zë të yjeve të xhazit ardhur nga brigjet e largëta të Atlantikut. Në rradhët e para poetët Jean Cocteau, Blaise Cendras, piktorët Fernand Leger, Van Dongen e plot të tjerë. Në klarinetë luante klarinetisti më i madh i kohrave Sidney Bechet. Pas shfaqjes në lozhën e saj u shfaq shkrimtari George Simenon që donte ta përgëzonte.

Kërcimet e saj “charleston” shpejt do të linin gjurmë ndër spektatorët parisianë. Pas këtij turneu, një ftesë e menjëhershme i erdhi nga teatri i Folies Bergeres një nga vendet më prestigjioze të spektaklit. Dhe ajo e pranoi pa e ditur se që nga ajo ditë ajo do t’i përkiste Parisit dhe Francës. Pas premierës në Folies Bergeres në vitin 1926, në darkën e shtruar, një kont i çuditshëm dhe simpatik italian, Giuseppe Abatino, i kërkoi të kërcenin një tango dhe një histori dashurie filloi që atë natë. Ishte ai që i kërkoi të hapte një kabare të saj në Paris me emrin Chez Josephine, veç shfaqjeve që do të kishte me Folies Bergeres.

Tashmë «Perla e zezë» siç e quanin kritikët, ishte bërë një nga yjet e spektaklit në Francë. Shumë shpejt, me turnetë e organizuara në disa vende të ndryshme të Europës dhe botës, emri i saj ato vite do të spikaste akoma më shumë. Pas Folies Bergeres kërcimet e saj vazhduan në Casino de Paris. Kërcime “charlestone”, një seri blues, dans e këngë, rite të vjetra afro-amerikane që u bënë aq të dashura për spektatorin europian. Më 1930 ajo këndoi në Casino de Paris këngën e famshme të saj J’ai deux amours, (Kam dy dashuri), ku njëra nga këto dashuri ishte vetë Parisi, Franca, këngë e cila me pas do të fitonte Diskun e Artë.

Tashmë ajo e ka bërë Francën një atdhe të dytë. Por nuk ishte vetëm spektakli: tashmë kineastë të ndryshëm kërkonin që ajo të interpretonte në filmat e tyre, siç ishte filmi i saj i parë Zouzou, ku si parter do të kishte aktorin e ri Jean Gabin. Mjerisht në këtë kohë i dashuri i saj që ajo e quante me përkëdhelje «Pepito» vdiq nga kanceri. Ishte pikërisht në pragun e një turneu të gjatë që do të niste përtej Atlantikut, në Amerikë si dhe në vendet e Amerikës së Jugut. Në Brodway ajo do të këndonte krahas Bob Hope, por Amerika atëherë përjetonte ndarjet e mëdha raciale, për çka ajo do të luftonte e ku jo rrallë spektaklet e saj të bardhët, nxitur nga Ku-Klus-Klani i bojkotonin. Megjithatë në Kili ishte vetë presidenti që do të përgëzonte në shfaqjen e saj. Më 1937 ajo merr shtetësinë franceze dhe siç do të deklaronte ajo më vonë, «Eshtë Franca që më bëri kjo që jam dhe për këtë ndaj saj kam një mirënjohje të përjetshme».

Me afrimin e Luftës së Dytë Botërore, në Linjën Maginot, ajo nisej të jepte spektakle për ushtarët francezë që ishin në pritje të një agresioni nga ana e Hitlerit. Dhe ashtu do të ndodhte. Ishte koha kur filloi eksodi i madh i njerëzve drejt Jugut të Francës. Shumë qytetarë amerikanë dhe të huaj të tjerë kërkuan ta lënë Francën por Josephine Baker qëndroi. Madje ajo nuk pranoi të këndonte para ushtarakëve nazistë. Jo, do të vazhdonte spektaklet dhe do t’i shërbente Francës. Dhe ashtu do të ndodhte. Që nga ai çast, duke u lidhur me një nga agjentët specialë të Francës së Lirë të krijuar nga gjenerali De Gaulle në Londër, ajo nisi veprimtarinë e saj të fshehtë ngado që shkonte për spektaklet e saj, në Francë, Madrid, Romë, Lisbonë apo Londër. “Eshtë e lehtë të jesh Josephine Baker, - thoshte ajo, - Sapo njoftohet për ardhjen time diku, ftesat janë të shumta. Në Sevilje, në Madrid, Barcelonë, i njëjti ritual. Dhe unë shkoj në ambasadat e konsullatat ku gjej njerëz që kanë interes. Marr shënim gjithçka. Doganierët ngado veç më buzëqeshin dhe në vend të pasaportës më kërkojnë autografë…”

Në fustanet e saj me shumë pala fshiheshin gjithnjë dokumente sekrete që i përcilleshin Londrës lidhur me gjendjen e trupave dhe armëve gjermane në Francë, letra me bojë simpatike, etj. Këtë mision ajo do ta vazhdonte dhe në vendet e Magrebit, në Algjeri, Tunizi, Marok, duke u lidhur me forcat angleze dhe amerikane, me forcat e gjeneralit De Gaulle dhe duke vazhduar kështu spektaklet vullnetare në shërbim të luftës. Madje në një nga shfaqjet, vetë gjenerali de Gaulle kishte shkuar në lozhën e saj duke e nderuar me “Kryqin e Lorraine” për shërbimet e saj ndaj Francës. Në Tetor të viti 1944 Baker zbriti në Parisin e çliruar dhe menjëherë, pa humbur kohë dha koncertet e saj në Theatre des Champs Elysées. Shpirti i saj i këndonte lirisë, paqes, Francës së lirë. Kur shkoi në Londër, ishte vetë Churchill që e takoi dhe e falenderoi në emër të Anglisë për shërbimet e bëra.

Pas luftës për Josephine u hap një faqe e re historike, ajo e luftës kundër dallimeve raciale për të cilën luftoi jo vetëm në Francë por kryesisht në Amerikë, në konferencat e parreshtura të saj dhe koncertet në Miami, Harlem e gjetkë. Ishte koha kur organizoheshin Day Baker, ku tema ishte pikërisht lufta kundër racizmit. Në këto kohë, disa herë ajo u kërcënua me vdekje dhe padyshim nga anëtarët e Ku-Klux- Klan-it. Por “Perla e zezë” kishte zemër të fortë dhe një kurajo të treguar tashmë gjatë luftës. Asgjë nuk mund ta ndalte në rrugën e saj.

Në fundin e viteve ’50, e dashuruar me menaxherin Jo Bouillon ajo shkoin në Jug të Francës, në Dordonjë dhe vendosi të blejë një kështjellë. Meqë e kishte humbur fëmijën e tyre, Josephine mendoi të krijonte aty Tribunën e Ylberit, një familje të madhe duke adoptuar disa fëmijë nga e gjithë bota. Dhe ajo e krijoi këtë me 12 fëmijë jetimë që i adoptoi, si një fëmijë nga Amerika e zezë, një europian, një fëmijë izraelit, një algjerian, një japonez, një foshnje franceze të gjetur në një kosh plehrash, një Indian etj… Diçka vërtet utopike por ajo donte ti tregonte botës së qytetëruar një shëmbull për nevojën e një humanizmi të ri.

Në shumë nga fotografitë e kësaj epoke tregohen fëmijët e adoptuar të Josephine Baker rrotull kësaj nëne të madhe që u jepte aq shumë dashuri. E madhërishme kjo “nënë” me dymbëdhjetë fëmijë që donte të krijonte një botë të dashurisë dhe të solidaritetit. Në luftë gjithnjë kundër racizmit, Josephine-n e gjejmë përsëri në Amerikë në mesin e viteve ‘60, kur në krah të Martin Luter King që do të deklaronte shprehjen e tij të famshme “I have a dream”, asaj i kërkuan të fliste për mbrojten e të drejtave të zezakëve.

Vitet kalonin dhe ndërkohë Josephine nuk arrinte ta përballonte barrën e rëndë të menaxhimit të kështjellës “Melindes”, ku mbante fëmijët. Koncertet vazhduan në Francë dhe në botë. Në fund të viteve ‘50, shfaqja e saj Paris mes amours (Parisi, dashuritë e mia) është ndër kulmet e saj. Megjithatë kreditorët e kështjellës nuk pranuan më ta mbështesin duke i kërkuar huatë e dikurshme. Do të ishte aktorja Brigitte Bardot e cila do ti falte një çek prej një milion frangash, çka solli nje valë të madhe solidariteti nga artistët francezë apo Grace Kelly, princesha e Monakos.

E megjithatë, aventura e Melindes më pas mori fund. Tribuja e Ylberit do të vahdonte në një mjedis tjetër ndërkohë që ajo vazhdonte dansin, këngën edhe pse shumë herë e sëmurë dhe në rrezik vdekje. Shpirti i saj jetonte gjithnjë nën tingujt e një “charleston”, “blues”, gjer atë natë në Bobino kur dritat e skenës u mbyllën dhe ato nuk u ndezën më. Jo, perdja e skenës nuk do të ngrihej më siç ndodhte më parë kur ajo shfaqej para spektatorëve të saj të dashur. Të nesërmen e asaj dite, në skenën e zbrazët të Bobino-s dëgjohej vetëm kënga e saj Kam dy dashuri, ashtu si dhe në meshën që u bë në kishën e Madeleine-s apo në vendin kur dikur ajo kishte hapur kabarenë e parë të muzikës xhaz, ku do vendosej më pas një pllakë përkujtimore ku sot shkruhet: “Josephine Baker. 1906-1975. Artiste e muzik-hollit, pjestare e Rezistencës, militante e të drejtave qytetare, e cila kishte kabarenë këtu nga viti 1926-1928, duke nxitur përhapjen e xhazit dhe të kulturës afro-amerikane”.

Kënga Kam dy dashuri do ta shoqëronte deri në banesën e saj të fundit. “Kam dy dashuri / vendin tim dhe Parisin / zemra ime për ta / është gjithnjë e lumtur/… Të shoh një ditë është ëndrra ime më e bukur…”

Përballë Bobino-s meditoj sot për jetën e Josephine-s që i dha kuptim jo vetëm artit por dhe gjithë jetës së saj; meditoj për jetën dhe përkushtimin e artistit ndaj artit, për dramat dhe lavdinë e yjeve të skenës. Me vdekjet e tyre të ngjan një çast se dritat e tyre shuhen, por jo. Ato yje e ruajnë gjithnjë zjarrin dhe dritën e dikurshme në qiejt e pafund të artit të madh.

Josephine Baker ka kohë që ka shkuar nga kjo botë. Po kështu dhe Jusufi ynë i dashur që kthehej në një djalosh njëzet vjeçar kur kërcente dhe që në këtë çast më ngjan se ende kërcen nën tingujt e një “charleston”-i…

©Luan Rama