Një udhëtim poetik rreth botës: katër shqiptarë në Antologjinë e Poezisë Botërore - Nga Luan Rama
- Published in Kulturë

Luan Rama - Paris
Përfshirja në një antologji të Poezisë Botërore prej rreth 750 faqesh, me poetë të zgjedhur nga vende të ndryshme të botës, është padyshim një kënaqësi, pa nevojën e duartrokitjes, ndërkohë që Shqipëria ka poetë të mrekullueshëm që do duhej të ishin pjesë, por kjo përzgjedhje është bërë nga francezët dhe nga një shtëpi botuese me emër «Editions Caractères». Çdo poet është përfaqësuar me një poezi siç është përfaqësuar Visar Zhiti me poezinë «Elegji e pyjeve», Entela Kasi me poezinë «Nëse bota është e egër, Anja» dhe unë me poezinë «Elegji për kukullat e Detit Egjé», apo nga Kosova, Agim Gjakova, me poezinë «Gruas sime».
Një antologji e rrallë dhe e përgatitur me shumë dashuri nga Nicole Gdalia, Sylvestre Clancier dhe Jean Portante. Në parathënien e tyre ata shkruajnë se kjo antologji është «një buqetë imazhesh, tingujsh, muzikash e këngësh me instrumentet dhe vibracionet e tyre aq të ndjeshme… Eshtë një udhëtim i vogël rreth botës në shoqërinë e bukur të poetëve, ajo e poetëve autentikë, të këtyre «qytetarë të botës», krijues të harmonive.»

Për morinë e poetëve të përfshirë nga të pesë kontinentet, kjo antologji duket e jashtëzakonshme, një ngjarje poetike që sapo ka dalë në treg me rastin e 70-vjetorit të kësaj shtëpie botuese në Rue Arbalet në zemër të Parisit. Kjo shtëpi botuese u themelua nga një poet i ri që konsiderohej “Remboja polak” i quajtur Bronislav Kaminski, një antinazist i flaktë që përfundoi në kampet e përqëndrimit në Mathauzen dhe që për fat shpëtoi gjallë. Ishte fati i tij që të vazhdonte jetën e poetit të ri në një botë të lirë e humaniste të cilës i këndonte dhe e ëndërronte. Në vitin 1949 ai erdhi në Francë ku vazhdoi jetën e tij dhe shumë shpejt themeloi shtëpinë e tij botuese «Les Caractères».

Ishte poeti i njohur Pierre Seghers që do të botonte fillimthi një libër të tij poetik «Shteg ngjyrë» më 1950, ku ndër të tjera ai këndonte «Njerëz të të gjitha gjuhëve/të të gjitha ngjyrave/deklaroj se jam vëllau juaj,/ju të mjerë-unë mbaj mbi vete mjerimin tuaj, / ju njerëz të buzëqeshur -mbaj mbi vete gëzimin tuaj, /ju të dashuruar-unë mbaj dashurinë tuaj!» I quajtur tashmë Bruno Durocher ai vdiq në vitin 1996 në Paris por shtëpia e tij poezisë dhe vargjet e tij vazhdojnë shtegtimin e tyre letrar.
Shfleton këtë antologji dhe ndalon në vargjet, portretet, në këto fytyra kaq njerëzore, poetë të gjallë dhe të tjerë ikur nga kjo botë, poetë që i bashkon i njëjti mision, ai për ta bërë botën më të bukur dhe më humaniste. Disa prej tyre kanë qenë në burgjet e diktaturave por hekurat e tyre nuk i penguan të këndonin siç ndodhi me Janis Ricos, Nazim Hikmet apo me vërsnikun tonë shqiptar Visar Zhiti, që na solli këngët e drithëruara e të fuqishme të burgut. Në këtë libër, Fernando Pessoa na vjen me trishtin e tij, ashtu siç na vjen Ezra Pound, James Joyce, apo Tagora me nostalgjitë e mrekullueshme të tij dhe këngën e botës. Janë aty Neruda me dashuritë e tij dhe poezinë «Asgjë, veç vdekja»; është Lorka me dhimbjen dhe klithjen e tij, janë nobelistë të shumtë, janë Andrei Voznessenski, Andre Verdet, Lionel Ray, Ossip Mendelstam, Max Jacob, grekët Odhise Elitis apo Seferis që në poezinë tij «Kthimi i njeriut që i mohuan atdheun» këndon: «Çfarë këndon ti miku im i vjetër?/Nga koha e mërgimit ti tashmë je kthyer/me imazhet e vjetra që të ushqyen/nën qiej të huaj/larg vendit tënd…» Këtu janë dhe vargjet e Durocher që këndon: «Doganieri më kërkon pasaportën/ndërsa unë i tregoj veç qiejt!»

Gjithë këto poema e vargje të ngjajnë në këtë libër me një baladë të gjatë në mijëra e mijëra vargje ku zërat e poetëve ndjekin njëri-tjetrin si në një epope apo kor madhështor mozartian, një këngë e botës. Të ngjan me një fushë plot lule shumëngjyrëshe, të paqes, dashurisë, solidaritetit, të thirrjes për progresin njerëzor që vringëllimat e armëve dhe gjëmimet e luftrave të heshtin përgjithmonë. Kjo është balada e bukur e kësaj antologjie që na ofrohet me kaq dashuri.
©Luan Rama











