Kulturë

Arti, letërsia dhe çdo punë tjetër, nuk maten me mëri e ideologji, por me suksese profesionale reale - Nga Vangjush Saro

  • Published in Kulturë

Përndryshe:  45 vjet ‘komunizëm’, 45 vjet ‘antikomunizëm’… Po pastaj?

E shkuara do vështruar ashtu siç ishte: punë, dhimbje, arritje, zhgënjime. Kush nuk e kupton këtë, është i verbër. Gjithsesi, i tepërt revanshi i disa shtresave që bëjnë lojë: ish-të burgosur ordinerë; shkrues që në fakt s’u mungoi as shkolla, as jeta; të  tjerë që i patën baballarët ‘të lidhur me Partinë’…

Këto kategori nuk po lënë radhë as për vuajtësit e vërtetë dhe e kanë kthyer këtë episod në mjet përfitimi: u bë kohë tash që i bien së njëjtës daulle, vijnë rrotull jashtë e brenda duke botuar krijime të anuara e duke mbajtur fjalime në të cilat vend e pa vend mallkohet koha në fjalë dhe përmenden pareshtur burgu e cënimi i lirisë, diskurse që nuk i bëjnë dot protagonistët me më shumë fat apo më të talentuar e më të njohur seç janë; përkundrazi, ndonjëherë ata ta shpifin, marrin pamje komike, bash si veteranët që orë e çast flisnin për pjesëmarrjen në Luftë apo si i ndjeri Pal Vata, që gjithashtu mbante fjalime ashtu dhe kështu…

Nuk duhet të kemi frikë nga të vërtetat dhe nuk duhet t’i manipulojmë ato; cilatdo qofshin. Shkuan 45 vjet me ata të Luftës, me sa duket do të shkojnë po kaq edhe me ‘antikomunizëm’; por një gjë është e qartë, referimi te këto terma nuk e shpëton dot vendin nga prapambetja dhe deliret. Kjo nuk po kuptohet dhe është vërtet kaq trishtuese.

S’mund ta shkelim me këmbë çdo rafsh të vështirë të historisë dhe të krijimtarisë artistike, vetëm e vetëm pse disa individë apo edhe rrethe të caktuara nuk dinë të menaxhojnë mëritë e tyre. Ca më keq, s’mund të bëhet kjo për hir të disa (apo shumë) hipokritëve, që pasi ia kanë ngrënë bukën atij rendi, me brohori madje, tani përmbysin kupën; sigurisht për të bërë të njëjtën gjë në një tjetër sofër.

Është pak a shumë kjo arsyeja pse nuk kam ndjekur apo inkurajuar asnjëherë krijues që në jetë dhe në art përpiqen të ndryjnë me doemos inatet vetjake a të prindërve, politikën si qëllim në vetvete, përplasjen e kohëve në favor të një klani a të një fiksimi. Çështja është: A mund të shtosh diçka ndryshe në këtë histori? Diçka që t’u shërbejë njerëzve, vendit dhe që ta ndriçojë atë nëse mundet…

Sot bota është ‘zvogëluar’, që do të thotë se shumëçka që ndodh e nga çdo fragment harte që vjen, bëhet e njohur, e ditur, menjëherë, në çast. Dhe pikërisht kjo, edhe pse duket sikur shumëzon e përhedh andej-këtej krela valësh që nuk thonë asgjë, ndonjëherë u bën vend siç duhet vlerave reale, profesionale dhe njerëzore, përtej çdo paragjykimi e snobizmi.

Në disa raste, emra të njohur të letërsisë, artit, biznesit, politikës a sportit, bëjnë atë që s’e kanë bërë jo më administratat e mjera, por as edhe antologjitë dhe enciklopeditë më të sofistikuara. Pa mëri. Pa ideologji. Kështu, më parë Bekim Fehmiu që debutoi denjësisht në kinema dhe tash Dua Lipa që në çdo rast ka vënë në dukje dobësinë për vendin e vet të origjinës, Kosovën, e kanë ndriçuar atë, duke e bërë më të njohur, më të mirë në sytë e gjithë Botës.

Përkthimi i Kadaresë në shumë gjuhë, më së pari i ka shërbyer njohjes së kulturës dhe letërsisë shqiptare në botë, përpara se atij vetë. Ermonela Jaho dhe Inva Mula, duke kënduar në skenat më të njohura, treguan se vendi nga ato vijnë ka një trashëgimi, ka një shkollë të muzikës dhe artit. Dirigjenti Bujar Llapaj, drejtues i së paku dy orkestrave të njohura në Vankuver (Kanada), në disa turne e shfaqje prezanton jo thjesht veten, por vendin e tij; për më tepër që arrin të përfshijë në koncerte emra të njohur të muzikës nga Shqipëria dhe Kosova.

Në këtë yllësi, shoh edhe shkrimtarin Fatos Kongoli, kinoregjisorin Pluton Vasi, avokatin Edison Heba dhe të tjerë miq e kolegë. Është shërbimi më i mirë që mund t’i bëhet Atdheut, (për të cilin shumëkush rreh gjoksin, por nuk shton shumë nga jeta e tij modeste). Kjo vlerë, ky ndriçim, nuk zëvendësohen me asgjë tjetër. Kush është fiksuar te dy 45-at, le të vazhdojë.

Shpeshherë përpjekjet për t’u dukur e për pak lavdi, nxjerrin në pah veç lende. Disa portale, gazeta e TV, fokusohen: te politikanë që, përveçse kanë vjedhur a shkatërruar vendet e tyre, për fat të keq, janë edhe të pështirë në pamje; në hire femrash pa asnjë vlerë sociale; te krijues që - nuk po i shajmë dreqi ta hajë - por janë më shumë intaçinj sesa profesionistë dhe prandaj pak njihen përtej ‘lagjes’. Nga ana tjetër, administratat, të gjitha pa përjashtim, përpëliten si në jerm për të shpërndarë titullin (bajat) Mjeshtër i Madh ose për të akorduar ‘pension të posaçëm’ (Oops!) në mjedise ku dyshimet dhe mediokriteti janë sheshit.

Bota gjithnjë ka qenë dhe mbetet (pjesërisht) e trullosur nga interesa e klane që (përpiqen të) diktojnë. Megjithatë, lipset të shikojmë në qiell (jo në shpate e skërka dosido); dhe për këtë askush nuk na pengon.

©Vangjush Saro

(Fragment nga libri “Shqipëria në dy kohë”, që botohet së shpejti).