Kulturë

Zhavorr snobësh - Nga Artan Gjyzel Hasani

  • Published in Kulturë

Para pak ditësh sekti i snobëve të “Pejzazhe të Fjalës”, duke trajtuar një problematikë që për hir të së vërtetës deri diku qëndron, ndër të tjera, sulmoi edhe Etëhem Haxhiademin, të konsideruar nga studiuesit “Babai i tragjedisë shqipe” dhe kështu, duke menduar të forconin pikëpamjen e tyre, e fundosën argumentin. Bënë hara-kiri.

Të sulmosh Haxhiademin pse nuk shkruajti sipas shijeve të lexuesve që do të lindnin një shekull pas tij, është njësoj si të përbuzësh Mozartin pse nuk kompozoi hip hop.

Haxhiademi është klasik dhe nuk mund të rrëzohet nga snobët. Snobët mund të ngrejnë e të ulin të ngjashmit e tyre, por jo një klasik. Dhe kjo për arsyen e thjeshtë se klasikët nuk i kanë ndërtuar vetë përmendoret e tyre, por ua ndërtoi Koha. Madje ata ikin nga kjo botë pa e mësuar kurrë këtë nderim qe iu bëri Koha.

Nuk po zgjatem më shumë, pasi snobët e morën përgjigjen për zhavorrin e tyre nga emra të nderuar të kulturës letrare si Jozef Radi, Robert Martiko apo Visar Zhiti.

Por edhe vetë Haxhiademi ua ka dhënë përgjigjen në vargjet e tij atyre që përbuzin çdo gjë të mëparshme dhe që kujtojnë se bota, arti dhe filozofia kanë lindur bashkë me ata vetë.

“Por ah, kujt ti thuësh për punë të shkueme,

Kur bij rrebelësh rrijn me duër përveshë

Edhe lëpijnë me shij’ ndër en’ të shpuëme

Të mbetuna prej gjellësh tyke qeshë?

E duën të dijn’ për veprën e mbaruëme

Këta qi fati nalt i ngriti peshë?

Këta i tallin t’gjithë ata qi hoqën

Dhe për të shtruë tryezën u përpoqën!

Ah, jo, nuk trembem un nga disa çuna

Qi dalin nga nji herë e shesin mend

Dhe mbarë as fare nuk u eci puna

Mbasi detyrën shpërdoruën pa vend

E si ç’më ra në vesh, sa bes’ s’u zuna,

Nga vjedhja n’burg i vun të han’ me qent

Këtyne u kujtoj pra qi godita

Ca përmendore porsi piramida.”

(14. III. 1937)