Kulturë

Realiteti në Shqipëri sipas matjeve dhe studimeve - Nga Përparim Kabo

  • Published in Kulturë

(Pjesë nga studimi në proces “Antropologjia e turmës”)

Ka një traditë sjellje në antropologjinë shqiptare të zënies, rrahjes, ndeshjes dhe mposhtjes së tjetrit, si të thuash ka një frymë pagane, munde tjetrin përpara se ai/ajo të të mundi ty.

Po kështu në komunitetet qofshin këta krejt fëmijë apo edhe më të gjerë, gjithnjë bëhet një llogaritje se cili apo cilët janë të fortët, ose kush është më i forti. Cili e zotëron këtë hapësirë, këtë rrugicë, lagje apo më gjerë? Në këtë kuptim Rendi dhe organet e Rendit janë jo institucionet kryesore ku njeriu duhet të gjejë mbështetjen dhe të ushqej besimin sepse pikërisht në atë hapësirë ka një “të fortë” ose “disa të fortë” që e sfidojnë edhe policinë, madje kjo e fundit është e vetëdijshme që nuk e ka atë autoritet që të dali mbi më të fortin.

Është fakt se vetëm në mbretëri dhe diktaturë u arrit që administrimi i territorit të bëhej me forcën e ligjit dhe të organeve të specializuara të Rendit. Fuqia ishte shteti, autoriteti ishte rendi ligjor. Mbi Xhandarmërinë dhe Policinë nuk dilje dot.

Tranzicioni i gjatë pas viteve 90-të është shoqëruar më moszbatimin e ligjit dhe mospasjen frikë nga ligji, apo më keq akoma me mosndëshkueshmërinë e krimit, korrupsionit apo çfarëdo lloj informaliteti. Të gjitha këto e kanë sjellë realitetin shqiptar në situatën e një pështjellimi tejet të gabuar antropoinstitucional.

Një Rend publik i munguar e lë territorin pa autoritet dhe pa imponim, pa pikë referimi të forcës apo të zotëruesit të asaj zone që shpesh nga individ mund të shndërrohet dhe në familje apo fis a farë e fis. Kjo u duk në zotërimin e pronave, në vjedhjen masive të tokave, pasurive kombëtare dhe atyre publike, në nëpërkëmbjen e dinjitetit dhe pronës së individit, që u bashkëshoqërua me legalizimin e tyre si shprehje e gjunjëzimit të shtetit. Në përmasa të frikshme një situatë e tillë shumëdimensionale u vendos gjatë vitit 1997.

Politika zyrtare jo që nuk i luftoi të “fortët”, por për më tepër hyri në komunikim me ta, u ofroi përfitime dhe i bëri partnerë të hapur ose të tërthortë në zotërimin e hapësirës. Politika duke marrë prej tyre votat jo fair, ndërsa i forti duke përfituar atje por dhe më gjerë përmes përdorimit të forcës edhe jashtë atij territory, sa kohë që nën “mburojën” politike ndërtoi veprimtarinë e tij kriminale pa u ndëshkuar nga policia.

U bë e zakonshme që “të fortët” të drekonin me politikanë me drejtues të lartë policie, me ministra dhe kryeministra, të zinin vende pune në Tatime në Dogana në Polici, në Kufi, kudo ku kishte mundësi për para dhe për zhvatje. Gjendja erdhi e u përkeqësua në ato përmasa sa që edhe sistemi i Drejtësisë u lidh me këta individë apo rrjetet e tyre që në jo pak raste kanë tentuar duke marrë dhe jetë njerëzish thjesht atje ku prisheshin pazare apo kur qytetari i ndershëm kërkonte “hakun e tij” që ia njihte ligji.

Kjo klimë është prezente në ambientet familjare, në tensionet e bisedave të tyre, në qëndrimet dhe sjelljet e tyre; sepse ndryshe ata do të përfundonin si të paaftë dhe të deklimatizuar, çka do ti bënte të pasuksesshëm në treg.

Lindi ekuacioni antropologjik i sjelljes. I fortë dhe kundra ligjit = je i suksesshëm; i dobët dhe jo i dhunshëm, me sjellje në përputhje me ligjin = je moralisht jashtë kohës dhe në treg i dobët dhe jo i suksesshëm. Atje ku mungon fuqia e arsyes zë vend paarsyeja e forcës

©Përparim Kabo