Librat që mund të lexoni këtë verë. Ja rekomandimet e shkrimtarëve shqiptaro-kanadezë!
- Published in Kulturë
Ky shkrim vlen më shumë për ata njerëz që periudhën e pushimeve e lidhin veç të tjerash me shpeshtimin e të lexuarit. Nuk flasim për atë leximin e shpejtë e të shkurtër kur lundrojmë përditë në internet, por për atë procesin e blerjes së librave, rezervimin e tyre online, apo të shkarkuarit në pajisjet elektronike që marrim me vete kur shkojmë me pushime. Ka njerëz që në këtë periudhë vere kanë uri leximi por nuk dinë çfarë të lexojnë më parë, nga t’ia nisin. A të zhyten në biografi, histori misteresh a romancash, poezi mendim-shkundëse, erotike a lirike? Të zgjedhin autorë të sprovuar apo të sapopublikuar? Apo t’u drejtohen pa risk autorëve klasikë? Ndoshta të gjitha bashkë, pse jo? Po sikur t’u marrim një mendje disa shkrimtarëve shqiptaro-kanadezë? Sugjerimet e ekspertëve të fushës janë gjithmonë me vlerë.
Faruk Myrtaj, Toronto-Ontario
Zgjidhni një nga librat tuaj dhe jepni arsyet pse ai libër duhet të jetë në listën për t’u lexuar këtë verë ose kurdo.
Faruk Myrtaj: Mund të ofroja disa prej titujve të librave të mi, por sinqerisht, druhem se mbase asnjeri prej tyre nuk është “libër vere”. Më vërtetshëm, mbase secili nga librat e përpara ’90-ës mund të lexohej si libër pozitivist vere të lumtur, por për fat, zor se gjenden në qarkullim.
Cili është një nga librat klasikë që do preferonit ta rilexonit?
Faruk Myrtaj: Romane të Viktor Hygoit, tregime të Anton Çehovit dhe po, pasi sapo i kam lexuar do t’i rilexoj dy prozat e më në fundme të Annie Ernaux, nobelistes franceze, kushtuar Ikjes së babait të saj me titullin “A Man's Place”, dhe simetrikun, për Ikjen e nënës së saj, “A Woman's Story”, që mësohet se ishte finaliste për the Los Angeles Times Book Prize.
Cilin autor/e të ri/re do t’i rekomandonit lexuesit?
Faruk Myrtaj: Këtu do doja të shtoja një listë të tërë, për brezin e lexuesve të sotëm. Shprehem kështu se jo vetëm sipas meje, “lexues” quhet ai që “ende kërkon të gjej veten si lexues”. Ky lloj lexon masivisht, i joshur nga titujt, nga reklamimet, lëvdimet on line. Tjetri lexues, ai që di çfarë lexon, apo tjetri, edhe më i moshuar, ai që lexon thuajse vetëm “klasikët”, nuk ka punë fare me rekomandimet, as ma autorët e gjallë që me të drejtë kërkojnë të njihen! Nëse provoj dhe arrij t’i harmonizoj këto lloj lexuesish te vetja, do sugjeroja dy autorë me libra të parë, që jetojnë në truallin londinez shqiptar, të dy mësues, të dy jetojnë larg Tiranës: Alda Taçe Shpata në Gramsh me titullin “Tregimet e një personazhi”, dhe tregimet “Erërat që trazojnë mjegullën” të Ervin Nezha që jeton në Librazhd, madje në zonën ku ende frymojnë shpirtrat e Dy Poetëve të Pushkatuar. S’di pse e përfytyroj Nezhën duke dëgjuar pa-pushim poezinë “Saharaja” të Blloshmit, mbase poezia më e arrirë e krejt poezive nën pa-liri.
Vangjush Saro, Vancouver-British Columbia
Zgjidhni një nga librat tuaj dhe jepni arsyet pse ai libër duhet të jetë në listën për t’u lexuar këtë verë, ose kurdo.
Vangjush Saro: S’është e lehtë që një autor të ndajë librat e vet, të vërë gishtin mbi njërin… Por meqë pyetja është taksative, po vendoj. Nga krijimtaria ime, do të rekomandoja romanin “Misioni”. Një profesor në pension mëton të sensibilizojë njerëzit dhe institucionet për katastrofën ambientale dhe për shthurrjen njerëzore (siç mendon ai). Krijon një shoqatë që e quan mision, përpiqet të lidhet me organizma homologe, kërkon (më së koti) partneritet me qeverinë, hidhet në veprime konkrete: në rrugë, shkolla, biznese, azile, plazhe, ku të mundet, gjithnjë për të shpërndarë frikën dhe idetë e veta. Për fat të keq, edhe pse vuajtja e tij është reale dhe u takon të gjithëve, aktet e tij katandisin në aventura groteske. Mendoj, e vlen koha; për temën dhe për shtjellimin në grotesk. Libri është ‘i rëndë’ aq sa duhet; dhe ‘i lehtë’, gjithnjë aq sa duhet… “Ai lexohet pa pengime”, thotë një autor i njohur. “Të argëton, por të bën edhe të meditosh,” shton një tjetër. Dhe meqë jemi këtu, ky libër mund të përzgjidhej edhe nga Mendimi Letrar (një sërë kritikë e shkrimtarë janë shprehur për të). Po ashtu, nga Tregu; libri është shitur dhe vazhdon të shitet mirë në Amazon dhe (bot. II) në libraritë e Tiranës.

- Porosit librin “Misioni” https://www.amazon.com/Misioni-Albanian-Vangjush-Saro/dp/1545421994
Cili është një nga librat klasikë që do preferonit ta rilexonit?
Vangjush Saro: Me të vërtetë, një pyetje tjetër e vështirë. Paraprakisht duhet të vërej (pa e dramatizuar) që në përkthimet e sotme, heraherës, ka probleme. Që ta mbyll edhe këtë përgjigje, mund të thosha: pjesa më vitale e “Komedisë njerëzore” të Balzakut, përkatësisht romanet “Xha Gorio” e “Shkëlqimi dhe rënia e kurtizaneve”. Kanë aq shumë pika takimi me karakteret, dukuritë dhe atmosferën e sotme kudo, përfshi Shqipërinë.
Cilin autor/e të ri/re do t’i rekomandonit lexuesit?
Vangjush Saro: Nuk jam një ndjekës i rregullt i letërsisë së më të rinjve. Por me aq sa kam lexuar, shoh prirje për një letërsi serioze dhe në kërkim të formave të reja e shprehive letrare sa më në kohë. Personalisht, do të zgjidhja tregimet e shkrimtares së re Esmeralda Shpata, librin “Tregimet e një personazhi”. Në ato më më të mirat, ka origjinalitet, suspans në lexim të parë, ndonjëherë të habit, ndonjëherë të konfuzon; kurse në fakt, analogjia dhe personifikimet të bëjnë të përfytyrosh dhe më shumë e ndryshe, dhe të rindërtosh në mëndje skena dhe episode që duhej të ishin të bukura, por (mjerisht) janë njëlloj absurdi, ‘shkolla’ që, me sa kuptoj, ndjek autorja.
Artan Gjyzel Hasani, Toronto-Ontario
Zgjidhni një nga librat tuaj dhe jepni arsyet pse ai libër duhet të jetë në listën për t’u lexuar këtë verë, ose kurdo.
Artan Gjyzel Hasani: Nga librat e mi do të sugjeroja vëllimin tim të fundit poetik “Idioticus”. Mendoj që është një libër që më shumë provokon mendjen, sesa zemrën. Jetojmë në një epokë sociale absurde ku paradokset ndjekin njëri tjetrin duke shtruar para secilit pyetje për përgjigjen e të cilave “kardiologjia” nuk ndihmon. Është më shumë subjekt psikiatrik përballja e sotme me realitetin dhe përgjigjet e pyetjeve nuk kërkojnë zemër të nxehtë, por mendje të ftohtë.

- Porosit librin “Idioticus”: Botimet M&B: http://mbbotime.com/ (Whatsapp +355 68 650 8441)
Na thoni një nga librat klasikë që do preferonit ta rilexonit dhe pse?
Artan Gjyzel Hasani: Nëse do të kisha kohë të mjaftueshme librat klasikë do t’i rilexoja pa u lodhur kurrë. Janë produkte autorësh që i ka çertifikuar Koha dhe jo marketingu. Libra me shpirt “evergreen” që si vera e vjetër bëhen më të shijshëm sa më shumë fallco dhe shterpe të jenë kohët materiale që përjetojmë. Janë shumë dhe më është e pamundur të zgjedh veç një prej tyre, por në respekt të pyetjes suaj do të përmendja “1984” të George Orwell.
Cilin autor/e të ri/re, të publikuar së fundmi, shqiptar ose të huaj do t’i rekomandonit lexuesit dhe pse ?
Artan Gjyzel Hasani: Nga emrat e rinj në letërsine shqipe do të rekomandoja për lexim dy autorë të rinj që më duken premtues, Daniela Xhani me erotizmin “dark” dhe sensualitetin inteligjent të poezive te saja dhe Ervin Nezha me frymën kuteliane, por moderne, në prozat e tij të shkurtëra. Po kështu do të sugjeroja “Leonard Cohen: The Mystical Roots of Genius” nga Harry Freedman, një libër pa leximin e të cilit nuk do të mund të kuptohen rrënjët mistike të gjenisë krijuese të këngëtarit dhe poetit të madh.
Flurans Ilia, Montreal-Québec
Zgjidhni një nga librat tuaj dhe jepni arsyet pse ai libër duhet të jetë në listën për t’u lexuar këtë verë, ose kurdo.
Flurans Ilia: Në listën për t'u lexuar këtë verë është libri im i fundit "Hapësirë midis dy notave". Mos kujtoni se jam paranojak në raport me veten. As me atë tjetrin, poetin brenda vetes. E rekomandoj sepse ka shumë verë brenda kësaj përmbledhjeje ku deti ndijohet, dëgjohet, në sfond, duke i shuar të gjitha gricjet e acarta të pikëpyetjeve të mia si njeri. Dhe kur e rekomandoj si libër nuk e kam fare "hallin" te vetja. Kam vite jete që i kam zgjidhur këto dilema. por ngaqë libri kërkon të hapë një formë dialogu të munguar midis nesh si qenie kalimtare të viteve në ikje dhe atyre që vijnë.

- Porosit librin “Hapësirë midis dy notave": https://www.adrionltd.com/en/albanian-authors/133527-hapesire-midis-dy-notave.html
Na thoni një nga librat klasikë që do preferonit ta rilexonit dhe pse?
Flurans Ilia: Në librat klasikë tashmë të letërsisë së përbotshme, unë e kam shprehur hapur edhe më parë se përgjatë ditëve të verës (ah që është kaq e shkurtër dhe e vyer vera këtu në Kanada!), është gabim të përzgjedhësh diçka të tipit Dostojevski, apo diçka të përafërt dhe voluminoze, unë jam kundra kësaj si lexues sepse u bënë vite që lexoj dhe e di se ç’do të thotë të sakrifikosh ditët e verës me romane voluminozë. Do të rekomandoja diçka fine, si një sallatë, si peshku në zgarë, si frutat dhe lëngjet e tyre, si vera e bardhë e ftohur mirë në buzë të muzgut në bregdet. Për mua si lexonjës ata që më kanë këndellur gjatë ditëve të verës janë shkrimtarët elegantë, të zhveshur nga ndërlikimet ndërtimore, burimorë dhe imagjinarë të tipit Italo Calvino, Umberto Eco, Daniel Pennac, Le Clezio, Kundera, Exupery dhe krejt letërsia latino amerikane (këta të fundit janë të hatashëm për t'u lexuar përgjatë verës).
Cilin autor/e të ri/re, të publikuar së fundmi, shqiptar ose të huaj do t’i rekomandonit lexuesit dhe pse ?
Flurans Ilia: Kam përshtypjen se jam më afër asaj çka është botuar përgjatë vitit 2022 në atdhe dhe gjetkë. Domethënë nuk dua të bëj si ekspert i lexuar i 2023-it. Kërkoj gjithmonë kohën time në "asimilimin" total të librit si lexues. Ajo që do rekomandoja këtë verë është poezia dhe proza shqipe, kryesisht nga autore nga të cilat ky vit ka patur prurje me të vërtet mbresëlënëse. Do veçoja për shembull autoret Lea Ypi në prozë dhe Erina Çoku në poezi. Arsyeja? Për prurjet respektive që kanë sjellë në këto dy zhanre të letërsisë. Por e di se çfarë ndodh? Shpesh, autoret femra në Shqipëri kur vjen fjala te diskursi i librit, anashkalohen, me qëllim apo jo, këtë kurrë nuk e kam kuptuar. Ju faleminderit dhe pushime të mbara të gjithëve. Mos reshtni së lexuari, se celularin aty e keni, nuk ikën nga vendi.
Arben Kallamata, Mississauga-Ontario
Zgjidhni një nga librat tuaj dhe jepni arsyet pse ai libër duhet të jetë në listën për t’u lexuar këtë verë, ose kurdo.
Arben Kallamata: Hahaha! Kjo duhet të hyjë në listën e pyetjeve të ndaluara për t’iu bërë një autori. Meqë një listë e tillë nuk ekziston, jam i detyruar t’i përgjigjem, sado e dhimbshme që është. Unë do zgjidhja “Hijet e Muzgut”. Pse? Sepse libri është një vështrim sarkastik mbi mitet, të gjitha llojet e miteve që na rrethojnë, historike, fetare, kulturore, ideologjike. Kemi shumë të tillë. Dikush mund të thotë, “Çfarë problemi kanë mitet? Ato nuk i sjellin dëm njeriu. Edhe po të mos jenë të vërtetë, të paktën na bëjnë të ndihemi mirë.” Mbase ashtu është. Mirë ndihet edhe struci kur zhyt kokën në rërë dhe mendon se e ka shmangur rrezikun. Ne po e lemë veten të rrëshqasim poshtë e më poshtë ndoshta edhe sepse nuk arrijmë të shohim qartë se ku dhe çfarë jemi dhe të kuptojmë çfarë duhet të bëjmë për të përmirësuar veten. Përpos kësaj “Hijet…” është qejf të lexohet, ose të paktën këtë përshtypje kam unë. Ka humor dhe të intrigon për të menduar. Nuk jam i sigurt që mund të quhet “libër vere”, por do t’ia rekomandoja kujtdo që mendon t'i kushtojë seriozisht ca kohë leximit gjatë pushimeve.

- Porosit romanin “Hijet e Muzgut”: https://bukinist.al/sq/utopik-distopik/14647-un-mort.html
Na thoni një nga librat klasikë që do preferonit ta rilexonit dhe pse?
Arben Kallamata: Ka qënë një aktor nga Korça, një njeri i mrekullueshëm, Jani Riza, nëqoftëse iu kujtohet. Xhironin një film në Pogradec dhe, pas një dite tepër të gjatë dhe të vështirë, më në fund patën pak kohë të merrnin diçka për të ngrënë. Shkojnë në restorantin e hotel turizmit të Pogradecit dhe kur vjen kamerierja i pyet: Çfarë do merrni? “Sill çka menyja,” i tha Jani i uritur. Edhe unë do të doja ta gllabëroja edhe një herë të gjithë menynë e librave të lexuara në rini. Në atë kohë nuk kishim shumë zgjedhje, por ato që kishim i lexonim të gjitha, sepse kalonim shumë kohë duke lexuar. Tani njerëzit kanë Netflix dhe ulen në fundjavë dhe bëjnë “binge watching”, domethënë shohin 8 ose 16 seri të një programi njëra-pas-tjetrës. Kur ishim të rinj ne bënim “binge reading”, i hynim një romani nga fillimi në fund. Unë kam pasur faza kur lexoja gjithë librat e mundshëm të një autori, njëri-pas-tjetrit. Gjithçka mund të gjeja nga Dikensi, Zhyl Verni, Hugoi, Balzaku, Tueni, Poe, Grini, Markezi. Mbaj mend kur isha në fakultet gjeta në bibliotekën e Filologjikut dramat e Ibsenit. I lexova të gjitha, nga fillimi në fund. Por edhe me autorë shqiptarë – ne lexonim gjithçka botonte Kadareja, Agolli, Koreshi, Buxheli, Dedja, etj. Për here të fundit këtë “babëzillëk” e kam bërë me Margaret Atwood, para disa vjetësh. Sidoqoftë, për fat të keq, tani lexoj shumë më pak dhe kryesisht letërsi dokumentare. Sa do të desha të kem kohë dhe të lexoj në qejfin tim “Kapiteni Pesëmbëdhjetëvjeçar” të Zhyl Vernit, për shembull. Ose të zhytesha edhe një herë në atmosferën e “Huckelbery Fin”. Pikërisht për këtë lloj letërsie më merr malli më shumë, sepse edhe e ndjej që do të jetë e pamundur ta ri-jetoj atë kënaqësi që kam ndjerë dikur.
Cilin autor/e të ri/re, të publikuar së fundmi, shqiptar ose të huaj do t’i rekomandonit lexuesit dhe pse ?
Arben Kallamata: Para disa ditësh pata një veprimtari për promovimin e “Un Mort” në Toronto. Në mbarim, kur po shpërndaja kopje të librit për lexuesit, më afrohet dikush që, pasi mori romanin tim, më zgjati një kopje të një libri të tij. Nuk e njihja. Më pa drejt e në sy pa thënë asgjë. Vetëm më la kopjen e librit. Unë e kapa dhe e vura në një kuti aty pranë. Në euforinë e nënshkrimit të librave të mi, nuk i kushtova shumë vëmendje as më vonë atë mbrëmje kur mbërrita në shtëpi. Tre ditë më pas e kapa rastësisht librin nga kutia ku vazhdonte të priste. Pa e hapur thashë me vete: “Dy faqe. E kam për detyrë t’i lexoj të paktën dy faqe. Nëse nuk është grafoman, do vazhdoj edhe më tej.” E hapa librin. Hëm, poezi. Unë s’para lexoj poezi. Më erdhi keq që ishte munduar kot. Sidoqoftë, në mendjen time ia kisha “premtuar” dy faqe. Lexova dy poezitë e para... Pastaj lexova gjithë pjesën tjetër të librit, thuajse pa ndaluar. Autori quhet Shani Pnishi. Jeton në Hamilton, Ontario. Libri titullohet “Këtu dhe atje”. Poezitë e Pnishit kanë ndjenjë, kanë intelekt, kanë kulturë dhe gjuhë shumë të bukur shqipe. Do ta rekomandoja pa hezitim. Do të rekomandoja t’iu jepni të gjithëve një shans – lexoni pak, një pasazh, dy. Nëse dalloni profesionistin, vazhdoni ta lexoni deri në fund, pavarësisht nëse është emër i njohur apo jo.
Armenida Qyqja, Vancouver-British Columbia
Zgjidhni një nga librat tuaj dhe jepni arsyet pse ai libër duhet të jetë në listën për t’u lexuar këtë verë ose kurdo.
Armenida Qyqja: "I vdekuri që qesh"-libri im në prozë. Për shkak të shumëllojshmërisë së temave të pasqyruara, shkak-pasojat e gjendjes në të cilën ndodhemi.

- Porosit librin “I vdekuri që qesh”: https://bukinist.al/sq/tregim-novele/14504-i-vdekuri-qe-qesh.html
Na thoni një nga librat klasikë që do preferonit ta rilexonit dhe pse?
Armenida Qyqja: “Të Mjerët”, Viktor Hygo. Kontrastet, këndvështrimet, zbërthimet që i bën shoqërisë dhe natyrës njerëzore. Planet dhe rrafshet.
Cilin autor/e të ri/re, të publikuar së fundmi, shqiptar ose të huaj do t’i rekomandonit lexuesit dhe pse ?
Armenida Qyqja: Bonnie Garmus me “Lessons in Chemistry”, nuk e di nëse është përkthyer në shqip.
Përparim Kapllani, Toronto-Ontario
Zgjidhni një nga librat tuaj dhe jepni arsyet pse ai libër duhet të jetë në listën për t’u lexuar këtë verë.
Përparim Kapllani: Nga librat e mi do të përmendja romanin “The Thin Line”, botuar nga Mawenzi House dhe redaktor dy herë fitues të Giller-it shkrimtarin M.G. Vassanji. Ky roman është një rishkrim nga e para i romanit “The Wild Boars” botuar nga IOWI “In Our Words Inc”. Vërtet ka emrin tim mbi kopertinë, por është një vepër në të cilën kanë dhënë kontributin e tyre gjuhësor dhe kompozicional shumë shkrimtarë, duke filluar nga Vasanji, Cheryl Xavier, Nina Munteanu e Brandon Pitts. Mund të ketë ndonjë gabim ortografik, por është parë disa herë nga këta shkrimtarë, të cilët jo vetëm që e kanë redaktuar, por edhe kanë bashkëpunuar shumë ngushtë me mua si autor, që kjo vepër t’ia arrijë qëllimit. Ky roman është vlerësuar si një vepër e arrirë edhe në faqen e parë të Toronto Star. Bën fjalë për një djalosh 10-vjeçar nga Kosova, i cili i mbijetoi masakrës, pasi nëna e mbuloi me trupin e saj të gjakosur. Vogëlushi bëhet dëshmitari kryesor kundër Millosheviçit në Gjykatën e Hagës. Ka patur reagime edhe nga komuniteti serb në Toronto dhe më gjerë.

- Porosit librin “The Thin Line”: https://www.amazon.ca/Thin-Line-Perparim-Kapllani-ebook/dp/B07KMLN4KH
Na thoni një nga librat klasikë që do preferonit të rilexonit dhe pse?
Përparim Kapllani: Do të dëshiroja të rilexoja “Lufta dhe paqja” të Leon Tolstoit, si dhe “Të mjerët” të shkruar nga Viktor Hygo. “Don Kishoti i Mancës”, “Udhëtimet e Guliverit”, “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”, “I Huaji” i Alber Kamysë e dhjetra vepra të tjera, do t’ i rilexoja me shumë dëshirë.
Cilin autor/e të ri/re, të publikuar së fundmi, shqiptar ose të huaj do t’i rekomandonit lexuesit dhe pse ?
Përparim Kapllani: Nëse do të zgjidhja nga botimet në gjuhën shqipe, do të parapëlqeja romanin e Arben Kallamatës –“Un Mort”. Këtë roman e kam zgjedhur për shumë arsye, por përmbi të gjitha për gjuhën e bukur shqipe, gramatikën e përsosur, logjikën e të shkruarit, ndjenjën e humorit që e përshkon si një fije e artë dhe për mënyrën sesi përfundon libri: Bombat atomike të Kinës kthehen andej nga kanë ardhur dhe bota shpëton përfundimisht nga ndonjë marrëzi e diktatorit. Nga librat me tregime do të zgjidhja përmbledhjen e Ajkuna Daklit “Çizme lëkure në kohë lufte”. Me thënë të drejtën kam lexuar shumë pak nga kjo autore, por nga ato që kam lexuar mendoj se është një shkrimtare shumë e mirë. Nga librat në anglisht do të përmendja librat illustrativë për fëmijë të Jeta Vojkollarit. Kjo autore ka botuar në shqip dhe në anglisht, por duket sikur ka shpërthyer në zhanrin e librave për fëmijë.
Merita Paparisto, Toronto-Ontario
Zgjidhni një nga librat tuaj dhe jepni arsyet pse ai libër duhet të jetë në listën për t’u lexuar këtë verë.
Merita Paparisto: Do rekomandoja librin tim të fundit me poezi “Solsticë”. Pse të fundit? Sepse besoj që krijimtaria ime ngjason me verën.

- Porosit librin "Solstice" https://www.amazon.ca/Solstice-Merita-Paparisto/dp/B088XXPJ3P
Na thoni një nga librat klasikë që do preferonit të rilexonit dhe pse?
Merita Paparisto: Unë jam rritur me autorët klasikë dhe shijet e mia artistike janë formëzuar nga ata. I kthehem shumë herë me të njejtën kënaqësi dhe e kam të vështirë të zgjedh një të vetëm. Për momentin jam duke lexuar : “A Study in Scarlet” dhe “ The Hound of the Baskervilles” me autor Sir Arthur Conan Doyle. Më ka mbërthyer leximi i tyre.
Cilin autor/e të ri/re, të publikuar së fundmi, shqiptar ose të huaj do t’i rekomandonit lexuesit dhe pse ?
Merita Paparisto: Autorë bashkëkohorë do rekomandoja Margaret Attwood është risi në stil dhe trajtim. Romanet Dystopian janë në lulëzim, pra bashkëkohorë. Ndërsa nga letërsia shqipe do rekomandoja Tom Kukën, përsëri për stilin autentik dhe fije të realizmit magjik në veprat e tij. Çdo epokë ka pasur realitetin e vet paralel nëpër të cilin ka rrjedhur arti duke i paraprirë në një farë mënyre realitetit material. Mendoj që ato të mësipërmet i përkasin epokës tonë.
©Flasshqip.ca












