Kulturë

“Bibliotekat e intelektualëve” e Injac Zamputit dhe intelektualët pa biblioteka - Nga Frano Kulli     

  • Published in Kulturë

1.

Injac Zamputi, në librin e tij “Kujtime-njerëz, fakte, ngjarje”, në një syth të rrëfimeve, andej nga faqet e fundit të librit të titulluar “Bibliotekat e intelektualëve” shkruan:  Qysh në muejt e parë të mbasluftës (duhet të ketë qenë qershori 1945), Qarkori i Partisë Komuniste [në Tiranë] shpërndau nëpër shtëpitë tonë një fletushkë me një listë autorësh dhe me titujt e librave që nuk duhej të mbaheshin në bibliotekat tona shtëpiake. Domosdo, të parat ishin veprat e Fishtës, Koliqit dhe të klerikëve katolikë. Por ajo që më çuditi dhe që më bani të mendohesha qe fakti se, në këtë listë ishte vu edhe emni i im... Kjo listë librash të ndaluem ishte në gjurmët e Kundër-reformës të shekullit XVI kur, në Koncilin e Trentit [Trentos], u krijue "Indeksi".

Dhe Zamputi, si rrallë kush tjetër e njihte dhe e dinte mirë se ç'kish qenë ai “Indeksi” i Koncilit të atëhershëm i katër shekujve më parë dhe çka kishte me qenë ky që sapo u shfaq, referuar kohës për të cilën ai flet. Ai edhe e dallon mirë fort nuancën e grihtë në të zezë që e bënte të ndryshëm “Indeksin” e ri nga ai i herëshmi. “Indeksi” komunist po krijohej vetëm duke u nisë nga pozita klasore e autorëve... Dhe, natyrisht, që njëri syresh, që do të futej në orbitën e “Indeksit”, do të ishte me patjetër edhe vetë ai, Zamputi. 

Me origjinë italiane, nga babai, me shkollim e kulturë të atjeshme, përftuar atje në vitet '30, dishepull i At Giuseppe (Zef) Valentinit e mësues në Seminarin Papnuer, koleg me Dom Ndre Mjedën, s'kish si të lihej jashtë rrethit të “Indeksit” komunist. Dhe ky veçim për të do t'i mbetet gozhdë në kujtesë për kaq dekada sa ishte numri i shekujve të kaluar, një aso gozhde, në të cilën dikush godet pa u ndalur dhe ajo ngulej pa prâ (ndalur) në gjithë qenien e tij. Një shqetësim në formën e ankthit, që pasi shfaqet në një moment e gjendje të caktuar, të ndjek si sëmundje kronike për gjithë jetën.

Çdo ndodhí e gjithçka që ngjet e ka një fillesë. Zanafilla e kësaj të keqeje është “atëhere kur kanë hy këta”, kur regjimi i ri i mbasluftës, hapte shtigjet e reja të parakalimit të dhunës e shtypjes. Mbi të diturit më së pari... Më mbas, sikurse për ata e për vetë Zamputin, mbikqyrja e vrojtimi sistemik e i pandalshëm i mbylli për të gjatë kohë në koracën e autocensurës së frikshme. Megjithatë ai dhe nja pak, fare pak të tjerë si Çabej, Gjeçi, Shllaku, Ashta, Leka, të cilët dalldia që erdhi i zuri këtu dhe qëndruan, mbas kalvarit të mundimshëm si të Jezu Krishtit ia dolën ta nxjerrin në breg vepren e vet të dobishme sa vetë ashti i kombit e me njetin e shpirtin kulturdashës t’ua trashëgojnë brezave. Qëndresa e tyre përballë rrebesheve absurde që sillte për ta sistemi i dhunës është fondamenti i artë i trashëgimisë sonë në fushën e dijes.

2.

Libërdashja, si kategori publike e marrëdhënies së ndërsjelltë të njeriut me dijen, gjithëherë tek ne ka ecë nëpërmjet lëkundjeve e ulje ngritjeve të përsëritura. Në varësi e sipas kurbës e trajtesës së kultivuar që asaj i ka bërë shoqëria, elita e saj... Pak më shumë se një muaj më parë uli qepenat njëra prej librarive të rëndësishme në Tiranë. Një tjetër, që shërbente edhe si agjenci shpërndarje për brenda vendit, ka filluar të paketojë nëpër kuti librat qëndrimgjatë aty, që simbas gjasave është preludi i melodisë krrakrra-itëse të qepen-uljes. Kurse marrëdhëniet e enteve publike me librin e me leximin, gjithherë kanë lënë për të dëshiruar. Edhe atëhere kur në krye të tyre, Ministrisë së Kulturës kanë qenë shkrimtarë. Dhe s'është kaq paradoksale sa duket, nëse gërmon pak, fare pak më thellë në njohjen e politikave qeverisëse për librin.

Sot, sistemi i qarkullimit libror në Shqipëri është me cilësinë më të ulët krahasuar me vendet fqinje me ne. Sikundërse përkujdesja shtetërore për të e pakrahasueshme me asgjë dhe me askënd, kërkund përreth nesh. E le më të të vijë në mendje ndonjë qasje me Europën, për ku gërthasim se duam të shkojmë. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, sot ekziston më shumë si një ent ku rrogëtohen disa njerëz. E shfytyruar padrejtësisht deri në dhimbje. E denjë për të lidhur aty Gomarin Viskë Babatasi, që Fishta e sjell te Komedia e vet Satirë “Gomari i Babatasit”, në pjesën e dytë të saj “Visku i Babatasit”. 

Viskë Babatasi është një nga të rrallët personazhe me emër të vërtetë në vepër, është person real i jetës sociale dhe politike shqiptare. Asokohe (1922-1928) qe drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Ishte sekretar i revistës “Albania” të Konicës, po i përgojuar dendur edhe nga ai. Ishte korçar, antikatolik i shpallur, por edhe antigegë gjithashtu. Kishte shumë humor dhe Fishtës i pëlqente humori i tij. Babatasi e kishte bërë zakon të shkonte në punë me gomar, sjellje kjo që i shkonte fort për shtat humorit të tij.  Dhe e lidhte gomarin te dritarja e Kryeministrisë, që ishte njëherësh edhe ministri e Jashtme. Një ditë, ndërsa po lidhte gomarin në  hekurat e dritares, i afrohet roja e i thotë: “Ka urdhnue zoti ministër mos me e lidhë ma gomarin këtu”. Atëherë Babatasi i kthehet e i thotë: “Ka të drejtë, zotëria, dy gomarë në një ministri nuk bën të lidhen”...

Edhe status quo-së së rrënuar të Bibliotekës së sotme Kombëtare i parapriu njëherë djegia e një tjetër herë përmbytja. Ndoshta për ta bërë më të pranuar atë që do të vinte më pas. Ndërsa sipër ambienteve të saj të stërngushta sa të marrin frymën, aty në qendër të kryeqytetit të Shqipërisë bëjnë karshillek ca zyra të një Instituti Italian. Me një kontratë, nënshkruar para gati tridhjetë vjetësh me shtetin shqiptar. Sfiduese deri ku s’shkon, që përpos të tjerash është përmbytëse nga fyerja e poshtnimi që i bën librit, puntorëve të librit, përdoruesve të tij, intelektualëve, krejt kulturës sonë kombëtare dhe dijes sonë.

3.

Librat e vjetër hallakatur nëpër trotuare, buzë Lanës kanë ardhë duke u shtuar; vendpushimet e shpeshtuara të tyre janë gjithnjë e më plot. Në bisedat e prejkohshme ndërmjet dashamirëve të librit ka zënë vend nevoja e lirimit të bibliotekave familjare... Tani, “Indeksi” komunist ka pushuar së qeni, se nuk duhet më. Duhet diçka tjetër pra, po kaq e trishtë si duket, cytja e njerëzisë drej padijes sistemike. Fundja a nuk mund të sundohen mjaft ma kollaj njerëzit e paditur?

© Frano Kulli