Arte & Media

Radio Praga - Nga Vangjush Saro

Krahas familjes, mësuesve, bibliotekës, teatrit, kinemasë, sportit, në rininë tonë pati një ndikim të madh Radio Praga. Nëse gjatë vegjëlisë e dëgjonim dhe e këndonim muzikën e huaj në mënyrë spontane, në gjimnaz nuk bëhej dot pa të. Kjo, falë Radio Pragës, që u bë njëlloj shkolle për ne. Në orën 1 deri në 2, transmetohej një program me muzikë të kërkuar; qytetarë italianë dhe të tjerë, që jetonin jashtë vendit, kryesisht në Gjermani, përshëndesnin të afërmit e tyre. Ne dëgjonim këngët dhe mrekulloheshim. Ndiqnim edhe stacione dhe emisione të tjera. Por Praga ishte e përditshme dhe ne përpiqeshim të mos e humbisnim. Ishte kënaqësi të dëgjoje, anipse aparati bënte ndonjëherë zhurmë, në mos fishkëllente: D. Modunjo. Xh. Çinkueti. A. Çelentano. K. Kazeli. Xh. Morandi. M. Ranieri… Të tjerë kam lënë pa përmendur. Nëpër të, e kohë pas kohe, filluam të dëgjonim më shumë edhe këngë angleze dhe amerikane. Bitëllsat. 'Gjeografia' muzikore plotësohej edhe me këngë franceze, greke e, doemos, edhe me këngë shqiptare e posaçërisht me serenata.

Gjithsesi, kënga italiane, kultura italiane, përcjellë edhe përmes Radio Pragës, bëri hopin në jetën tonë. Kjo lidhje e veçantë, na dhuroi aq shumë, sa më vonë nuk do të na besohej. Ajo na edukoi dashurinë për muzikën; na ftilloi italishten; na mbajti ndezur fantazinë dhe na dha informacion për vende e njerëz që nuk i kishim parë asnjëherë, por i përfytyronim; dhe më e rëndësishmja, na pajisi me ndjenjën e kërkimit e të mospajtimit me çdo gjë dhe me pak. Radio Praga ishte liria jonë, sado e cunguar, e përkohshme. Breza të tërë u rritën me atë radio. Është ndër kujtimet më të bukura e më me vlera.

Falemnderit, Radio Praga!