Arte & Media

Kush është regjisorja shqiptare e filmit kandidat për Oscar?

Intervistoi: Jeta Dedja

Antoneta Kastrati u bë edhe më e njohur pas shfaqjes së filmit “Zana” në Toronto International Film Festival (TIFF). Si regjisore e filmit mjaft të pëlqyer nga audienca shqiptare e kanadeze, Antoneta mori vëmendje të merituar mediatike. Për filmin unë kam hedhur impresionet e mia në artikullin “Ja pse shkëlqeu filmi “Zana” në Toronto”, dhe prandaj sot interesin e kam tek koka drejtuese e suksesit. Kush është gruaja me vështrimin e mprehtë dhe me pamje sa femërore aq edhe autoritare në skenë dhe në sheshxhirime? Kush është regjisorja, filmi i së cilës do të përfaqësojë Kosovën në çmimet Oscar? FlasShqip kontaktoi me Antoneta Kastratin për të realizuar një intervistë në mjediset e Hotel Hyatt Regency Toronto. Regjisorja erdhi e shoqëruar nga bashkëshorti amerikan njëherazi dhe producenti i filmit, Casey Cooper Johnson, i cili na përshëndeti me një shqipe të pastër.

Antoneta, si e ka mësuar kaq mirë gjuhën shqipe Casey?

Casey ka jetuar në Kosovë për rreth 10 vjet, qëkur erdhi si vullnetar gjatë kohës së pasluftës. Dhe qëkur jemi lidhur bashkë e deri më sot që jetojmë në Los Anxhelos ne përpiqemi të flasim shqip në familje në mënyrë që edhe dy vajzat tona ta mbajnë gjallë gjuhën. 

Domethënë dashuria juaj, siç kanë lindur shumë prej dashurive të mëdha, lindi në rrethana të jashtëzakonshme?

Po, jemi njohur në rrethanat kur Kosova kishte më shumë nevojë për mbështetje dhe Casey ishte aty për të kontribuar.

Në ç’vend të Kosovës jetonte atëbotë Antoneta Kastrati?

Jetoja në Zahaq, një fshat i vogël në Pejë, ku edhe kam lindur e rritur derisa sa mbarova shkollën e mesme mjekësore.

Uau mjekësi. Si ndodhi që ndryshove fushë nga mjekësia tek gazetaria dhe komunikimi?

E ndërrova drejtimin për shkak të ngjarjeve të ndodhura në familjen time. Lufta më mori nënën dhe motrën. Nuk mundesha më emocionalisht të përballoja këtë fushë studimi, në kohën që vetë vuaja nga stresi posttraumatik. Rasti e solli në atë kohë në vitin 2002 të trajnohem nga një regjisore Njujorkeze në fushën e dokumentarëve. Më pas, duke qenë se kishte shumë nevojë për pasqyrim të Kosovës dhe problemeve të saj, bëshkë me time motër Sevdijen dhe Casey-n krijuam kompaninë filmike Crossing Bridging Films dhe kemi realizuar bashkëpunime në Prishtinë edhe me gazetaren Jeta Xharra.

Bukur, po me çfarë e inauguruat kompaninë? Cila ishte puna e parë e realizuar?

Ohhh, ishim në Pejë kur realizuam dokumentarin të titulluar “Unspoken”. Tani që më pyete u kujtova për të, e paskam harruar fare. Ishte një prodhim naiv i kryer me pasionin e tre njerëzve që i futen detit në këmbë pa patur mbështetje dhe me resurse minimale. Kishim vetëbesimin që na e jepte mosha me siguri.

Jam kurioze për punën e parë. Gjendet online dokumentari?

Jo, nuk është online. Duhet ta kem diku në arkiva. Uhh..ç’më kujtove!

Çfarë doje ti tregoje publikut përmes “Unspoken”?

Ashtu shpejt e shpejt siç e xhiruam dhe montuam pa një skenar të mirëfilltë, ne donim të tregonin shtypjen e vazhdueshme të grave në botën e burrave dhe të ndërgjegjësonim shoqërinë për të respektuar të drejtat e gruas.

Shoh që të paska tërhequr tema e gruas që herët. Mos ndoshta ka ndikuar përbërja e familjes tënde?

Hm..Unë vij nga një katund i vogël i Pejës, rritur në një familje prej 6 vajzash dhe një djali. Motrat e mia më të mëdha nuk shkuan dot në shkollë. Ne nuk mundeshim të bënim shumë aktivitete që në botën e zhvilluar janë normale si ngarja e biçikletës apo të dalurit me shoqe, pasi këto nuk shiheshin me sy të mirë. Si fëmija e gjashtë unë kam patur gjithmonë dëshirë të bëja më shumë se ç’lejohej. Lexoja shumë dhe nuk pranoja dot mendësinë se ca gjëra s’mund ti bëja vetëm sepse isha femër.

E megjithatë arrite të shkolloheshe...

Kam insistuar të shkollohem dhe kam qenë nxënëse e mirë ndërkohë që shoqe të miat nuk kanë mundur të shkojnë sepse familja nuk i ka mbështetur të shkojnë as në shkollë të mesme.

Mos ndoshta rasti yt ka ndikuar tek fati i motrës tënde më të vogël?

Ndoshta, motra ime Sevdije është ndikuar prej meje, dhe e ka patur më të lehtë. Fakti që kam patur sukses në gjërat që kam bërë më ka ndihmuar të pranohem e të kem reputacion e respekt prej komunitetit.

Dhe ky reputacion të ndihmoi gjatë xhirimeve të filmit në Pejë besoj? Pate mbështetje nga komuna atje?

Po, u ndjeva kaq mirë me mbështetjen që kam marrë nga të gjithë banorët. Komuna na ka ndihmuar se shumë pak filma xhirohen atje. U jam mirënjohëse gjithë atyre njerëzve që më kanë ndihmuar me gjithçka. Familjes time, motrave dhe babës që jetojnë ende në Pejë. Madje baba ka marrë pjesë edhe si aktor në një skenë në film. Gjithë familja më ka ndihmuar kaq shumë. Motrat janë munduar të gjejnë ekstra sende për skenografi, kostume.

Po aktoren kryesore Adriana Matoshin si e gjete?

Adrianën e njihja përmes filmave. Ky është bashkëpunimi i parë me Adrianën. Është një nga aktoret më të mira, e cila ka shumë prezencë dhe një fytyrë ëngjëllore dhe misterioze.  

Personazhi i Lumes zbërthen një nga çrregullimet psikologjike më të vështira siç është stresi post traumës. Si ia dolët?

Unë i kam përjetuar vetë simptomat e stresit post traumatik dhe në një farë mënyre kam projektuar përvojat e mia tek personazhi. Por gjithashtu përveçse kam lexuar shumë, kam përfshirë edhe përvojat e mbledhura përmes intervistave me grate kosovare që kanë vuajtur nga traumat e luftës, që të merrja përjetimet më të sakta.

Lumen, familjarët e çojnë ta kurojnë përmes magjisë së zezë. Po ti e ke jetuar ndonjëherë këtë situatë?

Hahhahaha…jo jo.

Po nga e more stimulin për të përfshirë këtë element në film?

Në 2009 kam realizuar dokumentarin “Seeking magic”, i cili kishte në qendër trajtimin e magjive, bestytnive të krahinës ku unë jam rritur dhe mënyrat e zgjidhjes së problemeve shëndetësore apo emocionale përmes ushtruesve të magjisë së zesë. Unë jam rritur me atë realitet dhe kam qenë dëshmitare e situatave kur femrat çoheshin për të kuruar problemet e shëndetit mendor te hoxha. Vajtja te psikiatri apo psikologu ka qenë tabu.

E në fakt vazhdon të konsiderohet në disa zona ende. Por të paktën nuk është më tabu pjesëmarrja e filmit të Kosovës në Festivalin Ndërkombëtar të Torontos. Filmi “Zana” çeli siparin e festivalit. Si arriti Zana e Kosovës në TIFF?

Fatmirësisht. Ne aplikuam për të marrë pjesë në TIFF dhe pas katër ditësh na erdhi ftesa e pranimit. U gëzuam shumë sepse ishte kurorëzimi i një pune 5 vjeçare dhe shpërblimi i mundit dhe besimit të ekipit mbështetës. Mundësia për të shfaqur filmin në TIFF ishte një mundësi e artë për ta bërë atë të njohur.

Po vihet re një shpërthim talentesh prej Kosove, në art e sport. Një tjetër emër i gjinisë femërore në fushën e kinematografisë është edhe Lindita Zeqiraj, filmi i të cilës po konkuron në festivalin e Calgary-t në Kanada. Si e shpjegon ti këtë suksese femëror?

Linditën e kam shoqe dhe e vlerësoj shumë për punën që bën dhe talentin e saj. Nga ana tjetër mendoj që femrat kosovare për shumë kohë nuk kanë patur mundësi ta tregojnë veten më herët dhe ato kanë vullnet të jashtëzakonshëm për punë. Ne femrat kemi ambicie dhe duam të ecim përpara, dhe tani është një periudhë shumë e mirë për regjisoret femra.

Antoneta unë uroj të kesh suksese të mëtejshme me filmin “Zana”, pse jo një çmim “Oscar” për Kosovën. Faleminderit për kënaqësinë që ekipi realizues i dha publikut të Torontos dhe ti personalisht portalit FlasShqip.ca me rrëfimin e sotëm.

 

Shtator 2019

©FlasShqip.ca