Arte & Media

Në ditën ndërkombëtare të televizionit - Nga Alfons Zeneli

Para shumë viteve, një zonjë në Berat, sapo pa grupin e xhirimit të RTSH, filloi të thërriste ''Poshtë televizori''. Gazetari përgjegjës i grupit të xhirimit, një prej më të talentuarve të asaj godine ndër kohëra, Marash Mirashi, iu drejtua gjithë qetësi asaj dhe i tha: ''jo poshtë televizoRi, zonjë, por poshte televizioNi''.

Sot është dita ndërkombëtare e TELEVIZIONIT. Një shpikje spektakolare që magjepsi njerëzit dhe i bëri ''skllevër'' të ekranit të vet. Pikërisht ky fakt e bëri ekranin një pushtet më vete dhe kur je pushtet, shndërrohesh automatikisht në një objekt maksimalisht të lakmueshëm. Kaq mjaftoi që televizioni si instrument, si institucion të ekspozohej ndaj rrezikut potencial të kompromentimit.

Sot televizionet shiten e blihen si kobure në kuptimin fillestar të fjalës. ''Do ble një televizion'', thotë biznesmeni X. ''Po përse'', e pyet dikush. ''Ta kem për vetëmbrojtje'', përgjigjet biznesmeni. Dhe kjo presupozon që këtë televizion t'ua vërë dikastereve shtetërore te koka për presion kur bosi ka nevojë për tendera të majmë me proçedurë të përshpejtuar, kur ka etje për prona nga Vermoshi e deri në Ksamil, kur ka uri për toka nga Dibra e deri në Fier, kur përvëlohet për plazhe nga Pogradeci e deri në Gjirin e Lalëzit. Televizionet tashmë iu ngjajnë shpellave ku strehohen kaçakët që grabitin udhëtarët dhe karvanet e pasurive publike. Ngjajnë me hijenat që presin kërrmat e qeverive që bien dhe mishin e njomë të qeverive që vijnë.

Në kushte të tilla, gazetarët ose fillojnë të hungërijnë konform tufës ose iu duhet të ikin me vrap të pështirosur e të mbeten pa punë. Studiot ngjajnë me grazhdin e lopëve ku sektet e lëpirësve hanë tagjinë e përditshme, iu këndojnë paguesve më të parë dhe bajgosin të mjerët e pas-ekraneve. Në Shqipëri, marrëdhënia mes politikës dhe ekranit shënon nivelin më pervers të mundshëm të një marrëdhënieje. Nëse pronari ose moderatori i një televizioni ka ditëlindjen, ka blerë komplet të ri çorapesh, ka ndërruar vajin e motorrit të makinës, ka marrë grua të re, ka triumfuar në luftën kundër kapsllëkut, ka vjellë nga ndryshimi i dietës, është djegur në Maldive, i ka humbur kollaroja apo i ka ngjarë diçka tjetër e këtij lloji, taborri i politikanëve me një emocion, mezipritje, me një pathos të patreguar, me një zulm prej kopeje buajsh vërshon si një lumë jargësh për të bërë qokën sublime.

Ky monstrum bosash që e di ''gent planin'' për emër njeriu, është e natyrshme që të mos ia kushtojë ekranin e tij Gjergj Fishtës, Ernest Koliqit, Lasgush Poradecit, At Stath Melanit, Isuf Luzajt e dhjetëra të tjerëve që ndritin gjoksin e kombit. Ekrane korrupsioni, grabitjesh, kontrabande influencash, presionesh mbi vendimmarrjen politike, kuplarash dhe orgjish, injorance dhe hipokrizie, deliresh dhe perversiteti, antivlerash dhe antikombëtarë.

Ky është ekrani shqiptar në këtë ditë ndërkombëtare të televizionit. Vetëm 1/1000 e kësaj do të mjaftonte për të kuptuar e parë se çfarë zhgënjimi shkatërrues është kjo situatë mbi aktin e themelimit dhe misionin e televizionit si institucion për edukimin estetik, artistik, kulturor e ditunor të shikuesve dhe të mbarë shoqërisë.