Arte & Media

Rrëfenja mbi gratë e tablove të Degas dhe Monet - Nga Artan Gjyzel Hasani

Gra me çadra dielli

Ndërsa po vizitoja Galerinë Kombetare te Arteve në Washington DC, ndalova gjatë para kryeveprës së Claude Monet.

Claude Monet (1840-1926), piktori më i rëndësishëm i Impresionizmit vizatonte me bojëra vaji mbi kanavacë dhe përdorte vetëm 4 ngjyra, të bardhë, të kuqe, blu dhe të gjelbër. Hijet në pikturat e tij janë përzjerje e këtyre ngjyrave që prodhon një manushaqe të errët. Monet nuk përdori kurrë ngjyrën e zezë, pasi besonte se nëse do vizatohej jo vetëm drita e natyrës, por edhe errësira e saj, kjo do të çonte në kompletim përfundimtar të formës së tablosë, gjë që ai nuk e pëlqente. Të vizatuarit në natyrë dhe jo në studio ishte një nga tiparet karakteristike të Monet dhe gjithë Impresionizmit. Monet u fokusua në lojën e ngjyrave të objekteve nën dritën e ndryshueshme të diellit.

Tabloja “Gruaja me çadër dielli – Madame Monet dhe djali i saj” i përket vitit 1875. Gruaja e tij Camille shërbeu si model bashkë me të birin Jean që ishte 8 vjeç në atë kohë.

Peizazhi i mrekullueshëm tregon Camille të veshur me një fustan të bardhë voluminoz, me një kapele me vel, duke mbajtur një çadër dielli në dorë. Ajo qëndron mbi një kodër të gjelbër, kundrejt një qielli marramendës blu ku notojnë re të bardha.

Djali i Monet në sfond, shfaqet nga mesi e lart, për të dhënë idenë e relievit të thyer, duket sikur ka hyrë rastësisht në tablo dhe është kapur nga peneli padashje. Sytë e Camille kanë kapur në ajër vështrimin e dikujt që po e sheh atë me ngulm.

Loja magjike e Monet me dritën spikat kudo në këtë pikturë. Duket sikur diçka lëviz në ajër. Monet ka kapur efektet fluturuese të dritës së diellit duke përdorur hije të errëta dhe ngjyra me dritë për t’i vënë në pah hijet dhe pjesët ku bie direkt rrezja e diellit – një karakteristikë unike e tij kjo.

Bari është krijuar nga penelata të ndërprera që ngjajnë si presje, ndërsa qielli me penelata të shpejta e të forta që krijojnë idenë e mungesës së kufijve qiellorë, të vizatuar në një mënyrë jo edhe aq të këshillueshme nga tradita e epokës, por mjeshtërore. Piktura ka fluiditet dhe një lëvizje drite dhe ajri që iu transmetohet edhe shikuesve.

Shumë interesant është fakti që Monet e krijoi këtë pikturë në mënyrë eksperimentale, krejt të paqëllimtë, brenda një ore, thjesht për të ushtruar dorën gjatë ditëve që pushonte me familjen.

Dhe kjo u bë një nga punët e tij më të famshme. Në vitin 1983 një koleksionist ia dhuroi këtë kryevepër Galerisë Kombëtare të Artit në Washington DC.

Por historia e “Gruas me çadër dielli” nuk mbaron këtu.

Në vitin 1886 Monet vizatoi në një pozicion të ngjajshëm vajzën e gruas së tij të dytë, Suzanne Hoschede në tabllonë e titulluar thjesht “Gruaja me çadër dielli”.

Në vitin 1886, piktori i famshëm amerikan John Singer Sargent, pasi e pa veprën në një ekspozitë vendosi të bënte diçka të ngjashme për nga ideja (i frymëzuar nga të dy pikturat e Monet), në vitin 1889 në tablonë “Dy gra me çadra dielli në Fladbury”.

Dy histori me tablotë e Edgar Degas

Kjo pikturë e famshme e Edgar Degas ka dy histori.

Njera lidhet me mua dhe tjetra me vetë autorin e saj.

Diku nga vitet 70-të, kur une isha endè një spurdhjak 10 vjeçar, piktori dibran Bajram Mata i pati dhëne tim eti për disa ditë një katalog voluminoz me kryevepra të pikturës botërore. Kuptohet qe edhe unë e shfletova atë album. Më pati bërë shumë përshtypje “Katër balerinat ” e Degas dhe fshehurazi e kisha grisur atë fletë nga katalogu. I shihja tërë kohës dhe në mendjen time vallëzoja herë me njerën e herë me tjetrën. Nuk e dija se cila më tërhiqte më shumë. Natyrisht nën shtysa të mjegullta erotike dhe jo artistike. Supet dhe kurrizet lakuriq të balerinave të tablosë ishin diçka e pashmangshme për vëmendjen intense të një fëmije të moshës sime në kontekstin socrealist të kominosheve që mbante veshur Atdheu ynë në atë epokë. Mbase edhe kisha rënë në dashuri me secilën nga ato balerina, por, për hir të së vërtetës, nuk më kujtohet mirë ky fakt.

U desh të arrija në prag të gjashtëdhjetave që të vizitoja Galerinë Kombëtare të Artit ne Washington DC, e për habinë time të madhe dhe zhgenjimin tim të vonë të mësoja se katër balerinat kishin qenë një, e njejta femër, e njejta modele.

Pasi u ktheva në shtepi në Toronto kërkova të mësoj më shumë për rrethanat në të cilat u krijua kjo kryevepër dhe atë që zbulova po e ndaj këtu me ju:

Edgar Degas ishte mizantrop dhe nuk i pëlqente shoqëria e njerëzve, por psikologjikisht ishte i fiksuar me balerinat, të cilat ishin tema e qindra pikturave të tij. Duke qenë idhtar i levizjes në pikturë, Degas mendonte se njeriu është i lirë vetëm në lëvizje dhe pa kufij vetëm kur vallëzon.

Në vitin 1899, një fotograf i tregon mjeshtrit tri fotografi të një modeleje duke kërcyer disa vite më parë dhe Degas i frymëzuar nga ato vendosi të bënte një tablo, por nuk arriti të realizonte në kanavace atë që kishte në mendje.

I kërkoi fotografit ta njihte me modelen dhe ta bindte që ajo të vallëzonte vetëm për të në studion e tij për disa minuta. Modelja pranoi, por me një kusht: që ajo të ishte e para që do të shikonte pikturën. Dhe kështu ndodhi.

Merret me mend habia e modeles kur në vend të një porteti të saj ajo pa veten të formëzuar në katër balerina… Ndërsa ajo kërcente shkujdesur, mjeshtri Degas kishte fiksuar në mendjen e tij katër pozicione të ndryshme në atë lëvizje vallëzuese të vajzës.

Dhjetor 2019