Arte & Media

Një ekspozitë e Omer Kaleshit në Xhaminë e Madhe të Parisit - Nga Luan Rama

Nga: Luan Rama

Fytyrat që kërkojnë shpirtin

Dervishët, një temë e parapëlqyer e Omerit, krahas temës laike, fytyrave të mrekullueshme të vajzave, nudot, natyrat e qeta, barinjtë. Para një viti kishte vizatuar një seri portretesh për një ekspozitë me Institutin «Jonuz Emré» në Paris. Dhe ja, disa ditë më parë, në Xhaminë e Madhe të Parisit, ekspozita hapet, por me tablo të mëdha dervishësh e portretesh. Një diçka e rrallë të ekspozosh në këtë vend të shenjtë për muslimanët e Francës, por arti i Omerit i kapërcen kufijtë: ai mund të jetë i pranishëm në kisha e xhami, pasi në thelb të tij është njeriu dhe toleranca, ashtu siç dhe në atelierin e tij bën ballë një ikonë me kokën e Gjon Pagëzorit. Eshtë mrekulli të jetosh mes kulturave, besimeve, riteve dhe gjuhëve të ndryshme. Ndoshta pse jeta e ka bërë këtë njeri të udhëtojë gjatë dhe ¨që si një dishepull i Herodotit të pikëtakojë popuj të ndryshëm dhe të kapërcejë shumë kufij.

Kur ishte i ri dhe kur ati i tij e shikonte tek pikturonte, ai i thoshte, ose me mirë e qortonte:

- Pikturo shtëpi, peizazhe, ura, por mos pikturo më fytyra. Ato fytyra kërkojnë shpirtin dhe ti s'mund t'ua japësh atë. Vetëm Zoti mund t'u japë shpirt!... Shpesh bisedonim dhe për Zotin dhe një ditë i thashë:

- Edhe Zoti për mua është artist! Ishte Zoti që bëri Adamin me baltë.

- Dakort, - m'u përgjigj im atë, ai e bëri, por ai i dha shpirt ama!

Janë rreth 30 tablo, sa të ngjashme aq dhe të veçanta nga njëra tjetra, paraqitur në atë sallë të madhe ku njeriu ka dëshirë të qëndrojë gjatë. Dhe kjo nuk është hera e parë që Omeri pikëtakohet me poetin sufist Jonuz Emré, poetin e madh të dashurisë dhe jetës, i cili ndër të tjera kishte shkruar:

"Eja të njihemi,

Të duhemi dhe të punojmë për dashurinë,

Kjo botë nuk i takon askujt..."

Ky pikëtakim kishte ndodhur në një konferencë të madhe në Unesco më 1990 ku në sallonet e UNESCO-s ishin vendosur një sërë tablosh të Omerit. Tablotë e dervishëve të piktorit ballkanas e shoqëronin mjaft mirë figurën e poetit mistik të këtij "derviche errant, poet troubadour" ("dervish bohem, poet epik"), për të cilin më pas poeti dhe filozofi i njohur Jacques Lacarriere do të shkruante librin "La Poussière du monde" ("Pluhuri i botës"), libër që ia dedikonte piktorit me origjinë shqiptare Abedin Dino: "Në kujtim të Abedin Dinos që më udhëhoqi nëpër shtigjet anadollase të Junus Emre-së".

"Deri tani isha një burim,

Kur Përkryesit më panë

U bëra një det, larë në të katër brigjet..."

Deviza e bektashive "alevi", që Lacarrière vë në krye të këtij libri, "Feja jonë e vetme është Njeriu", duket se është dhe devizë e Omerit, feja e të cilit është arti dhe këto "koka" njerëzore që mbartin në vetvete jetë, drama e histori. Siç kujtonte më vonë Lacarriere, kur hyri në sallonet e UNESCO-s për të marrë pjesë në konferencë, atij i bënë përshtypje portretet e mëdha të tablove të Kaleshit varur në mur. "Fytyra që kurrë s'do t'i harroj, - do të shkruante ai. - Ato fytyra m'u dukën se i përkisnin njëkohësisht një bote tepër të largët, asaj të barinjve dhe të dervishëve. Një lloj himni, një himn i vështirë që shpreh sa gëzimin e qetësinë aq dhe mjerimin e dhimbjen. Në ato fytyra Omer Kaleshi përshkruan gjithë universin që një qenie njerëzore mund të ketë përshkruar kur ai është i zhveshur, i thjeshtë, përballë zhveshjes së botës. E njëkohësisht ai kërkon të thotë diçka. Ai do që ekzistenca e tij të marrë një kuptim për të tjerët".

"Në traditën e artit musliman, - thotë Kaleshi, - pikturimi i portretit të njeriut ka qenë prej shekujsh i ndaluar. Ishte Sulltan Mehmeti II, i mbiquajturi Fatihu, i cili solli në Stamboll piktorin italian Gentile Belini, ai që theu i pari këtë ligj fetar. Portretin e tij, pikturuar nga Belini, e kam parë në muzeumet e Londrës. Në kohën e Sulltan Fatihut jetonte dhe piktori Mehmed Siyah Kalem, i cili bashkë me nxënësit e tij punoi "Albumin e Fatih-ut" me një galeri të panumërt miniaturash. Ajo që më ka impresionuar më shumë ka qenë galeria e portreteve të dervishëve në qytetin e Haxhi Bektash, ku është dhe tyrbja e Haxhi Bektash Veliut. Ato tablo të pikturuara në shekullin e XV, atëherë kur pikturimi i portretit të njeriut ishte ndaluar dhe diçka vërtet e befasueshme".

Figurat e dervishëve përbëjnë një pjesë të madhe e të rëndësishme të veprës së Kaleshit. Njëri pas tjetrit, ata shfaqen në pëlhurat e tij me botën e tyre mistike, në një marsh të çuditshëm, të pafjaltë e shekullor. Kritiku turk Onder Senyapili, duke analizuar veprën e Kaleshit, shkruan se "Tablotë e Omerit janë të thjeshta si jeta e një dervishi. Janë të pasura si jeta e tyre. Vlera e tablove është në thjeshtësinë e tyre, apo më tepër në faktin se paraqesin një pasuri madhështore brenda kësaj thjeshtësie. Pikturat e tij reflektojnë një qetësi të krahasueshme me atë të një dervishi".

Dervishët, tema e preferuar e tij. Përse vallë? Askush nuk mund t’i përgjigjet në mënyrë të saktë dhe përfundimtare. Një ditë kur bashkë me Omerin ndodheshim në studio, vjen Oliver Depretz, me të cilin ai kishte qenë së fundi në Ohër për një veprimtari ballkanike. Kthehej nga Turqia. Sapo hyri, ai i zgjati Omerit një dervish-kukull që e kishte blerë në Kurdistan, një qytezë kufitare me Irakun. Ishte një dervish i veshur me gunë të bardhë...

Në qershor të vitit 1993, Lacarriere zbarkonte me kamionçinën e tij në studion e Kaleshit për të marrë 6 tablotë e mëdha, “Gjashtë dervishë”, që do të ekspozoheshin në galerinë "La licorne bleu" në Flavigny, jo larg fshatit ku ai shkruan romanet dhe esetë e tij. Atë mbrëmje poeti dhe filozofi prezantoi katër autorë të kombësive dhe të individualiteteve të ndryshme: Aristide Caillaud, me një univers naiv dhe piktura fantazmogorike: piktorin me origjinë greke Azecos Fassianos, brazilianen Heloisa Novaes me një seri portretesh grash, si dhe dervishët e ballkanasit Omer Kaleshi. Natën vonë, Kaleshi u kthye të flinte në shtëpinë e Lacarriere-it, ku ai do t’i fliste plot pasion për tablotë e tij, për dervishët, mitet dhe mitologjinë, Zotët dhe mesazhet biblike. Për këtë kritik si dhe për të tjerët, ato figura e portrete, duket se i përkasin "qerthullit mitik", atij "domaine mithique" (fushë mitike) nga ku burojnë tregimet antike në shkrimet e të pavdekshmit Homer apo tragjeditë e Eskilit dhe Sofokliut. Që nga ajo kohë dhomëza ku do të flinte Omeri në Sacy, do të quhej "maison d'Omer", "shtëpia e Omerit".

Duke analizuar portretet e Kaleshit, Lacarriere thotë se “ato fytyra që nuk i kemi parë askund janë origjinale nga mijëra fytyra që kemi parë nëpër ekspozita arti. Të jesh origjinal në botën e pikturës dhe për më tepër në metropolin e saj, kjo nuk është e vogël. E rëndësishme dhe kryesore për Omerin është dhe mbetet padyshim portreti…”

Një ditë, gjatë një bisede të gjatë, duke iu referuar dervishëve të tij, here në sfonde të kuqe, herë me guna të zeza, të zymtë e mistikë i kujtova dhe një tablo ku dervishi shfaqej përballë spektatorëve.

- Sigurisht, - m’u përgjigj ai, - dervishët janë të preferuarit e mi dhe kjo sepse unë jam rritur në një mjedis fetar. Im gjysh ishte kadi, im atë ishte hoxhë dhe ai shkonte mirë me bektashinjtë që jetonin në mëhallën tonë, por ata nuk shkonin në xhami. Njerëzit thonin: po shkojmë te dervishët. Te ne vinte gjithnjë dervish Halimi, një mik i babait, me mjekër të madhe dhe ne gëzoheshim. Neve fëmijëve na sillte gjithnjë vezë të ziera ose gështenja. "Dervishët rrotullues" apo marramendës, i kam parë për herë të parë në Turqi... Ishte një spektakël i vërtetë. Për mua, tre janë në fakt personalitetet humaniste më të mëdha muslimane që më kanë lënë mbresa të mëdha: Haxhi Bektash Veliu, themeluesi i bektashizmit, Mevlana, krijuesi i ritit të "dervishëve rrotullues" mevlevi, pasi ai e donte shumë vallëzimin e muzikën, dhe në atë rrotullim ai shihte udhën drejt Perëndisë, si dhe Jonuz Emré, dervish poet e humanist i madh i shekujve 13-14-të, i cili Zotin e shihte te Njeriu dhe Njeriun te Zoti.

- Ti flet për dervishët dhe mua më kujtohet një spektakël i tyre, në një teqe pranë mëhallës sonë, në zemër të Tiranës, kur isha fëmijë. Pas atij spektakli, dervishët u zhdukën dhe nuk i pashë më. Kishat katolike, ortodokse si dhe xhamitë, të gjitha u mbyllën. Shqipëria u shpall i pari vend ateist në botë. Ishte një delir. Tani përpiqem të imagjinoj atë spektakël gjigand që bëhet në Konja ku prehen eshtrat e Mevlana-s që më 1284, autorit të poemës "Mesnevi", prej gjashtë volumesh. Diku kam lexuar një varg të tij ku thoshte: "Shumë rrugë të çojnë për te Zoti. Unë zgjodha atë të valles e të muzikës..."

- Spektakli në Konja është vërtet impresionant... dervishët, me qeleshet e gjata, "sikké" rrotullohen pareshtur nën tingujt e flautit, tambures dhe të violinave, me sy të mbyllur, kredhur në një botë mistike. Diku Mevlana thotë: "Mos ji pa dashuri, që të mos vdesësh. Vdis në dashuri që të mbetesh i gjallë!" A nuk të ngjan si një lajtmotiv për jetën tonë efemere?! Shumë e shumë vite më parë, mbaj mend që kam parë në një ekspozitë të Rembradt-it, një grafikë të tij me figurën e një dervishi. Të duket e çuditshme që Rembrandt ka krijuar një personazh të tillë. Kam kohë që e kërkoj në ndonjë nga albumet e botuara këtu, por nuk po e gjej.

Këtë mbrëmje, ne dalim nga xhamia e madhe e Parisit, marrim rrugën anash Musée des Plantes për të shkuar drejt boulevardit Arago, në nr. 7, në katin e shtatë, numri fetish i tij, atje ku xhami i çatisë së tij të çon drejt qiellit. E unë mendoj për gjithë ata dervishë që kam parë gjatë shumë viteve në tablotë e tij.

Marshi i dervishëve

Dervishë bektashi…mevlevi. Në sfonde të bardha, të zeza apo të kuqe dhe rallë në jeshile.

Dervishë "tourneur" (rrotullues), që pas një dansi dehës e mistik, kanë lënë pas teqetë, vendet e kultit, oborret e gurtë, duke u shfaqur në telajot e Omer Kaleshit. Udhëtarë të largët të një bote të shkuar.

Ata janë disi të ngjashëm, hijerëndë, burrërorë, sikur në supet e tyre të mbajnë shkëmbenj të mëdhenj, halle. Megjithatë secili është një botë më vete. Një jetë, një histori. Një dhimbje e heshtur, e mpiksur.

Në vështrimin e tyre disi të mjergullt, ata qëndrojnë gjithnjë në këmbë, të lodhur si duket nga ai rrugëtim i gjatë përmes fushash pa anë, shkretëtirash të djegura nën një diell përvëlues. Hijerëndë tek mërmërisin këngë të vjetra sa bota. Bukur u këndonte në vjershat e tij Lacarriere:

“Asnjëherë nata nuk është vërtet e zezë,

as dielli nuk është vërtet dritë,

çfarë gjë të mrekullueshme ke parë atje lart

që fjalët të pa nevojshme t’i bën

dhe drejt pikturës veç të nxit?...”

Herë me kapuçë të kuq, herë krahëhapur, herë të mbytur në trisht e në dhimbje, ata janë gjithnjë aty, në tabllotë e studios së tij apo në ekspozita, gjithnjë diku…. Gjithnjë të paqtë, të mirë, me sy të perënduar. Ata mund të jenë dhe Jonuz Emré, dhe Haxhi Bektash apo Ibu Ata Allah… njerëz që vijnë nga errësira në dritë, sufistë që thonë: "edhe në errësirën më të madhe, fytyra tënde më jep dritë".

Në tablotë e Omerit, dervishët, herë burra, herë adoleshentë apo gra, mërmërisin pambarimisht lutje, që prej njëmijë vjetësh.