Arte & Media

Fiksimet e një regjisori

Shikoni këtë zonjë, në një foto të bërë në shtëpinë e saj, në Kaliforni, mbështetur tek një luan si të ishte njeri i familjes. Fotografia e saj është ekspozuar në revistën “Time”.

Eshtë Tippi Hedren (Nathalie Kay Hedren) aktiviste për mbrojtjen e kafshëve dhe themeluesja e “Shambala Preserve”, një territor prej 32 hektarësh, vendbanim i kafshëve të egra, krijuar nga ajo në vitin 1983. Qytetari amerikan në fotot e ekspozuara njeh aktoren hollivudiane që e ka parë në rolet kryesore të dy filmave të regjisorit të famshëm Alfred Hiçkok, “Zogjtë” dhe “Marni”.

Nathalie Kay Hedren nuk lindi për t'u marrë me botën e kafshëve. Në moshë të re ajo ka qënë një vajzë e ndrojtur (nga Minesota), që ecte rrugës kokëulur duke kafshuar thonjtë dhe duke ëndërruar një jetë më të mirë. Ajo u vendos në Kaliforni dhe aty nisi punën e modeles. Hedren bënte reklamën e një pije dietetike në televizion.

Si ndodhi që nga një modele e parëndësishme, ajo u shndërrua në aktore Hollivudi me famë?

Tippi Hedren, do kish uruar të mos e takonte kurrë regjisorin e madh. Takimin me Alfred Hiçkokun ajo e mban në kujtesë si një ditë që do t'i sillte famë dhe njëkohësisht fatkeqësi. Siç rrëfen ajo, edhe vetë njohja e tyre u bë në një ditë që përflitet si ditë ters. Ishte e premte, dt. 13, e muajit Tetor, kur dikush nga Hollivudi kërkoi të shihte fotografitë e saj. “Dikujt” i kishte tërhequr vëmendjen në reklamën televizive. Ajo shkoi tek 'International Studios', disa herë, pa kuptuar se ç’po ndodhte derisa i thanë që Alfred Hiçkoku kishte kërkuar ta takonte dhe se do të firmoste një kontratë filmi me të. Asaj i rodhën lot gëzimi. Alfred Hiçkoku do të ndërronte rrjedhën e jetës së saj, do të bëhej aktore e Hollivudit e zgjedhur nga rregjisori më i respektuari kohës. Dhe ashtu ndodhi.

 

Ai e shndërroi në një bionde tipike ‘ala Hiçkok’, i ndërroi emrin nga Nathalie Kay Hedren në Tippi Hedren. Duke e shndërruar në idol, do të obsesohej pas saj. Filmi i parë i Tippi Hedren me Hiçkokun qe “Zogjtë” (The birds, 1963). Ajo kaloi nëpërmes mijëra testimeve. Hiçkoku i dha të luante pjesë nga filmat e tij të mëparshëm para se të vendoste për ta angazhuar në një film të ri... Dreka e parë me regjisorin e madh dhe të shoqen Almën, ishte shumë emocionuese për aktoren. Hiçkoku i dhuroi një kapse floriri me tre zogj me krahë të hapur, si në fluturim, dhe i tha se donte që ajo të luante rolin kryesor (të Melani Daniels) në filmin "Zogjtë". Ndërsa aktorja e re ishte shumë e emocionuar, Hiçkoku nga ana e tij ndihej i kënaqur që Hedren nuk kishte patur më parë asnjë eksperiencë aktrimi. Pra do ta modelonte siç dëshironte ai.

Tippi Hedren, sot 85 vjeçe, kujton: “Ai planifikoi hollësisht çdo gjë me kaq hollësi sa që më dukej se filmi kishte mbaruar që përpara se të fillonte xhirimi. Ai dinte çdo skenë, dhe çdo pikë të çdo skene".


Në fillim filmimi qe një mrekulli. Tippi u dha shumë pas zogjve, madje njëri i qëndronte vazhdimisht në sup. Ka një foto që fikson këtë moment. Tippi ndihej e lumtur, por nga fundi i filmit kur do të xhirohej skena finale e sulmit të zogjve mbi Mellaninë, (mbi të) asistent producenti e njoftoi me sytë përdhe, se ndryshe nga ç'qe thënë në fillim, do të përdoreshin zogj realë, e jo artificialë. “Ata i lëshuan zogjtë drejt meje, kujton Tippi,- disa i lidhën pas trupit të tim me llastik”. Njëri prej tyre i lidhur mbi sup desh i nxorri syrin dhe Tippi thirri e lemerisur: “M’i hiqni”! Dhe e tronditur zuri të qajë. Në mbyllje të xhirimit, ajo ndihej shumë e lodhur, e ngrirë nga të ftohtit, por askush s’e mori në makinë ta shpinte në shtëpi.

“E kuptova që Hiçkoku më kishte zgjedhur mua, një aktore të panjohur, sepse asnjë nga aktorët e famshme, me mendje në vend, nuk do ta kishte bërë këtë film”, rrëfen Tippi Hedren.

Hiçkoku nuk e përmendi asnjëherë incidentin me zogjtë.

“Ai ishte person i komplikuar në ekstrem. Unë mendoj që ai ishte sadist – nuk kam dyshim për këtë. Por as unë nuk isha qaramane. Nju Jorku më kishte bërë të fortë. Sigurisht që ai ishte brilant, unë e mora trajnimin si aktore nga regjisori më i mirë”.

Në tre vjet Tippi kishte fituar përvojën e 15 vjetëve.

Por Hiçkoku u obsesua pas Tipit dhe kjo qe fatkeqësia e saj. Aktorja kujton: "Ai i mbante sytë tek unë gjithë kohën. Kërkonte të hante dreka private me mua. Unë nuk isha e interesuar për të në mënyrën si ishte ai për mua. Ai kërkonte të kontrollonte jetën time private. Kjo ishte shqetësuese dhe kërcënuese…”

Rod Taylor, partneri i saj në filmin “Zogjtë” kujton nga ana e tij: "Hiçkoku qe bërë shumë dominues dhe xheloz për Hedren. Askush gjatë filmimit nuk mund t’i afrohej fizikisht Tippit “Mos e prek vajzën, kur unë thërras "Cut!" thoshte ai vazhdimisht. Ndërsa Dajenë Bejker (Diana Baker), që ka luajtur me Tippi Hedren në filmin "Marni" (Marnie) tregon në kujtimet e saj:

”Unë asnjëherë nuk e pashë Tippin të shijonte filmin si ne të tjerët, askush s'e pa atë të kishte një marrëdhënie normale me Hiçkokun, si ne të gjithë. S’kishte gjë më të tmerrshme për mua kur mbërrija në xhirim të shikoja se si trajtohej Tippi prej tij." Gjithsesi, Hiçkoku e krahasonte Tippi Hedren me Grejs Kellin, e madje diçka më mirë se ajo. Për aktrimin e saj në filmin “Zogjtë” Tippi Hedren fitoi “Golden Globe” dhe vlerësimin si aktorja më e mirë e vitit.

Një vit më pas, gjatë xhirimit të filmit “Marni” (Marnie) Hedren i tha Hiçkokut se donte të ndërpriste kontratën me të sapo të mbaronte filmimi. Por ai iu përgjigj: "Nuk mund ta bësh këtë. Ti ke një vajzë për të rritur (Melanie Griffith, aktore) dhe prindërit po të plaken". Mirëpo për shkak të kërkesave të tij private, ajo insistonte.

“Unë do të shkatërroj karierën” - ju përgjigj ai, copë.

Dhe Hiçkoku e mbajti fjalën. Ai e lidhi Tippi Hedren në kontratë me $600 dollarë në javë, kohë gjatë së cilës ajo nuk mund të luante asnjë film me asnjë regjisor tjetër, ndërkohë që ata e kërkonin. Hiçkoku e kish bllokuar. Por as me Hiçkokun Hedren nuk luajti më asnjë film.

Kur më së fundi u çlirua nga kontrata, Çarli Çaplin e mori Hedren në filmin "Një konteshë nga Hong Kongu” (A Countess from Hong Kong (1967) me Marlon Brandon. Hiçkoku gati pësoi goditje në zemër, kur e mësoi këtë lajm. Ai shkoi në Londër. 

Hedren kujton: "Ndërsa filmoja në Angli, Hiçkoku më kërkoi të drekoja me të. ‘Oh, a nuk do të ishte e mrekullueshme sikur ju dhe Çarli të bënit një fotografi sëbashku? Ju të dy jeni nga Londra, vini nga shtresa e thjeshtë e shoqërisë dhe shiko se ku keni arritur!” - thashë unë.

Hiçkoku m’u përgjigj: ”E pse u dashka ta bëj këtë?”

Hiçkoku ia doli të më shkatërronte karrierën. Të fitosh famë, dhe ta humbasësh! Por mua nuk më shkatërroi dot. Unë nuk i kam treguar askuj çfarë ka ndodhur para 20 vjetësh, sepse më ka ardhur zor. Nëse një gjë e tillë do të ndodhte sot, do isha bërë e pasur.” (Sepse Tippi mund ta hidhte në gjyq për “sexual harassment “).

Hiçkoku vdiq në 1980. Tippi Hedren u ndje e çliruar. Por edhe pse e lënduar shumë prej tij, Hedren nuk ushqen ndjenja inati ndaj tij. Parimi i saj është: “Nëse dikush ju lëndon keq, mos e mbani inatin me vete tërë kohën, se ndryshe do t’u hajë të gjallë. Unë nuk mbaj inate”.

Hiçkoku ishte një regjisor i jashtëzakonshëm dhe absolut në autoritetin e tij. Por shpesh ka lindur pyetja: A ishte Hiçkoku sadist? Dhe përgjigja vjen: Po! Një lloj sadisti i veçantë. Njihet dobësia që kishte Hiçkoku ndaj aktoreve të roleve kryesore në filmat e tij, të cilat i zgjidhte ai vetë. Historia e mësipërme me aktoren Tippi Hedren, është provë për këtë. Ai u ndryshonte pamjen sipas fantazisë e preferencës së tij. Ai i kthente në bjonde, u ndryshonte ngjyrën dhe përpiqej t’u ndërronte edhe personalitetin. Ishte njëlloj sikur të ishin pjella e tij. Ai u siguronte famën, u jepte fitoren. Por çfarë merrte si shpërblim privatisht? Ndoshta asgjë, dhe hakmarrjen e materializonte në sadizmin e vet gjatë procesit filmik. Bjondet “e tij” kalonin në situata të rrezikshme. Shpesh u mbante të fshehta për skenën që do të realizonte. Prandaj tmerri psiqik që ato kalonin gjatë procesit filmik në skena të veçanta shfaqet kaq real dhe tronditës tek spektatorët. Kujtoni filmat e tij horror, në qendër të cilave rolet kryesore janë nga bjondina të bukura të cilat kalojnë përmes ferrit para se të fitojnë çmimet akademike si yje të Hollivudit. Kujtoni filmin Psycho, Birds, Vertico, Dial M for Murder, Rear Window etj. (Tippi Hedren, Grace Kelly, Kim Novak, Eva Marie Saint, etj).

 Nga libri "Perëndimi Mistik", Albana Lifschin.