Arte & Media

“Shkëlqimi vdes në çastin që ka lindur, e thjeshta i mbetet botës trashëgimi” - Nga Vangjush Saro

Vangjush Saro - Vancouver

Bojkotimi i imazhit të rremë, ulja e numrit të klakerëve-klikues, shenjë kulture e qytetarie

Titulli i këtij shënimi është një thënie e Gëtes - ndaj edhe u vu në thonjëza - ndërkohë që atë vetë (shënimin) do ta quaja ‘diskutim’. Diskutim kundër imazhit të rremë. Diskutim për kombinimin e mendjes me kujdesin për pamjen. Diskutim për qasjet hileqare të disa mediave në pasqyrimin e jetës artistike.

Dikur, në teatër dhe në opera, përdoreshin klakerë. Këta ishin njerëz të paguar, që duhej të duartrokisnin në mënyrë frenetike për ta shpëtuar a vlerësuar një shfaqje; ose duhej të fishkëllenin si të marrë për ta shkatërruar atë. Kurse sot, për këto qëllime, mediat përdorin klakerët-klikues…

Po e marrim pak më shtruar. Në rrjete dhe në media, ka një konkurrencë të madhe dhe një dyndje të jashtëzakonshme, nga më të njohurit, deri tek anonimët. Vëmendja dhe klikimi kanë marrë një rëndësi jetike, veças për njerëzit e artit. Dhe këtu, është pak e vështirë të ndash të vërtetën nga hileja, nga shtirja. Kudo në botë, një pjesë e protagonistëve të këtyre fushave, kujdesen me tepri për veten; (operacionet plastike janë në modë, edhe pse shpesh të tregojnë më keq se ç’ke qenë).

Por në këtë gadishull që quhet Ballkan dhe sidomos në këtë Shqipërinë tonë me njëmijë halle, ‘gocat’ e pasarelës e të muzikës e kalojnë çdo limit, po ashtu mediat që iu kushtojnë atyre vend e vëmendje shumë më shumë nga sa u takon, shumë më shumë nga sa i ndjek dhe i vlerëson vetë publiku. Këtij të fundit, i bëhet presion që të shkojë pas kurmit e pas banalitetit; dhe kjo shton klakerët-klikues. Por a është kjo një luftë shijesh e ndikimesh? Apo thjesht ua err sytë leku?

Para disa ditësh, postova foto nga një koncert i hershëm (në Itali) i këngëtares së njohur amerikane (me origjinë britanike) Dido. Nuk është e vështirë të dallosh çiltërsinë dhe natyrshmërinë e saj, thjeshtësinë në veshje, interpretimin profesional, trupin dhe fytyrën pa ‘fryrje’… Në fotot që ilustrojnë këto radhë, janë: aktorja spanjolle Berta Vazques, me origjinë mikse (Ukrainë/ Etiopi); bjondia britanike Sienna Miller; aktorja kanadeze Kristin Kreuk; dhe turkja Tuba Buyukustun. Yje të tillë, fatmirësisht, edhe kur ‘kurohen’, e bëjnë me shumë kujdes; ose thjesht dinë të përmbahen në gjithçka; mbase kanë edhe fat… Dhe kjo është kaq e pranueshme.

Imazhi i gënjeshtërt shoqëron sot rëndom të ashtuquajturat artiste. Problemi tjetër i tyre është histeria për një jetesë sa më në luks; dhe këtu, dallimi prapë vjen i qartë. Ato që unë permenda më lart e shumë të tjera, janë milionere; por i kanë bërë paratë me rolet e tyre, me interpretimet profesionale, doemos edhe me bukurinë që u kanë dhënë nënat. Kurse shumë nga ‘të përkëdhelurat’ e ekraneve dhe mediave shqiptare, që gjatë gjithë kohës pozojnë zhveshur dhe (jo rrallëherë) shoqërohen me banditë, tregojnë për një edukim të cunguar, për frikë nga mungesa e talentit dhe vëmendja e tregut; tregojnë gjithashtu për një prapambetje që ka zënë për fyti jo vetëm ato, por një pjesë të mirë të komunitetit shqiptar, të pronarëve e drejtuesve të mediave, të politikanëve e zyrtarëve shqiptarë me formim gjysmak; disa andej pari, paraja i ka shndërruar në kllounë…

Këtu nuk ka vend për imponime, se shijet janë të ndryshme. Por më duket e ulët, shumë e ulët - për këdo, edhe për shqiptarët që jetojnë në diasporë - të ndjekësh këto modele të shpifura arti e politike; t’i lançosh ato në rrjete apo në koncerte-tallava; t’i pëlqesh si klaker-klikues me gjuhën përjashta… Ky është një problem veçanërisht shqiptar. Sot janë të shumtë krijuesit dhe intelektualët e spikatur, me vlera të vërteta; por mediat pak interesohen për këtë ‘kategori’, ato ‘bien përmbys’ më së pari për hiret e sajuara të gjithfarë damave hajvane.

Natyrisht, për disa vendime bën presion e dikton edhe tregu, bën presion dhe dikton pronari kapadai e fyçkë; por gjithsesi, institucionet (dhe mediat si të tilla duhet të sillen) ndërtohen mbi parime dhe jo mbi interesa të çastit… Me postimet e llojit më të ulët, ato janë duke i bërë një shërbim të keq publikut dhe kulturës shqiptare. Më e pakta, në këto raste, ato duhet të ndajnë termat: Kemi përpara një artiste apo thjesht një seksbombë?

Natyrisht, në asnjë temë, edhe këtu, nuk mund të qasemi me definicione dhe në mënyrë kategorike. Liria është ajo që prodhon e shpërndan soj-soj imazhe e ide. Por mediat nuk duhet të bien në nivelin e klakerëve-klikues që lëpihen kur shikojnë bandille të zhveshura. Lexuesit dhe shikuesit kanë mendjen dhe prirjet e tyre, kurse mediat janë përballë detyrimesh që nuk duhen nëpërkëmbur. Më në fund, përtej çdo pendese, bojkoti ndaj shtrembërimeve dhe banalitetit në art e në media, është një emergjencë për çdo qytetar. E nesërmja do të na shohë thellë në sy, me qortim…

©Vangjush Saro