Arte & Media

Ju rrëfej për artistin që mbronte oqeanin  

Nga: Florian Vlashi

Jemi në Camelle, një fshat i vogël peshkatarësh që ndodhet në atë pjesë të oqeanit që quhet “Costa da Morte”. Erdhëm për të njohur historinë e jashtëzakonshme të gjermanit Man të cilën kam dëshirë t'jua tregoj.

Kisha lexuar që Manfred studioi Arte në Itali dhe jepte mësim në Zvicër. I pasionuar me oqeanin erdhi në veri të Spanjës në 1962 kur ishte vetëm 25 vjeç dhe ndaloi në fshatin më të humbur të «Bregut të Vdekjes» – i quajtur kështu nga numri i madh i anijeve të mbytura në shekuj. Këtu u dashurua me një mësuese, e cila që në fillim i tha se historia e tyre nuk do të kishte vazhdim. Diçka ndodhi me Man që, pas këtij dështimi, vendos të kthehet në hijen e saj, të ndahet me botën e të jetojë mes shkëmbinjve të bregut si një primitiv i kohëve moderne. I kish mbetur dashuria tjetër, oqeani. Atlantiku ishte gjithçka për të; ishte e dashura, familja, miqtë. Oqeani ishte Muzika dhe Morali -siç shkruan Neruda.

Lexonte, shkruante dhe me gurët e bregut apo me sendet që sillte deti – pjesë nga anijet e mbytura apo skelete peshqish - krijonte veprat e artit.

Jetonte thuajse lakuriq në strehën e tij mes librave, fletoreve e një kopshti të vogël në krah (sipas Ciceronit nuk duhet asgjë më shumë), një heremit në universin e tij. Dukej se kishte arritur lumturinë absolute në këtë marrëdhënie intime me planetin që e donte dhe e mbronte. Ndaj pengoi dhe ndryshoi projektin e betonimit të bregut duke u shtrirë mbi betonin e sapohedhur. Aty është silueta e trupit të tij, si fosile - një manifest i dhimbshëm në mbrojtje të bregdetit kundër betonit.

Kështu jetoi sykaltri Man në atë bukuri atlantike 40 vite. Derisa i shfaqet në ëndërr "Balena e Zezë", siç tregoi ai në një intervistë pak ditë para tragjedisë. Dhe ashtu ndodhi. Më 13 nëntor 2002, rreth 28 milje nga bregu mbytet anija naftëmbajtëse “Prestige”. Nafta e saj, një njollë e zezë si turpi i qytetërimit, fillon të mbulojë bregun. Man ndihmoi në pastrim duke iu bashkuar atyre mijëra vullnetarëve që erdhën nga e gjithë Spanja. Megjithatë deti vazhdonte të sillte në breg skena makabre me peshq e shpend të mbytur nga e zeza. Pas disa ditësh Man nuk doli më nga streha e tij. Më 28 dhjetor, e gjetën aty të vdekur mes skulpturave me eshtra balenash. Vdiq nga dëshpërimi.

Veprat e tij filluan të ruhen në muze; një pjesë u ekspozua në "Centro de Arte Moderno Reina Sofia" në Madrid krahas veprave nga Picasso, Dalí apo Miró, ndërsa fletoret e shënimeve vazhdojnë të dëshifrohen e të studiohen në universitete. 

Vite më pas, një stuhi përfshin bregun dhe oqeani merr me vete thuajse gjithë veprat e tij të ekspozuara mes shkëmbinjve. Por silueta e tij mbi beton aty është. Dallgët e mbushin shpesh me ujë dhe çdo njeri që i afrohet shikon të reflektuar aty portretin e vet.

 

*Florian Vlashi-violinist në Orkestrën Sinfonike të Galicisë, Spanjë. Drejtor Artistik i Grupit Instrumental Shekulli XX.