Arte & Media

Një Guzmin shqiptar në New York - Nga Marelba Fushekati

Marelba Fushekati - Toronto

Kur recepsionisti i pallatit është njeriu yt më i rëndësishëm

Amazon ka një serial - Modern Love - episodin e parë të të cilit e ndoqa më tepër pasi pashë emrin e Tina Fey-it. Një gazetare që jeton në New York, në gjithë takimet me pretendentët e mundshëm, para se t'i avitet pallatit ku banon, i paralajmëron ata për testin që duhet të kalojnë. Aprovimin nga recepsionisti i pallatit. Ai është shqiptar, i persekutuar politik, i rritur në kampet e punës. Maggie, gazetarja duket që e ka marrë gjithë informacionin e asaj çka përfaqëson Guzmini, kur e shoh të sillet njësoj si një shqiptare që druhet nga "opinioni".

"Po të pret yt atë me pushkë tek dera?", pyet kandidati, dhe përgjigjja që merr është: "diçka e tillë, është Guzmini."

Guzmini është aty, i gjatë, bjond, që të kujton figurën e malësorëve. Ka momente që vështrimet e Guzminit shoqërohen me plane që paraqesin thepin e pushkës e që të bën të mendosh që, oh, prapë na kanë etiketuar ne shqiptarëve si njerëz që nuk dimë të flasim ndryshe, përveç se me gjuhën e armës.

Nuk është kështu. Guzmini është një figurë, instikti i të cilit nuk të lë kurrë në baltë. Ai është aty dhe i ofron kësaj vajze të re gjithë suportin që një person mund të ketë në një qytet si New York-u. Ai është mbrojtje, kujdestar, dhe kur Maggie mbetet shtatzënë me një nga të dashurit kalimtarë, Guzmini i jep përgjigje pyetjes së saj se çfarë duhet të bëjë me fëmijën, me këshillën: "ti nuk je më vetëm."

Që ti biem shkurt, Maggie e mban fëmijën dhe episodi mbyllet bukur kur Guzmini jep më në fund bekimin për atë që do të ishte kandidati i duhur, pesë vjet më pas, e kur personazhi që quhet Daniel, i drejtohet Guzminit:

- Më duket se duhet të kaloj provimin?

- E kalove.

- Po si, çfarë bëra?

- Asgjë. Thjesht pashë sytë e saj.

Guzmini kthehet nga Maggie dhe i thotë: "Maggie, unë asnjëherë nuk i kam parë shokët e tu, por kam parë sytë e tu se si ishin."

Episodi i parë më la një ndjenjë të mirë, dhe kur je larg akoma më shumë një ndjenjë krenarie. Gjynah që aktori që luan Guzminin është rumun.

Tashti, pjesa e dytë e këtij rrëfimi që mund edhe të mos e kisha shkruar, ka të bëjë me një libër të shkruar nga Vera Bekteshi. Libri i saj, “Vila me dy porta”, është një monografi që e bija e Sadik Bekteshit, i emëruar drejtor i Institutit të Kërkimeve Ushtarake, në Dhjetor të vitit 1974 u përjashtua nga radhët e Ushtrisë dhe nga PPSH dhe më 1975 u internua bashkë me familjen në fshatrat e Beratit. Libri është i shkruar me një narrativë që meriton të lexohet brenda natës. Vite më pas, Vera Bekteshi, sjell "Vila me tre porta", një pasurim i kësaj monografie, libër i cili më erdhi nga Tirana ime dy ditë më parë. Në intermexon e fundit lexoj për vëllanë e Verës, Guxin, që jeton në New York dhe që po e citoj si më poshtë:

"Kur e pyes Guxin për lagështirën e Nju Jorkut, ai më përgjigjet me parrullën e re, që ka zëvendësuar pak a shumë të vjetrat:

- No complain!

Është ajo shprehje që ai e përdor shpesh atje ku është dhe që e gjen edhe në një shkrim të bërë për të në New York Times, në rubrikën Modern Loves, ku e krahasojnë me një xhaxha të dhembshur e zemërgjegjerë, që iu gjendet gjithë banorëve të pallatit ku punon si recepsionist. Ajo që e ka shkruar është një skenariste filmash, që ka banuar në atë pallat dhe që i është mirënjohëse për jetë Guxit, ngaqë iu gjend pranë dhe e mbështeti kur i dashuri e braktisi duke e lënë shtatzënë. Ai e këshilloi Julian të mos e humbte fëmijën, pavarësisht braktisjes prej të atit dhe puritanizmit katolik te familjes së saj të pasur. Ta konsideronte dhuratën më të çmuar."

Unë po e mbyll këtu se fjalë janë të tepërta. Me fjalët e mira për librin e Vera Bekteshit dhe me mirënjohjen për shqiptarin Guzmin, peripecitë dhe dhimbjet që kaloi në jetë vetëm e bënë më të mirë.

Bota akoma është një vend i mirë.

©Marelba Fushekati