“Babai” Anthony Hopkins kërkon mamin - Nga Çapajev Gjokutaj
Çapajev Gjokutaj
Një i moshuar në të 80-at shkrehet gradualisht në vaj dhe nis të kërkojë të ëmën. “Dua mamin, ku është mami im?” belbëzon mes ngashërimave plaku. Mund t’ju ngjajë episod i trilluar, mbase edhe paksa komik por, i luajtur nga Anthony Hopkins në filmin “Babai”, vjen më se i motivuar, madje edhe i natyrshëm.
Vetkuptohet që loja e artistit të madh ka pjesën e vet në këtë motivim. Jo rastësisht Hopkins mori Oscarin e sivjetshëm për realizimin e këtij personazhi, që çuditërisht ka emrin Anthony, ka lindur në të njëjtin vit me aktorin, ka disa nga hobitë e tij, madje vuan nga Alzheimeri, si babai i Hopkinsit dikur.
Por episodi ku plaku ngashërehet dhe kërkon mamin vjen natyrshëm edhe për arsye të tjera. Florian Zeller, regjisori i filmit, rrëfen se nuk ka synuar që shikuesi të shihte një histori koherente, të treguar nga jashtë, përkundrazi ka dashur që ta shtyjë shikuesin të përjetojë disa fragmente çmendurie.
Për pasojë e shohim plakun që po rrjedh në apartamentin e tij komod, për ta gjetur vetëm pas disa sekuencash në shtëpinë e së bijës, më tej ngrihet nga krevati e hap kanatën e një dollapi që nuk e çon tek teshat por në koridorin e një spitali a azili pleqsh. Dhe askush nuk di të thotë se çfarë është reale dhe çfarë sendërgji, që vjen nga mendja në degradim e të moshuarit.
Vetkuptohet se në një realitet të tillë të paqendrueshëm protagonisti ndjehet i dobët, i pasigurt e i rrezikuar, ndaj kërkon ngrohtësinë dhe sigurinë që dikur i ka dhenë e ëma.
Vjen një çast kur nuk njeh as veten, pyet kujdestaren “kush jam unë?”; nuk mban mënd as emrin me të cilin e kanë thirrur tërë jetën, por nënën nuk e harron. Në fakt as të ëmën nuk arrin ta perceptojë si shëmbëlltyrë, (ndërmend vetëm sytë e saj të mëdhenj), por e kujton si ndjesi. Ashtu i humbur e i frikësuar kërkon siguri dhe ngrohtësi, ndaj thërret nënën jo si person por si funksion, jo si trup por si shpirt.
Nuk është e rastit që njeriu, sa herë ndihet keq, është sëmurë a përballet me rreziqe e pasiguri, psherëtin “oh, nena ime”. Thonë se shumica e njerëzve para se të japin frymën e fundit përsërisin po këtë psherëtimë, herë me zë e shumicën e herëve me mëndje...
©Çapajev Gjokutaj