Arte & Media

Lamtumirë e vonuar - Nga Albana Lifschin

Albana Lifschin - Charlotte, North Carolina

Nuk di nëse u ka ndodhur ndonjëherë që në një moment të veçantë qetësie kur je i shkëputur nga zhurmat e jetës, një zë i brendshëm të kujton një njeri të dashur që s’e ke parë prej vitesh dhe ti ndjen një drithërimë të papritur. Kështu më ndodhi mua dje dhe instiktivisht klikova në Google. Në ato pak sekonda mbajta frymën. Mos! Mos, o Zot! Por siç e parandjeva fotografia mbante dy data nën emrin e saj. Lotët më veshën pamjen. Qe një dhimbje e sinqertë përzier me një ndjenjë faji të pafajshëm. Kishin kaluar 2 vjet apo tre, pa e parë mikeshën time të vjetër Marika Kallamata dhe pa dëgjuar prej saj. Kishte qënë koha kur unë shkruaja librin për kujtimet e nënës sime të vdekur dhe kisha humbur nga bota.

* * *                                                                                                                     

Qe bërë e dashur ajo shtëpi për mua ku gjeja gjithënjë ngrohtësinë e dy motrave, zonjave të mrekullushme, Llambrini e Marika e Kallamata. Shkoja shpesh tek to me djalin tim të vogël për dore, i cili gëzohej kur takohej me “gjyshen e përallave” prej vërteti. Për të ishte privilegj që shokët e tij nuk e kishin. Në njerin krah të tavolinës së madhe në dhomën e ndjenjes rrinte ulur Bensi, djali i vetëm i familjes. Atë kohë ai ishte student i inxhinerisë dhe mjaft inteligjent. Bëja be që qëndronte mbi moshatarët e tij. Bensit papritur iu shpalos një e ardhme e ndritur dhe për shumë kohë nuk e pamë më. 

Marika mbeti vetëm pa motrën dhe pa nipin, por shtëpia ishte ende e gjallë dhe gëlonte nga miqtë e nga kujtimet.  Më vonë e solli jeta që unë të udhëtoja për në Nju Jork me një vizë një vjeçare, gjë që vendosi përfundimisht të ardhmen time. Megjithatë sa herë kthehesha në atdhe, fillimisht shpesh e më pas më rallë, nuk rrija pa vizituar mikeshën time të vjetër Marika Kallamatën.

Ajo shtëpi kishte mbetur ashtu siç e kisha parë që ditën e parë që vura këmbën në pragun e saj.  Ndryshe nga shumë të tjerë që u sforcuan për t’i ndërruar fytyrën qoftë edhe jashtë mundësive të tyre duke ndjekur garën e kohës, ajo mbeti identike si më parë. Po ai ambjent i thjeshtë, modest, dhe i rregullt që ruante të gjallë pasurinë e kujtimeve të së kaluarës, të motrës, të nipit dhe miqve të saj. Shtëpia mbante brenda një botë të pasur njeriu që të priste gjithë buzëqeshje e dashuri.

* * *

Me Marikën na njohu Televizioni ku kam punuar për 15 vjet. Marika ishte “Gjyshja” e emisionit të përallave. Megjithëse vetë nuk e pati fatin të bëhej gjyshe ajo ndihej po aq e lumtur në mes fëmijeve që e rrethonin me cicërimat e tyre. Edhe pas mbarimit të regjistrimit të programit ata përsëri e mbanin në hollin e TVSH e s’e linin të ikte. Rrugën e kthimit deri në shtëpinë e saj e bënim gjithnjë bashkë. Nuk e konsideroja më si bashkëpunëtore të programeve tona, por si mikeshën time të vjetër dhe aktoren time të preferuar. Askush s’mund ta zëvëndësonte Marika Kallamatën në rolet e saj. Sepse s’kishte një të dytë si ajo. Ishe aktorja e parë e roleve e dyta, - thuhej atëhere. Ajo ishte “Artiste e merituar”.

U njoh me nënën time dhe erdhi disa herë për vizitë tek ne, e unë gjithmonë merrja e shpija reciprokisht të falat e respektin që kishin ato për njera tjetrën. Kur nëna ime u nda nga jeta, e kisha të vështirë ta përballja boshllëkun e saj në shtëpi. Ardhjet e mia në Tiranë u bënë më të ralla dhe takimet me Marikën gjithashtu.

Ato kohë më pat treguar që shëtitjen e mëngjezit në bulevardin e madh e bënte sëbashku me Margarita Xhepën.  Mikesha të vjetra që nga rinia.

* * *

Herën e fundit që fola në telefon me Marikën, ishte koha që Llambrinia, e motra, ishte ndarë nga jeta. Marika kishte mbetur përfundimisht vetëm në shtëpi. Nga atdheu mësova që Teatri, kolektivi i saj do ta nderonte për kontributin e çmuar për teatrin, si nga aktoret më të mira dhe si një nga figurat më të dashur për skenën, për spektatorët e teleshikuesit.  Në atë mbrëmje festive kishte në krah Bensin, të nipin. Benson Tendler, ish-studenti i dikurshëm qe shëndruar tashmë në një zotëri evropian që të impononte respekt.

Marika e donte kolektivin e Teatrit, ata ishin familja e saj. Ajo nga natyra, për ata që e kanë njohur, kishte një shpirt të përkushtuar. Që kur bashkëpunonte me Televizionin (sa vite kanë shkuar!) më tregonte që po shkruante një poemë kushtuar të gjithë miqve kolegë të skenës. Poema kishte një sens humori, ku ata portretizoheshin me tiparet e tyre të veçanta.  Madje më pat lexuar edhe disa fragmente nga poema e saj satirike. I shëndriste fytyra. Po përgatiste një dhuratë të veçantë për ta!

Qe një mbrëmje emocionuese.  Mua m’u bë se përjetova një takim lamtumire.

* * *

Vitet kaluan dhe në telefonatën e fundit kuptova që kishte vështirësi në komunikim. Thonë se kur fillon të shuhet dëgjimi gradualisht fillon të shuhet edhe jeta. Unë akoma nuk dua ta besoj këtë.

Gjithsesi, të gjithë e kemi nisur atë rrugë dhe një ditë do t’i afrohemi fundit por jetojmë sikur s’kemi për të vdekur kurrë. Kujtoj shpesh shprehjen e një personazhi të një libri për Luftën e Dytë Botërore. Një plak i moshuar që jetonte vetëm për nipërit e tij të mbetur jetim, sa herë që binin bombat gjermane shkonte dhe mblidhte patatet që kishin dalë mbi dhe, - ushqim për të vegjëlit.  Dhe kur e paralajmëronin miqtë që një ditë do të vdiste nga bombat, plaku tundte kokën e vogël e thosh: “Nuk e kam frikë vdekjen, sepse sa të jem gjallë unë, nuk ka vdekje. Kur të vijë vdekja s’do jem unë. Kështu që ne s’na bie kurrë të takohemi”.

Ne jetojmë të shkujdesur për jetën tonë, por të shkujdesur edhe për jetën e të afërmve tanë dhe të njerëzve të dashur. Duket sikur jeta na është dhënë “for granted”. Dhe kur i humbasim, prekemi në zemër, ndihemi fajtorë që nuk u shmallëm me ta kur qenë gjallë e na vishen sytë me lot.

Një jetë e re vjen duke na lajmëruar gëzimin që sjell. Tjetra ikën papritur, pa na lajmëruar... duke na lënë pengje në ndërgjegje...

©Albana Mëlyshi Lifschin