Arte & Media

Mbi filmin dokumentar “The Albanian Code” - Nga Saimir Lolja

Filmi dokumentar Kodi Shqiptar (The Albanian Code) u prodhua nga ekipi i drejtuar nga Prof. Yael Katzir dhe Gady Castel. Premiera e filmit u realizua në Tiranë më 27 Janar 2019, ku isha i pranishëm si pjesë e ekipit realizues.

Filmi na mori tre vite e gjysmë në kohë, qëkur u lidha me Prof. Yael Katzir e deri në shfaqjen e tij të parë në Tiranë.

Filmi ka në bosht shpëtimin e hebrenjve të përndjekur gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe shpëtimin e dhjetë herë më shumë si numër të ish-ushtarëve italianë njëkohësisht në periudhën Shtator 1943 - Nëntor 1944.  

Sfida e tanishme e filmave dokumentarë të kësaj brendie është se pothuaj nuk kanë mbetur gjallë dëshmitarë të atyre kohërave. Qe njëra mrekulli kur prof. Yael Katzir gjeti një grua të moshuar tani e cila pat qenë vajzë e vogël kur bashkë me familjen e saj, pasi morën pasaporta e viza të nënshkruara nga Ministri i Brendshëm shqiptar Kolë Bib Mirakaj në Gusht 1943, kaluan më varkë në Italinë e jugut që ishte në duart e forcave aleate.

Prandaj, filmi ka në qendër të shpëtuarën Annie Altaratz e cila bashkë me dy vajzat e saj vijnë në Shqipëri për të takuar shpëtuesit, për të prekur vendet ku patën kaluar dhe falënderuar shqiptarët për shpëtimin e tyre. Ato takojnë Naimin, djalin e shpëtuesit dhe bujtësit të tyre Hamdi Kasapi. Në Pogradec, ata takojnë shqiptarin maqedonas Ramzi, djalin e Veliut i cili i pat kaluar nga rajoni Maqedoni në Shqipëri gjatë luftës. Annie pat qenë njohur më Ramziun se ishin fëmijë të një moshe dhe kujtojnë tani kur këndonin hymnin kombtar shqiptar.

Mrekullia e dytë qe se munda të gjej gruan e një ish-ushtari italian Celestino Sissa i cili pat qenë në familjen e gjyshit tim Alush Kuqashi në Elbasan. Ay pat dërguar një letër të shkruar me dorë në Shqip në vitin 1995 në Bashkinë e Elbasanit dhe kërkonte të gjente familjen Kuqashi. Letra na ra në dorë pas shumë muajsh dhe iu kthye një përgjigje e vonuar. Ai vdiq pa u lidhur në vitin 1996.

Në Shqipëri filloi viti 1997 i çmendurisë dhe lidhja ngeli e pabërë. Ngase edhe me miq që e njohin historinë e ish-ushtarëve italianë nuk u arrit të gjehej ndonjë ish-ushtar italian, fillova kërkimin përsëri dhe më në fund një zyrë bashkie në Mantua, Italia veriore, arriti të na lidhi. Gruaja e ish-ushtarit 95 vjeçe u regjistrua për dokumentarin dhe pas tre muajsh vdiq.

Rasti italian është i harruar fare. Qeveritë italiane pas Luftës së Dytë Botërore ishin sllavo-komuniste dhe mirëpritën vetëm Batalionin Gramshi. Të tjerët u përdorën në Shqipëri për punë si robër dhe pas ca vitesh u kthyen; një pjesë e vogël u mbajt në Shqipëri. Një mësues këtu me thoshte se ata që ngelën të harruar prej qeverive italiane në Etiopi u përdorën për punime botore dhe u tretën atje me gratë vendase.

Filmi akoma nuk është në të hapur në faqen https://yaelkatzir.com/ sepse vazhdon të kërkohet në vende e takime të ndryshme. Vetëm në Izrael, ai është shfaqur 30 herë në vendbanime të ndryshme. Ai u zgjodh të përfaqësojë Izraelin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit më 27 Janar 2021 për t’u shfaqur në Nju Jork, Vjenë, Bruksel.

Më 22 Gusht 2021, filmi u shfaq në qendrën Sousa Mendes Foundation ku u ndoq nga 460 pjesëmarrës dhe në bisedën e mëposhtme me Zoom ishin të pranishëm 120 vetë.

https://www.youtube.com/watch?v=3Ax_Z_haC8A

Në bisedë zbulohet shumë me fjalët e thëna. Shikim e dëgjim të këndshëm.

©Saimir Lolja